Shqipëria ka arritur të sigurojë mbi 213 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, duke u renditur si një nga vendet me performancën më të mirë në realizimin e reformave të lidhura me këtë paketë. Gjatë diskutimeve në Bruksel për zbatimin e planit, drejtori për zgjerimin në BE, Gert Jan Koopman, bëri të ditur se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shfrytëzuar deri më tani një pjesë të konsiderueshme të fondeve, por jo të plotë.
Koopman theksoi se shtetet ballkanike kanë përdorur vetëm 673.6 milionë euro nga paketa totale financiare prej 6 miliardë eurosh për këtë rajon. Në këtë kontekst, Shqipëria del si performuesja më e mirë, pasi ka siguruar mbi 212.8 milionë euro nga rreth 922 milionë euro të planifikuara në total për vendin, si pjesë e zbatimit të reformave.
Shifra të tjera të përfitimeve tregojnë dallime mes vendeve. Maqedonia e Veriut ka përfituar tashmë 142.1 milionë euro, ndërsa Serbia 167.5 milionë euro. Mali i Zi ka marrë 91.2 milionë euro, ndërsa Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i BE-së vuri në pah edhe ecurinë e reformave sipas shkallës së zbatimit. Koopman tha se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë arritur një shkallë zbatimi prej afro 90% të reformave të kërkuara nga Plani i Rritjes. Ai e lidh këtë rezultat me përparimin e këtyre vendeve në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më tej, Koopman sqaroi se Maqedonia e Veriut ka përparuar me hapa të shpejtë dhe se, sipas vlerësimeve të tyre, pritet të kalojë shifrën 50%. Për Serbinë, u tha se është arritur një shkallë zbatimi prej rreth 42%. Ndërkaq, për Kosovën u theksua se ajo e ka ratifikuar kornizën e nevojshme ligjore vetëm në pranverën e këtij viti, duke ndikuar në ritmin e zbatimit. Për Bosnjë-Hercegovinën u ngrit edhe një shqetësim: ekziston rreziku real i humbjes së rreth 300 milionë eurove.
Shkalla e zbatimit dhe kushtëzimi i fondeve mbeten vendimtare
Në diskutim u fol edhe për mundësinë e ofrimit të fondeve shtesë për vendet kryesuese. Brukseli po vlerëson të japë një fond shtesë për tre shtetet që kryesojnë, konkretisht Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si nxitje për reformën dhe në këmbim të reformave shtesë. Koopman bëri të qartë se “asgjë nuk është falas” dhe se vendimet lidhen drejtpërdrejt me progresin e reformave.
Ai nënvizoi se shtetet kandidate duhet të vijojnë zbatimin e reformave thelbësore, sidomos në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, nëse reformat nuk realizohen brenda kësaj periudhe, fondet mund t’u rialokohen shteteve të tjera më të suksesshme. Disbursimi i fondeve, po ashtu, do të vijojë të jetë i kushtëzuar nga përmbushja e reformave të integrimit, ndërsa për Serbinë lidhet edhe me përparimin në dialogun me Kosovën.
Plani i Rritjes synon që Bashkimi Evropian të dyfishojë ekonomitë e shteteve ballkanike gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Për këtë qëllim, vlerësimet e Brukselit dhe ritmi i zbatimit të reformave do të ndikojnë drejtpërdrejt në shumat që vendet do të marrin, në mënyrë që rezultatet të përkthehen në më shumë fonde dhe më shumë përparim në rrugëtimin drejt BE-së.
Botuar fillimisht në Telegrafi
