Presidentja Shiroka Pula në 70-vjetorin e 1956-ës: Liria vlerë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nderuar qëndresën e popullit hungarez për liri dhe pavarësi në kuadër të një aktiviteti kushtuar 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956. Në fjalën e saj, ajo ka theksuar se përvoja historike e Kosovës e bën më të lehtë kuptimin e rëndësisë së kësaj vlere, lirisë, për çdo shoqëri dhe çdo komb.

Presidentja Shiroka Pula i bëri këto deklarata në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë. Ngjarja shënon një moment të rëndësishëm në historinë evropiane të përpjekjeve për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore. Gjatë fjalimit, ajo vuri në pah se revolta dhe guximi i qytetarëve hungarezë kundër shtypjes mbeten një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë evropiane.

“Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula.

Prandaj, sipas saj, kur kujtohet Revolucioni Hungarez i vitit 1956, kuptohet domethënia e kësaj date për popullin hungarez, duke e lidhur qëndresën e qytetarëve të tyre me historinë më të gjerë evropiane të luftës për liri. Ajo theksoi se kjo përvojë nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, por mbetet një kujtesë për vlerat që i bashkojnë shoqëritë.

Revolucioni i 1956-ës i kujton Kosovës dhe Hungarisë se liria është vlerë

Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula theksoi edhe lidhjet historike mes shqiptarëve dhe hungarezëve, të dëshmuara përmes marrëdhënieve të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin hungarez Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Ajo nënvizoi se këto marrëdhënie u zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane dhe se shërbejnë si shembull se bashkëpunimi, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund të kapërcejë kufij dhe dallime.

Presidentja tha më tej se kjo trashëgimi historike është e rëndësishme edhe për marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Sipas saj, miqësia mes dy vendeve është dëshmuar në kohën aktuale përmes marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, arsimin dhe ekonominë. Ajo kujtoi se Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008.

Shiroka Pula theksoi gjithashtu se aktualisht Hungaria kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Në arsim, ajo përmendi programin e bursave Stipendium Hungaricum, duke thënë se ky mekanizëm u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Presidentja vuri në dukje se edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin mes Kosovës dhe Hungarisë.

Në mbyllje të fjalës, Presidentja Shiroka Pula tha se përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë. Ajo theksoi se për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen, duke besuar se raportet mes dy vendeve mund të forcohen përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Sipas saj, Kosova dhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version