Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë njoftuar se është mbyllur faza e paraqitjes së provave në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Ky proces zhvillohet për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.
Sipas njoftimit të publikuar nga Specialja, gjykatësi i vetëm, Christopher Cosnell, ka lëshuar një urdhër ku ka deklaruar të mbyllur fazën e paraqitjes së provave. Në të njëjtin vendim, ai ka konfirmuar edhe datat për dosjet përfundimtare dhe për seancat ku do të mbahen fjalët përfundimtare.
Datat kyçe për dosjet dhe deklarimet përmbyllëse
Brenda kalendarit të përcaktuar nga gjykata, 24 gushti 2026 është caktuar si afat për dosjet gjyqësore përfundimtare, nëse ato paraqiten. Për dosjet e kundërpërgjigjeve, në të njëjtën logjikë, si datë është caktuar 4 shtatori 2026, gjithashtu në rast se palët i paraqesin ato.
Ndërsa pjesa e deklaratave përmbyllëse është planifikuar për muajin shtator 2026. Konkretisht, 10, 11 dhe 14 shtatori 2026 janë caktuar si datat kur do të mbahen deklaratat përmbyllëse. Pas mbylljes së fazës së provave, këto seanca shënojnë vijimin procedural deri në përmbylljen e shqyrtimit të çështjes.
Në seancën fillestare, më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë. Po atë ditë, nisi edhe dëshmia e dëshmitarit të parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte nën masa mbrojtëse. Dëshmia e tij u mbyll më 2 mars 2026.
Më pas, më 3 dhe 4 mars 2026, dëshmoi dëshmitari i dytë, Koen Herlaar, ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po në vijim të afatit të caktuar, më 4 mars nisi dëshmia e dëshmitarit të tretë, Chrisopher Kelly, hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.
Për palën mbrojtëse, si dëshmitare e Thaçit, u angazhua ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi gjatë periudhës 11 dhe 12 maj 2026. Në këtë mënyrë, shqyrtimi i provave dhe dëshmive u mbyll në përputhje me rendin dhe kalendarin e përcaktuar nga gjykata.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte dhe, më 2024, i është ngritur edhe aktakuza për administrim të drejtësisë. Për rastin që lidhet me këtë akuzë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK më 6 dhjetor 2024, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërkaq, Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024.
Sa i përket Hajredin Kuçit, atij iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor. Gjithashtu, sipas aktakuzës, Hashim Thaçi, individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet, përfshirë Grupi Fazliu (Fadil Fazliu…), është përfshirë në akuza që lidhen me administrimin e drejtësisë.
Botuar fillimisht në Koha.net
