Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se në javët në vijim mund të shfaqen më shumë raste të hantavirusit. Gjatë një konference për shtyp në Madrid, ai tha se aktualisht nuk ka “shenja” që një pandemi të jetë në prag, duke iu referuar identifikimit të rasteve pasagjerësh me sëmundje të transmetuar nga brejtësit në një anije turistike.
Ghebreyesus theksoi se rastet e sëmundjes u vunë re në bordin e anijes turistike MV Hondius, muajin e kaluar, ndërsa ajo lundronte në Oqeanin Atlantik. Sipas tij, zhvillimet mund të ndryshojnë, pasi sëmundja ka një periudhë të gjatë inkubacioni, çka rrit mundësinë që të shfaqen më shumë të prekur në vijim.
Në anije janë evidentuar viktima nga kjo sëmundje e rrallë, por fatale: tre persona të cilët ndodheshin në MV Hondius kanë vdekur. Operatorit turistik Oceania Expeditions tha të hënën se të paktën 85 mysafirë dhe 35 anëtarë të ekuipazhit janë evakuuar nga anija. Po ashtu, u raportua se të paktën tetë persona të tjerë kanë qenë sëmurë ose kanë rezultuar pozitivë për hantavirus.
Midis të prekurve ka një shtetas amerikan dhe një grua franceze 65-vjeç, të cilët rezultuan pozitivë pas evakuimit. Në të njëjtën kohë, Ghebreyesus vuri në dukje se 150 persona në bordin e anijes po përballeshin me “një situatë shumë të frikshme”, ndërsa autoritetet dhe ekipet përkatëse po vijonin trajtimin dhe masat e nevojshme për të kufizuar përhapjen.
Periudha e inkubacionit rrit gjasat për raste të reja
Gjatë konferencës, kur u pyet nëse ekziston një vaksinë për hantavirusin, Ghebreyesus u përqendrua te situata humanitare e pasagjerëve. Ai tha se disa prej tyre po përballeshin me krizë mendore dhe theksoi se “ata kanë të drejtë të trajtohen me dinjitet dhe dhembshuri”. Në vijim, ai iu referua edhe thirrjeve që qarkulluan nga persona të ndryshëm, të cilët kërkonin që pasagjerët të qëndronin në anije deri në përfundim të periudhës së plotë të karantinës.
Shefi i OBSH-së shpjegoi se qasja e organizatës ka qenë tjetër: “Pikëpamja jonë ishte se kjo do të kishte qenë çnjerëzore dhe e panevojshme”. Po ashtu, ai sqaroi për kthimin e pasagjerëve, të cilët u rikthyen me aeroplan nga Tenerife, në Ishujt Kanarie të Spanjës, në vendet e tyre të lindjes të dielën dhe të hënën. Ghebreyesus pranoi se banorët e Tenerife-s kishin shfaqur shqetësim për pasagjerët dhe për anijen që do të zbarkonte në ishull.
Ai shtoi se autoritetet i kishin komunikuar publikisht se rreziku ishte i ulët si për njerëzit e Tenerife-s ashtu edhe në nivel global, dhe se të gjitha përpjekjet gjatë javës së kaluar kanë pasur synim mbajtjen e këtij niveli rreziku të ulët. Sipas tij, megjithatë, kjo mbetet “një situatë serioze” që është trajtuar dhe po trajtohet me kujdes të veçantë.
Në përmbyllje, Ghebreyesus vlerësoi Spanjën për “dhembshurinë dhe solidaritetin” që i ka treguar pushuesve. Ai u bëri thirrje edhe qeverive të tjera të veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke garantuar që pasagjerët të karantinohen për të paktën 42 ditë. Kjo, sipas tij, lidhet me nevojën për të menaxhuar situatën në mënyrë të kontrolluar, duke pasur parasysh veçoritë e sëmundjes dhe kohëzgjatjen e inkubacionit.
Botuar fillimisht në Telegrafi






