Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nominuar Mikhail Bogachekun për ambasador të ri amerikan në Kosovë. Emri i tij i është dërguar Senatit për shqyrtim dhe konfirmim, në kuadër të një liste më të gjerë emërimesh presidenciale të përcjella nga administrata amerikane.
Lajmi u bë publik përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë më 10 nëntor. Nominimi vjen si një hap i radhës në procesin diplomatik të SHBA-së në Kosovë, ku pritet vlerësimi i Senatit për të vendosur mbi konfirmimin e kandidatit.
Në rast se Senati e konfirmon, Bogachek do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. Aktualisht, misioni diplomatik udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, e cila ka vijuar funksionet e përditshme deri në finalizimin e procedurave për emërimin e ambasadorit të ri.
Ambasadori i fundit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e mbylli mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024. Pas përfundimit të atij mandati, misioni ka kaluar në fazën e drejtimit të përkohshëm nga Anu Prattipati, ndërsa SHBA ka nisur procedurat për emërimin e pasardhësit.
Një profil i ri për diplomacinë amerikane në Kosovë
Mikhail Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS). Në këtë rol, ai mbikëqyr operacionet administrative të organizatës, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative. Përvoja e tij në menaxhim dhe teknologji përshkruhet në biografinë e publikuar nga vetë organizata.
Sipas biografisë, ai ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional. Më herët, Bogachek ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA. Po ashtu, ai ka themeluar kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe PharmaLife, që operon në fushën e teknologjisë farmaceutike.
Arsimimi i tij përfshin diplomimin në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias, ndërsa ka edhe doktoraturë në Bioinxhinieri. Përveç kësaj, ai ka përfunduar edhe një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit. Në biografinë e tij theksohet se ai flet rrjedhshëm rusisht, ukrainisht dhe hebraisht.
Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet Kosovë–SHBA janë përballur me sfida. Një nga faktorët kryesorë përmendet pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025. Administrata amerikane e kishte lidhur këtë vendim me shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë, si dhe me kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se këto zhvillime kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.
Trump, ndërkohë, ka nominuar ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Senati amerikan e ka konfirmuar Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa nominimet për tri vendet e tjera janë ende në pritje të konfirmimit. Njoftimi zyrtar për nominimin për Kosovën është publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë me titullin “Nominations and Withdrawals Sent to the Senate – November 9, 2026”.
Botuar fillimisht në Telegrafi
