Trump: SHBA do të godasë urat e termocentralet në Iran

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është zotuar se do të godasë infrastrukturën iraniane sa herë që Teherani sulmon anije në Ngushticën e Hormuzit. Në një postim në rrjetin Truth Social, ai deklaroi se nga ai moment, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe do të shkatërrojnë një urë ose një termocentral në Iran, pavarësisht nga mënyra e sulmit.

Trump theksoi se objektivi i SHBA-së do të jetë në çdo rast: “sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, predhë, dron apo me çfarëdo pajisjeje ose arme tjetër”. Sipas deklarimit të tij, kjo qasje lidhet drejtpërdrejt me tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme për transportin detar të energjisë.

Kërcënimi i Trump vjen në një kontekst më të gjerë të përshkallëzimit të rrezikut për furnizimet globale me naftë. Paralelisht, forcat përfaqësuese të Iranit në Jemen, huthët, kanë kërcënuar me sulme ndaj një rruge tjetër jetike për transportin e naftës botërore. Pikërisht kjo ka ndikuar në vendimet e transportuesve, duke i orientuar drejt alternativave për të shmangur zona të rrezikshme.

Meremërcën, pesë cisterna nafte ndryshuan kurs në Detin e Kuq për të shmangur Ngushticën Bab el-Mandeb, një ditë pasi kërcënimi i huthëve për të bllokuar eksportet saudite të naftës nxori në pah një rrezik të ri për furnizimet globale. Tri cisterna të ngarkuara me naftë saudite, të destinuara për Kinën dhe Indinë, u kthyen mbrapsht të martën, ndërsa në përpjekje për të ruajtur rrjedhën e transportit u përdorën rrugë të tjera.

SHBA premton goditje: urë ose termocentral sa herë sulmohet Ngushtica

Në përgjigje të kërcënimit të Trumpit, një zyrtar i lartë iranian doli me një paralajmërim më 22 korrik. Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor në bisedimet për armëpushim, shkroi në rrjetin X se “asnjë infrastrukturë nuk do të jetë e sigurt” nëse Shtetet e Bashkuara zbatojnë kërcënimin për t’i goditur urat dhe termocentralet iraniane si përgjigje ndaj sulmeve në Ngushticën e Hormuzit.

Qalibaf shtoi se siguria në Ngushticën e Hormuzit mund të rikthehet vetëm “në mungesë të forcave amerikane”. Ai paralajmëroi gjithashtu se “situata në ngushticë nuk do të kthehet më në gjendjen që ishte para luftës”. Në sfondin e këtyre tensioneve, bllokada pothuajse e plotë e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka ndikuar edhe në tregjet globale, duke nxitur rritjen e inflacionit. Ndërkohë, rreziku i ri për transportin detar nga huthët, të cilët kontrollojnë zona pranë Ngushticës Bab el-Mandeb, i çoi çmimet e naftës pranë nivelit më të lartë në gati gjashtë javë.

Pas përpjekjeve për të shmangur Ngushticën Bab el-Mandeb, miliona fuçi nafte saudite në ditë janë transportuar drejt portit Yanbu të Arabisë Saudite në Detin e Kuq. Kur dërgesat nuk mund të kalojnë përmes Ngushticës jugore Bab el-Mandeb në Detin e Kuq, ato kanë vetëm rrugën veriore përmes Kanalit të Suezit. Kjo e zgjat udhëtimin me javë të tëra dhe rrit ndjeshëm kostot e transportit dhe të transitit.

Përshkallëzimi po shoqërohet edhe me zhvillime ushtarake. Sulmet amerikane janë zgjeruar ditët e fundit nga jugu drejt zonave perëndimore dhe qendrore të Iranit. Në anën tjetër, Irani ka goditur këtë javë impiante jetike të desalinizimit të ujit dhe objekte energjetike në Kuvajt, si dhe ka shënjestruar asete ushtarake amerikane atje, në Bahrejn dhe në Jordani. Nata e 11-të radhazi e bombardimeve amerikane ndaj Iranit u shoqërua me raporte për shpërthime në orët e para të së mërkurës në Teheran, të shkaktuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Fars.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat iraniane, tri lokacione në provincën Bushehr u goditën, përfshirë një nënstacion elektrik pranë centralit të vetëm bërthamor të vendit. U përmendën edhe goditje në qarkun Kabudarahang, në provincën qendrore Hamadan, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ushtria iraniane tha se kishte goditur objektet e akomodimit dhe magazinimit në bazën ajrore amerikane Al Azraq në Jordani, depot dhe hangarët e mirëmbajtjes së avionëve në bazën ajrore Sheikh Isa në Bahrein, si dhe Kampin Doha në Kuvajt. Jordania, Kuvajti dhe Bahrejni thanë se i kishin zmbrapsur sulmet iraniane.

Ndërkohë, një zyrtar i Ministrisë iraniane të Shëndetësisë deklaroi se që nga fundi i muajit të kaluar janë vrarë 53 civilë dhe janë plagosur 592 të tjerë. Në këtë anë, ushtria amerikane ka deklaruar se nuk shënjestron kurrë civilë. Lufta ka çuar edhe në humbje mes forcave ushtarake: 18 ushtarakë amerikanë kanë humbur jetën dhe janë plagosur më shumë se 450 persona. Trump mori pjesë të mërkurën në një ceremoni në Bazën Ajrore Dover në Delauerë për katër ushtarakë amerikanë të vrarë në sulmet iraniane ndaj bazave ushtarake gjatë ditëve të fundit—tre në Jordani dhe një në Irak.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet diplomatike po mbahen nën vëzhgim. Irani ka këmbëngulur të ruajë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, që e vendosi gjatë kësaj lufte, e cila filloi me bombardimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh se lejimi i Iranit për një kontroll të tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për botën, përfshirë Azinë Juglindore.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version