Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka folur për rolin e Bashkimit Evropian në menaxhimin e krizave politike në Kosovë, duke e lidhur drejtpërdrejt me procesin për zgjedhjen e presidentit. Në një letër drejtuar publikut, ai ka theksuar se “nuk ka më zarfe” dhe se BE-ja nuk ka më “ndërhyrje direkte” për të gjetur zgjidhje në bllokadat institucionale.
Palokaj ka argumentuar se, sipas pritshmërive të BE-së, politikanët në Kosovë duhet të tregojnë pjekuri dhe të tejkalojnë vetë ngërçet. Ai ka nënvizuar se ajo që ka ndodhur më herët ishte më shumë se tani: më parë, BE-ja është përfshirë drejtpërdrejt, duke u orientuar që të përcaktohej rruga drejt zgjidhjes së çështjes së presidentit. Tani, sipas tij, BE-ja ka ndryshuar qasjen dhe ka kufizuar ndërhyrjet.
“BE-ja nuk mund të jetë më e qartë dhe nuk mund të bëjë më shumë. Askush tjetër nuk mund të bëjë më shumë. Më parë kanë bërë më shumë duke u përfshirë në mënyrë direkte, nuk jeni në gjendje ta zgjidhni presidentin, ne ju tregojmë se kë do ta zgjidhni, tani ata nuk duan më të ndërhyjnë. Nuk ka më zarfe, nuk ka më ndërhyrje, nuk ka më tifozllëk ndërkombëtar. Krejt çka mund të bëjnë është të bëjnë ftesa që kosovarët vetë t’i tejkalojnë këto probleme, me tejkalimin e këtyre probleme të dëshmojnë pjekuri dhe më pas të jenë më të gatshëm për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar jo vetëm me BE-në por edhe me vendet individuale”, ka thënë Palokaj.
BE-ja kërkon zgjidhje vendase, pa zarfe e ndërhyrje direkte
Në vijim të argumentit të tij, Palokaj ka folur edhe për pozicionin e Kosovës në proceset drejt integrimit evropian. Ai ka thënë se Kosova është “ishull i izoluar në Evropë” dhe ka lidhur këtë izolim me faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është shqyrtuar fare. Sipas tij, procesi i zgjerimit matet me hapjen dhe mbylljen e kapitujve, me mbylljen e negociatave dhe, përfundimisht, me anëtarësimin, ndërsa Kosovës i mungon ende edhe qasja drejt fazave të para.
Palokaj ka përdorur një metaforë për të përshkruar këtë pritje, duke thënë se Kosovës nuk i është mundësuar “ardhja në stacionin nga i cili niset treni për në Bashkimin Evropian”. Ai ka theksuar se kjo situatë, sipas vlerësimeve të tij, lidhet me faktin që vendi ende nuk ka mundur të hyjë realisht në itinerarin formal të BE-së, pavarësisht se proceset e zgjerimit vazhdojnë për shtete të tjera.
Një pjesë tjetër e deklarimeve të Palokajt i është kushtuar edhe pasojave financiare që, sipas tij, mund të ketë Kosova për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve. Ai ka paralajmëruar se vendi rrezikon të humbë mbi 250 milionë euro nga fondet e BE-së, duke dhënë një ndarje të qartë në dy afate: mbi 90 milionë euro në qershor dhe 165 milionë euro në dhjetor. Shuma totale, sipas tij, i kalon 250 milionë euro.
Palokaj ka folur edhe për vitin 2027, të cilin e ka përmendur si periudhë kur, sipas narrativës së tij, do të duhej të skadonte “Pakoja e Rritjes” për vendet e rajonit të Ballkanit. Ai ka thënë se Kosova i ka në dispozicion mbi 800 milionë euro, por ka ngritur pyetjen se sa nga këto mjete do të mund të shpëtohen dhe jo vetëm sa do të humben. “Tani shtrohet pyetja se sa nga këto mjete Kosova do të mund t’i shpëtojë, e jo sa do t’i humbë”, ka përfunduar Palokaj.
Botuar fillimisht në Koha.net





