Jo çdo mik ka të njëjtin peshë në jetën tuaj. Disa njohje mund të jenë të këndshme dhe të dobishme për momente të caktuara, ndërsa të tjerat bëhen mbështetje reale kur përballeni me stres, vështirësi apo dilema personale. Pikërisht mbi këtë ide mbështetet një koncept që ka fituar popullaritet në rrjetet sociale: “teoria e shtatë miqve”.
Sipas këtij modeli, rrethi ideal shoqëror nuk duhet të mbështetet te një person i vetëm që të plotësojë çdo nevojë emocionale. Përkundrazi, teoria propozon që jeta jonë të ketë lidhje me lloje të ndryshme miqsh, secili me një rol të veçantë. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: a është vërtet e nevojshme të keni shtatë miq të ngushtë për të qenë të lumtur? Dhe çfarë ndodh nëse keni vetëm një ose dy njerëz tek të cilët mbështeteni kur keni nevojë?
Çfarë është “teoria e shtatë miqve”? Është një koncept që qarkullon kryesisht në rrjetet sociale dhe nuk paraqitet si model i vërtetuar shkencërisht. Ideja kryesore është që të mos i ngarkojmë të gjitha pritshmëritë emocionale mbi një individ të vetëm. Miqësi të ndryshme mund të na japin mbështetje, siguri, argëtim dhe mirëkuptim në mënyra të ndryshme, duke e bërë marrëdhënien shoqërore më të balancuar.
Një rreth miqsh me role të ndryshme, jo një person i vetëm
Teoria i përshkruan shtatë lloje miqsh: i pari është “miku i fëmijërisë”, ai që ju njeh prej vitesh, i di historitë tuaja dhe ka qenë dëshmitar i ndryshimeve që keni kaluar. Ky është personi me të cilin ndani kujtime që askush tjetër nuk mund t’i kuptojë njësoj.
Lloji i dytë është “miku që ju bën gjithmonë të qeshni”. Kur jeni të stresuar ose të mërzitur, prania e tij sjell lehtësi dhe humor, duke e bërë më të lehtë përballimin e ditëve të vështira. Pas tij vjen “miku me të cilin mund të mos flisni për muaj të tërë”: këtu nuk kërkohet komunikim i përditshëm për ta ruajtur lidhjen, sepse biseda vazhdon sikur të ishit parë dje.
Në listë hyn edhe “miku të cilit mund t’i tregoni gjithçka”. Ky person është ai që i besoni sekretet, shqetësimet dhe mendimet më personale, duke ju dëgjuar pa ju gjykuar dhe duke ju dhënë ndjenjën e sigurisë emocionale. Një tjetër rol është “miku që është bërë pjesë e familjes”, ku marrëdhënia shkon përtej shoqërisë së zakonshme: ai është i pranishëm në momentet e rëndësishme dhe ndihet si anëtar i familjes.
Shtatëshi plotësohet me dy figura të tjera. I gjashti është “miku pa të cilin nuk e imagjinoni jetën”: një person i pazëvendësueshëm në zemrën tuaj, me të cilin keni ndarë përvoja, vendime dhe kujtime të rëndësishme. Kurse i shtati është “miku që dëgjon problemet tuaja të dashurisë”, ai me të cilin diskutoni marrëdhëniet romantike, zhgënjimet dhe dilemat sentimentale; megjithatë, sipas idesë së teorisë, kjo miqësi duhet të jetë e ndërsjellë, që njëri të mos mbajë vazhdimisht barrën emocionale të tjetrit.
Pse miqësitë kanë kaq rëndësi për shëndetin mendor? Marrëdhëniet shoqërore cilësore ndikojnë pozitivisht në mirëqenien emocionale, ndjenjën e përkatësisë dhe kënaqësinë me jetën. Në këtë kontekst, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thekson se lidhjet shoqërore janë të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien, ndërsa vetmia dhe izolimi shoqëror lidhen me rreziqe të shumta për shëndetin fizik dhe mendor.
Por krijimi dhe ruajtja e miqësive në moshën e rritur nuk është gjithmonë e lehtë. Puna, familja, përgjegjësitë dhe largësia shpesh e kufizojnë kohën për shoqëri. Nëse doni ta zgjeroni rrethin shoqëror, një ide praktike është të filloni me aktivitete që ju pëlqejnë, të angazhoheni në komunitet dhe të krijoni mundësi për të njohur njerëz me interesa të përbashkëta. Gjithsesi, fokusi duhet të jetë te ndërtimi i marrëdhënieve ku ka respekt, besim dhe mbështetje të ndërsjellë.
A ju duhen patjetër shtatë miq? Jo domosdoshmërisht. Numri shtatë është pjesë e një trendi në rrjetet sociale, jo një kusht shkencor për lumturinë. Një person mund të mbulojë disa nga rolet, ndërsa dikush tjetër mund të ndihet plotësisht i përmbushur edhe me dy ose tre miq të ngushtë. Në fund, rëndësi nuk ka sa njerëz keni në listën e kontakteve, por sa prej tyre janë vërtet pranë jush kur keni nevojë. Sepse miqësia e vërtetë nuk matet me numra, por me besimin, mirëkuptimin dhe praninë që i jep kuptim jetës.
Botuar fillimisht në Telegrafi






