Nata e 17 janarit 1982 shënon një nga momentet më të rënda në historinë e veprimtarisë politike shqiptare në mërgim. Po atë natë, në Gjermani u vranë Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla. Por, sipas rrëfimit të Saime Isufit, kjo nuk ishte vetëm një tragjedi: ajo natë lidhej edhe me një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për bashkimin e organizatave ilegale shqiptare.
Isufi, e cila ka folur në emisionin “Dosje” në RTV Dukagjini, në bisedë me moderatori Ermal Panduri (në emisionin “Dosje” te “Debat Plus”), ka ndalur te raportet mes Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla. Ajo ka treguar se, përmes lidhjeve dhe bashkëpunimit që kishin ndërtuar, këto figura punonin paralelisht për organizim politik dhe për organizimin e veprimtarive në Evropë. Në vlerësimin e saj, marrëdhëniet mes Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës ishin shumë të afërta, duke shkuar përtej një bashkëpunimi të zakonshëm.
Saime Isufi ka shpjeguar se për veprimtarinë e Jusuf Gërvallës kishte dëgjuar edhe kur ishte studente në Prishtinë. Ajo tha se në vitin 1979, kur Jusuf Gërvalla u largua nga Kosova, mes studentëve flitej për largimin e një poeti dhe gazetari të njohur. Isufi u shpreh se kishte dëgjuar se ai nxirrte “Lajmëtarin e Lirisë”, duke shtuar se nuk kishte njohuri të tjera në atë kohë. Më vonë, ajo tha se kishte mësuar më shumë kur shkoi në Zvicër, ku pa nga afër kontaktet dhe mënyrën e bashkëpunimit të tij me Kadri Zekën.
Një pjesë e rrëfimit të Isufit lidhet drejtpërdrejt me takimet personale. Ajo ka pohuar se i ka takuar vetë Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën dhe se bashkë me Kadri Zekën kishin udhëtuar në Gjermani për të marrë pjesë në një organizim kushtuar 28 Nëntorit. Sipas saj, në atë aktivitet kishin qenë mbledhur bashkëatdhetarë, ku kanë mbajtur fjalime Kadriu dhe Jusufi. Në të njëjtën ngjarje, bashkëatdhetarët u janë drejtuar me pyetje, ndërsa ata u kanë dhënë përgjigje.
Isufi ka përshkruar edhe takimin e parë me Kadri Zekën: sipas saj, Kadri Zeka kishte ardhur me biçikletë. Në të njëjtën natë, ajo dhe të tjerët kishin bërë betimin për atdheun. Kur Panduri e pyeti për raportet mes Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Isufi u përgjigj se ato kishin qenë jashtëzakonisht të afërta, “më shumë se vëllazërore”. Më tej, ajo tha se bashkëpunimi ishte intensifikuar sidomos pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, ku Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe veprimtarë të tjerë kishin punuar së bashku për organizimin e demonstratave të mërgatës shqiptare në Evropë.
17 janari 1982 lidhet edhe me bashkimin e organizatave ilegale
Isufi ka veçuar një moment të veçantë: 11 prilli 1981, kur në Bernë të Zvicrës u organizua një demonstratë me bashkëatdhetarët shqiptarë. Ajo ka deklaruar se “Hapin për t’i bërë demonstratat e ’81-ës e ka bërë Kadri Zeka”. Në organizim dhe vendimmarrje, sipas saj, kishin bashkëpunuar edhe Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi. Gjatë vitit 1981, në Evropë ishin organizuar, sipas rrëfimit të saj, dhjetë demonstrata në mbështetje të kërkesave të shqiptarëve në Kosovë.
Në këtë kontekst, Isufi ka folur edhe për tezat e “Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, të cilat, sipas saj, ishin hartuar në maj të vitit 1981. Ajo tha se dokumenti ishte konceptuar si një platformë që synonte afrimin dhe bashkimin e organizatave që vepronin në ilegalitet. Kur shpërthyen demonstratat e pranverës së vitit ’81, shumë veprimtarë dhe organizata dolën në shesh dhe kërkonin njëri-tjetrin, për të gjetur një rrugë të përbashkët. “Erdhi koha e një platforme të përbashkët për t’u bashkuar organizatat”, tha Isufi.
Sipas rrëfimit të saj, platforma ishte hartuar nga Komiteti Drejtues i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK). Në hartimin e saj, ajo ka theksuar rolin e Kadri Zekës dhe Mehmet Hajrizi-t, si pjesëtarë të këtij komiteti, duke sqaruar se Kadri Zeka ishte hartues. Tezat më pas, sipas Isufit, iu dërguan Zvicrës dhe u përdorën nga Kadri Zeka në përpjekjet për bashkimin e organizatave. Kur u pyet nëse Jusuf Gërvalla e kishte pranuar këtë platformë, Isufi u përgjigj se po, duke shpjeguar se mes tyre bashkëpunimi praktik ekzistonte dhe kishte mbetur të formalizohej edhe në formë të shkruar. Ajo tha se “vetëm formaliteti i bashkimit me shkrim ka qenë në pyetje”, ndërsa theksoi se në thelb “ata ishin të bashkuar”.
Në përfundim, Isufi e lidh direkt këtë proces me datën kyçe. Ajo ka deklaruar se pikërisht më 17 janar 1982 kishte ndodhur bashkimi i organizatave: “Dhe më 17 janar 1982, atë natë, ka ndodhur bashkimi i organizatave”, tha ajo. Kur Panduri e pyeti nëse kjo nënkuptonte se bashkimi ndodhi po atë natë kur u vranë Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla, Isufi u përgjigj “Po, po”. Më pas, ajo foli edhe për strukturën e OMLK-së, duke theksuar se organizata kishte vepruar për një periudhë të gjatë në ilegalitet dhe se kishte krijuar celula edhe në Perëndim, ndërsa ndryshimet e emrit gjatë viteve ishin përdorur edhe si taktikë për t’iu shmangur përndjekjes nga organet jugosllave.
Botuar fillimisht në Telegrafi
