Evropa shpenzon shumë për arsimin—por rezultatet s’janë uniforme

Ndërsa miliona nxënës në Evropë po përgatiten të rikthehen në shkolla, çështja se si qeveritë financojnë arsimin po fiton gjithnjë e më shumë peshë në debatet publike. Rritja e kostos së jetesës, pabarazitë socio-ekonomike dhe rezultatet e dobëta në aftësitë bazë e kanë rikthyer investimin në arsim në qendër të vëmendjes politike.

Megjithatë, shifrat tregojnë se shpenzimet më të larta nuk garantojnë automatikisht rezultate më të mira. Të dhënat e fundit të Eurostat-it flasin se qeveritë e BE-së shpenzuan rreth 806 miliardë euro për arsim në vitin 2023, që përbën rreth 4.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) të bllokut. Kjo do të thotë se në nivel të përgjithshëm, arsimi mban një peshë të rëndësishme në buxhetet publike.

Kur shikohet pesha ndaj GDP-së, Suedia del në krye me 6.8% të shpenzimeve publike për arsim. Pas saj renditen Finlanda, Islanda, Belgjika dhe Danimarka, të gjitha mbi 6%. Në skajin tjetër të tabelës qëndrojnë Rumania me 2.97% dhe Greqia me 3.33%, duke treguar se niveli i mbështetjes financiare ndaj GDP-së varion ndjeshëm mes vendeve.

Por përqindja ndaj GDP-së nuk tregon gjithmonë se sa para investohen realisht për çdo nxënës. Pikërisht për këtë arsye, shpenzimet për studentë, të llogaritura sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), ofrojnë një tjetër mënyrë për të krahasuar vendet. Luksemburgu është rasti më i dukshëm: në vitin 2022 ai shpenzoi vetëm 3.74% të GDP-së për arsim, më poshtë se mesatarja e BE-së, por njëkohësisht regjistroi shpenzimet më të larta për nxënës, me 18,422 PPS—më shumë se dyfishi i mesatares evropiane prej 8,246 PPS.

Në anën tjetër, Bullgaria shpenzoi rreth 4.5% të GDP-së për arsim, por vetëm 3,097 PPS për nxënës, niveli më i ulët në BE. Kjo ngre pyetjen nëse investimi më i lartë, i matur në çdo nxënës, përkthehet medoemos në rezultate më të mira. Performanca e vendeve në testet ndërkombëtare PISA jep një përgjigje më komplekse.

Shpenzimet më të larta s’garantojnë automatikisht rezultate më të mira

Rezultatet e PISA-s tregojnë se disa vende që investojnë më pak arrijnë rezultate më të mira se shtetet me buxhete më të mëdha. Në vitin 2022, Estonia kishte përqindjen më të ulët të nxënësve me rezultate të dobëta në matematikë në nivel BE, me vetëm 15%. Irlanda dhe Danimarka pasuan me rreth 19-20%. Edhe Letonia paraqet një shembull interesant: ajo shpenzoi rreth 4,999 PPS për nxënës, 39% më pak se mesatarja e BE-së, por rezultatet në matematikë dhe lexim ishin më të mira se mesatarja evropiane.

Ndërkaq, Malta shpenzoi 9,658 PPS për nxënës, rreth 17% mbi mesataren e BE-së, por kishte rezultate më të dobëta. Rreth 32.6% e nxënësve maltezë kishin rezultate të dobëta në matematikë, ndërsa 36.3% kishin rezultate të dobëta në lexim. Këto diferenca sugjerojnë se mënyra se si shpenzohen paratë dhe si drejtohen politikat arsimore mund të ndikojnë po aq sa vetë niveli i financimit.

Në nivelin e BE-së, situata ka ardhur duke u përkeqësuar gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2022, 26.2% e 15-vjeçarëve kishin rezultate të dobëta në lexim dhe 29.5% në matematikë, krahasuar me 18% dhe 22.1% në vitin 2012. Pra, pavarësisht se shumë vende kanë rritur ose mbajtur investimet, aftësitë bazë të nxënësve nuk kanë ndjekur të njëjtin trend pozitiv.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në të ardhmen e arsimit lidhet edhe me demografinë. Sipas Komisionit Evropian, BE-ja pritet të ketë rreth 2.5 milionë më pak fëmijë të moshës 3-18 vjeç deri në vitin 2030, krahasuar me vitin 2022. Rëniet më të mëdha parashikohen në Itali, Greqi dhe Spanjë, ndërsa Gjermania pritet të shënojë rritje të popullsisë së kësaj grupmoshe.

Rënia e numrit të nxënësve mund t’u japë vendeve evropiane mundësi të investojnë më shumë për secilin fëmijë. Sipas Komisionit Evropian, nëse buxhetet e arsimit do të rriteshin në përputhje me një inflacion vjetor prej 2%, shpenzimet për nxënës mund të rriteshin mesatarisht me 19% deri në vitin 2030. Në fund, të dhënat sugjerojnë se cilësia dhe rezultatet e një sistemi arsimor nuk varen vetëm nga sa para shpenzohen, por edhe nga si dhe ku drejtohen këto investime.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version