Wendt në Senat: Krimi i organizuar dhe siguria prioritet

I nominuari i presidentit amerikan për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, ka deklaruar para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan se, nëse konfirmohet në këtë post, prioritetet e tij kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së në Shqipëri. Wendt i bëri këto komente më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij në kuadër të procesit të konfirmimit për misionin diplomatik në Tiranë.

Gjatë seancës, Wendt tha se, në rast se konfirmohet, do të punojë në katër drejtime kryesore. Një nga boshtet është siguria dhe mbrojtja, ku ai theksoi rëndësinë e një qasjeje që lidhet drejtpërdrejt me rreziqet transnacionale. Ai theksoi se mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do ta bënte Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta.

Një element tjetër që Wendt ngriti në këtë kuadër lidhet me ekonominë dhe mënyrën se si mjedisi rregullator dhe institucional ndikon te investimet. Ai tha se do të fokusohej në nxitjen e prosperitetit amerikan, duke argumentuar se kjo do të sillte përfitime edhe për Shqipërinë. Sipas tij, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe minierat, si dhe në fusha të tjera ekonomike.

Siguria, ekonomia dhe SPAK në qendër të planit të Wendt

Duke folur për profilin e tij profesional, Wendt theksoi se ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë. Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, me mbi 34 vjet shërbim. Wendt ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit. Ai u shpreh se gjatë periudhës 2017–2019 ka qenë koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez, ndërsa ka mbajtur edhe rolin e shefit të Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

Ai shtoi gjithashtu se do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e zotimeve në kuadër të NATO-s. Një nga objektivat e përmendura prej tij lidhet me rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2035. Wendt përmendi edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike amerikane dhe shqiptare, si dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake. Në anën tjetër, ai foli edhe për përvojën e tij me trupat shqiptare: si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, ai tha se kishte pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale të Shqipërisë, duke kujtuar se ka punuar me ta në terren në Shqipëri. Në Afganistan, ai tha se ka shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.

Gjatë seancës, u diskutua edhe për rolin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Wendtin për ndikimin që mund të ketë një strukturë e posaçme si SPAK-u në klimën e investimeve në Shqipëri, si dhe për rëndësinë e saj në betejën kundër korrupsionit. Wendt tha se, sipas informacioneve që ka lexuar, SPAK-u ka qenë një organizatë shumë e vlefshme, e pavarur dhe jopolitike. Ai u shpreh se, nëse konfirmohet, do të mbështesë vazhdimin e veprimtarisë së tij të pavarur dhe jopolitike. Wendt shtoi se SPAK-u ka qenë i rëndësishëm edhe në bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, duke përmendur Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n, në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale. Ai tha se puna e SPAK-ut mund të ndihmojë edhe bizneset amerikane në Shqipëri, duke forcuar zbatimin e ligjit.

Në të njëjtën seancë, kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, James Risch, tha se partneriteti SHBA–Shqipëri është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit. Ai e cilësoi Shqipërinë si aleate të rëndësishme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në përballjen me ndikimin rus në rajon. Senatorja Jeanne Shaheen theksoi se Shqipëria është një nga partneret më të afërta të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe një aleate e NATO-s, duke përmendur se ka qëndruar pranë SHBA-së “në shumë mënyra”, përfshirë mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë. Shaheen tha gjithashtu se, nëse konfirmohet, Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas tre vjetësh, në një moment të rëndësishëm për rajonin, ku udhëheqja diplomatike ka rëndësi. Wendt u propozua në prill nga presidenti amerikan Donald Trump për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë. Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasadorë të konfirmuar nga Senati në asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Nëse konfirmohet, Wendt do të ishte ambasadori i parë i konfirmuar amerikan në rajon në këtë periudhë.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version