Uruguai është një vend i vogël, me vetëm 3.3 milionë banorë, më pak njerëz se shumë qytete evropiane. Ekonomia e tij është gjithashtu shumë më e vogël se ajo e fqinjëve të mëdhenj, Brazilit dhe Argjentinës. Megjithatë, kur vjen puna te futbolli, kjo logjikë duket se prishet vazhdimisht. Përkundër madhësisë së ulët demografike dhe potencialit ekonomik, Uruguai vazhdon të sfidojë pritshmëritë dhe të prodhojë emra që mbeten në histori.
Figura e këtij fenomeni ndërtohet me fakte konkrete: dy Kupa Bote, 15 trofe të Copa Americas dhe një numër i madh futbollistësh që kanë lënë gjurmë në klubet më të mëdha evropiane. Nga Diego Forlan dhe Alvaro Recoba te Luis Suarez, Edinson Cavani, Diego Godin, Darwin Nunez dhe Federico Valverde, lista e talenteve uruguaiane duket e pafund. Por çfarë e shpjegon këtë qëndrueshmëri? Pjesa më e madhe e përgjigjes lidhet me mënyrën si ndërtohet futbolli që në moshat e hershme dhe me strukturat që mbajnë të ndezur zinxhirin e zbulimit të talentit.
Gjithçka nis me “Baby Futbol”, një sistem i njohur që funksionon që nga viti 1968. Në Uruguai futbolli hyn në jetën e fëmijëve pothuajse sapo mësojnë të ecin, pasi kampionatet për të rinjtë janë kthyer në pjesë të përditshmërisë. “Baby Futbol” krijon një rrjet të gjerë garash për fëmijë nga 6 deri në 13 vjeç, duke u dhënë mundësi qindra skuadrave të punojnë çdo sezon. Sot, ky sistem përfshin mbi 86 mijë djem dhe vajza në të gjithë vendin, duke e bërë pjesëmarrjen në futboll masive dhe të shpërndarë në teritor.
Baby Futbol, skautimi dhe kultura që prodhojnë yje
Në shumë zona të Uruguait mund të mos ketë institucione publike të rëndësishme, por pothuajse gjithmonë ekziston një ekip futbolli për fëmijë. Ndeshjet e të rinjve ndiqen me pasion nga familjarët dhe komuniteti lokal, ndërsa skautët e klubeve profesioniste janë vazhdimisht në kërkim të talenteve të reja. Në këto fusha është zbuluar edhe Federico Valverde, i cili më vonë kaloi te Penarol dhe prej andej u transferua te Real Madridi. Ky shembull tregon se sistemi nuk është thjesht “sport për fëmijë”, por një rrugë e organizuar nga baza drejt nivelit më të lartë.
Një tjetër avantazh lidhet me popullsinë e vogël. Në Brazil dhe Argjentinë, ku miliona fëmijë luajnë futboll, një pjesë e talenteve mund të humbë në turmë dhe të mos identifikohen kurrë. Në Uruguai, rrjeti i skautimit mbulon pjesën më të madhe të vendit dhe çdo lojtar premtues bie më shpejt në sy të klubeve profesioniste. Ekspertët e futbollit uruguaian shpesh theksojnë se në vend është më e vështirë të humbasësh një talent sesa ta zbuloosh atë, pikërisht për shkak të organizimit dhe mbulimit gjeografik.
Në këtë mes, dy klubet më të mëdha të vendit, Nacional dhe Penarol, luajnë rolin vendimtar në zhvillimin e futbollistëve. Mes tyre ka një rivalitet të ashpër për talentet më premtuese dhe shpesh ndodh që edhe lojtarët 12 ose 13-vjeçarë të jenë objekt i “betejave” mes dy akademive. Nacional fokusohet shumë te edukimi dhe zhvillimi personal: në akademinë e klubit ekziston një rregull i qartë, se nëse nuk ndjek shkollën, nuk luan futboll. Penaroli, nga ana tjetër, ka investuar fuqishëm në infrastrukturë, duke përfshirë qendra moderne stërvitore dhe akomodim për lojtarët që vijnë nga rajone të tjera të vendit. Së bashku, të dy klubet e kuptojnë se një pjesë e madhe e talenteve do të transferohen jashtë Uruguait, ndaj objektivi është t’i përgatisin sa më mirë për futbollin evropian.
Për shumë familje uruguaiane, futbolli nuk është vetëm sport; ai shihet si një mundësi reale për të dalë nga varfëria dhe për të ndryshuar jetën. Darwin Nunez është shembulli më i njohur: sulmuesi i Liverpoolit u rrit në kushte shumë të vështira ekonomike, madje familja e tij sakrifikonte shumë për ta mbështetur në rrugën drejt futbollit profesionist, në situata kur shpesh shkonte edhe në shtrat i uritur. Megjithatë, jo të gjithë ia dalin. Vetëm një përqindje e vogël e fëmijëve që kalojnë nëpër sistemin e “Baby Futbol” arrijnë të firmosin kontrata profesionale.
Përtej strukturave, ekziston edhe elementi që uruguaianët e lidhin me mentalitetin. Ky koncept njihet si “Garra Charrua”, që lidhet me karakterin luftarak, sakrificën, krenarinë dhe refuzimin për t’u dorëzuar pavarësisht vështirësive. Legjenda si Diego Forlan, Luis Suarez dhe Diego Godin kanë folur shpesh për këtë filozofi, duke e paraqitur si pjesë të identitetit kombëtar. Uruguai ka jetuar historikisht në hijen e Brazilit dhe Argjentinës, por pikërisht kjo e ka bërë më të fortë dhe më konkurrues. Në sukseset moderne ka luajtur rol të madh edhe trajneri Oscar Tabarez. Kur mori drejtimin e kombëtares në vitin 2006, ai ndërtoi një projekt afatgjatë që bashkoi ekipet e moshave me ekipin e parë dhe vendosi theks jo vetëm te futbolli, por edhe te edukimi, disiplinë dhe përgjegjësia që vjen me fanellën e kombëtares. Kjo çoi në formimin e një brezi të artë me lojtarë si Suarez, Cavani, Godin, Muslera dhe të tjerë, që e rikthyen Uruguain mes elitës së futbollit botëror.
Sot, Uruguai vazhdon të prodhojë futbollistë të nivelit më të lartë dhe të sfidojë kombëtare shumë më të mëdha. Pjesëmarrja masive e fëmijëve në futboll, rrjeti i gjerë i skautimit, puna e klubeve, kultura sportive dhe mentaliteti “Garra Charrua” krijojnë një formulë që pak vende në botë arrijnë ta kopjojnë. Kështu, kur shihen emra si Federico Valverde, Darwin Nunez apo Ronald Araujo në skenën më të madhe të futbollit botëror, kuptohet se pas tyre qëndron një sistem i ndërtuar hap pas hapi, që nga moshat e para dhe deri te standardet e elitës.
Botuar fillimisht në Telegrafi
