Rënie e madhe e pjesëmarrjes: ndikim te rezultatet në komuna

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit kanë sjellë një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime në raport me procesin e 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Të dhënat paraprake tregojnë se në zgjedhjet e fundit kanë votuar rreth 725 mijë qytetarë, ndërsa në votimin e mëparshëm ishin 906 mijë votues. Diferenca përkthehet në një rënie prej rreth 20 për qind, duke e bërë pjesëmarrjen një faktor të rëndësishëm që ndikoi edhe në mënyrën si u reflektuan rezultatet në terren.

Komunat ku rënia e pjesëmarrjes është shfaqur më fort janë Prizreni, Prishtina dhe Malisheva. Për këto njësi, tkurrja nuk është vetëm në përqindje, por edhe në numër absolut të votuesve që kanë dalë në votime. Në Prizren është regjistruar rënia më e madhe në numër, me 17.523 qytetarë më pak që votuan krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Në Prishtinë, numri i votuesve është ulur për 14.187, ndërsa në Malishevë rënia ka arritur në 11.370 votues.

Në aspektin përqindor, Malisheva ka kryesuar me rënien më të theksuar të pjesëmarrjes, prej 41.60 për qind. Më pas vjen Rahoveci, me 36.97 për qind më pak pjesëmarrje, ndërsa Mamusha ka shënuar rënie prej 33.20 për qind. Këto shifra tregojnë se ndryshimi i sjelljes së elektoratit nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha komunat, por ka goditur më fort disa qendra ku dalja në votime ka rënë ndjeshëm.

Rënia e pjesëmarrjes trondit balancën e votave në disa komuna kryesore

Rënia e pjesëmarrjes ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rezultatin e partive kryesore në komunat ku tkurrja ka qenë më e madhe. Në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje ka regjistruar 12.481 vota më pak. Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar rënie prej 3.530 votash, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pësuar ulje prej 432 votash. Në të njëjtën kohë, si e vetmja parti që ka shënuar rritje në këtë komunë del Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 568 vota më shumë.

Në Prishtinë, ndryshimet janë po ashtu të dukshme. Lëvizja Vetëvendosje ka humbur 11.536 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka rënë me 2.906 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar një ulje prej 582 votash. Përkundër kësaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë ka shënuar rritje me 941 vota, duke u dalluar nga partitë e tjera për rezultatet krahasuese në këtë komunë.

Edhe në Malishevë, rënia e pjesëmarrjes ka lënë gjurmë në votat e partive kryesore. Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja nga katër partitë kryesore që ka pësuar rënie, duke humbur 4.630 vota. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës është rritur për 1.379 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shtuar 352 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka rritur rezultatin për 321 vota.

Një pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor mbetet ende për t’u finalizuar me votat e diasporës. Votat e atyre qytetarëve që kanë votuar nga jashtë vendit, edhe pse pjesërisht janë regjistruar, ende nuk janë numëruar plotësisht dhe pritet të kenë peshë më të madhe në përcaktimin e institucioneve të reja të Kosovës. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 104 mijë e 480 votues ishin regjistruar për të votuar përmes postës. Po ashtu, në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën kanë votuar 22 mijë e 414 persona. Për të kuptuar numrin e saktë të votave nga jashtë vendit, ato duhet të verifikohen, proces që ka nisur pasditen e së martës.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se numri i votave që do të konfirmohen si të vlefshme mund të jetë mbi 100 mijë, çka do të kishte ndikim të dukshëm në rezultatin përfundimtar. Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thekson se këto vota pritet të jenë “tejet domethënëse” për ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 karrige. Ai shpjegon edhe një skenar të mundshëm duke iu referuar trendëve të vitit 2025, përkatësisht atyre të dhjetorit, ku, nëse Lëvizja Vetëvendosje do të performonte njëjtë, ky subjekt mund të arrinte deri në 53 mandate. Në atë skenar, rritja prej pesë mandatesh do të do të krijonte një shpërndarje të re, ku “në suaza normale” dy mandate do të shkonin për Partinë Demokratike të Kosovës, dy për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe një për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por kjo mbetet e kushtëzuar nga performanca reale e secilit subjekt.

Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, ku përfshihen vetëm votat e rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.95 për qind të votave dhe 48 mandate. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.14 për qind dhe 24 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 17.60 për qind të votave dhe 20 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7.16 për qind dhe tetë mandate. Ndryshimet përfundimtare, megjithatë, pritet të përcaktohen edhe nga verifikimi i votave të diasporës dhe numërimi i plotë i tyre, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen e mandateve për Kuvendin e ardhshëm./

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version