Sa vite punojnë realisht evropianët para pensionit

Nga Holanda deri në Rumani, sa kohë pritet të qëndrojë një person aktiv në tregun e punës ndryshon dukshëm mes vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa në shumë shtete rritja e moshës së pensionimit është kthyer në realitet, reforma të tilla po shoqërohen edhe me zgjatjen e periudhës që qytetarët pritet të jenë në punë. Por shifrat tregojnë se jo të gjitha vendet ndjekin të njëjtën rrugë dhe diferencat mbeten të mëdha.

Rritja e moshës së pensionimit dhe zgjerimi i kohëzgjatjes së jetës aktive në punë lidhen me plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe përpjekjet për të ruajtur qëndrueshmërinë e sistemeve të pensioneve. Në këtë kuadër, gjatë viteve të fundit kanë pasur edhe protesta të mëdha në disa vende, ku qytetarët e lidhën reformën me ndikimin e drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme.

Një rast i spikatur ishte Franca. Në vitin 2023, vendi u përfshi nga demonstrata masive dhe greva kombëtare pasi kryeministrja e atëhershme, Élisabeth Borne, propozoi rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç. Reformat u miratuan nga parlamenti, por zbatimi u kthye në temë debatesh të vazhdueshme politike. Në vitin 2025, Asambleja Kombëtare franceze votoi që zbatimi i plotë të shtyhet deri në vitin 2028, pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, me qëllim të shmangies së një tjetër krize politike dhe sociale.

Edhe Rumania po ndryshon rregullat e pensioneve. Sipas reformave që po zbatohen, mosha e daljes në pension për gratë po rritet gradualisht nga 63 në 65 vjeç deri në vitin 2035. Objektivi është barazimi i moshës së daljes në pension mes grave dhe burrave, si pjesë e ndryshimeve më të gjera në sistemin e pensioneve. Paralelisht, vendi ka nisur të rishikojë edhe rregullat për pensionimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me parashikim të rritjes graduale të moshës së pensionimit të tyre në 65 vjeç.

Ndryshime në drejtim të zgjatjes së punës kanë ndërmarrë edhe vende të tjera. Danimarka, për shembull, ka miratuar që mosha e pensionimit shtetëror të rritet në 70 vjeç deri në vitin 2040, duke e lidhur këtë me rritjen e jetëgjatësisë. Nëse plani zbatohet, Danimarka do të renditet ndër vendet evropiane me moshën më të lartë të pensionimit.

Eurostat mat vitet e punës, jo moshën e saktë të pensionit

Përtej reformave kombëtare, një pjesë e rëndësishme e diskutimit vjen edhe nga të dhënat statistikore. Eurostat-i raporton se një person mbi 15 vjeç në Bashkimin Evropian pritet të kalojë mesatarisht 37,5 vjet në tregun e punës në vitin 2025. Kjo shifër shënon rritje krahasuar me 37,2 vjet në vitin 2024 dhe 35,2 vjet në vitin 2016. Treguesi mat numrin e viteve që një person 15-vjeçar pritet të jetë aktiv në tregun e punës, duke u bazuar në kushtet aktuale ekonomike dhe sociale. Në llogaritje përfshihen si periudhat e punësimit, ashtu edhe ato të papunësisë.

Megjithatë, Eurostat thekson se ky tregues nuk nënkupton moshën e daljes në pension dhe as nuk përcakton se sa gjatë duhet të punojë një individ. Pavarësisht kësaj, dallimet mes vendeve mbeten të theksuara dhe reflektojnë një ndarje të qartë mes veriut dhe jugut të kontinentit. Në shtatë vende anëtare, qytetarët pritet të kalojnë 40 vjet ose më shumë në tregun e punës. Holanda kryeson me 44 vjet, e ndjekur nga Suedia (43,3), Danimarka (42,6), Estonia (41,5), Irlanda (40,7), Gjermania (40,2) dhe Finlanda (40,1).

Në anën tjetër të renditjes gjenden Rumania, Italia dhe Bullgaria, ku kohëzgjatja e pritshme e jetës aktive në punë është dukshëm më e shkurtër. Në Rumani ajo arrin në 32,7 vjet, në Itali 33 vjet, ndërsa në Bullgari 34,6 vjet. Të dhënat nxjerrin edhe një hendek gjinor: mesatarisht, burrat pritet të qëndrojnë në tregun e punës për 39,5 vjet, rreth katër vjet më shumë se gratë, të cilat kanë një mesatare prej 35,4 vjetësh.

Periudhat më të gjata për burrat regjistrohen në Holandë me 45,9 vjet, të pasuar nga Suedia dhe Danimarka me nga 44,5 vjet secila, si dhe Irlanda me 43,4 vjet. Përkundrazi, burrat në Bullgari (35,9 vjet), Rumani (36,0 vjet) dhe Kroaci (36,3 vjet) kanë periudhat më të shkurtra të pritshme të jetës aktive në punë në nivelin e BE-së. Sa i përket grave, periudhat më të gjata shënohen në Suedi me 42,3 vjet, e ndjekur Nga Holanda me 41,9 vjet dhe Estonia me 41,8 vjet. Në fund të renditjes janë Italia, Rumania dhe Greqia: në Itali periudha mesatare është 28,4 vjet, në Rumani 29,1 vjet dhe në Greqi 31,8 vjet.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version