Ndersa njerëzimi po përgatitet të rikthehet në Hënë, kërkimet shkencore po i çojnë mendimet edhe më tej: drejt ndërtimit të habitateve të përhershme në Mars. Programi Artemis pritet të kthejë njerëzit në Hënë dhe të hapë rrugën për qëndrime më afatgjata atje gjatë viteve të ardhshme. Por paralelisht, komuniteti shkencor po punon për teknologji që një ditë mund të lejojnë ndërtimin e bazave njerëzore në Planetin e Kuq.
Në këtë drejtim, një ekip studiuesish nga Hong Kong University of Science and Technology (HKUST) ka zhvilluar një formulë të re për printimin 3D të strukturave të banimit në Mars. Qasja e tyre kombinon tre elemente kryesore: xhelatinën, një lloj maja të modifikuar dhe regoliti marsian, pra materialin shkëmbor që mbulon sipërfaqen e planetit. Studimi, i udhëhequr nga inxhinieri civil Jishen Qiu, është publikuar në revistën Chem Circularity.
Pjesa thelbësore e teknologjisë është përdorimi i regolitit marsian. Ky material përbëhet nga pluhur i imët, rërë, guralecë dhe fragmente shkëmbinjsh, duke ofruar masën dhe volumin e nevojshëm për ndërtimin e strukturave. Ideja është që materialet kryesore të mos kenë nevojë të transportohen nga Toka, por të shfrytëzohen burimet që ndodhen tashmë në Mars. Në përzierje, regolitit i shtohet një lloj i veçantë maja e modifikuar gjenetikisht, e pajisur me proteina ngjitëse të modeluara sipas substancës natyrore që përdorin midhjet për t’u ngjitur pas shkëmbinjve.
“Lidhësi” i përzierjes vjen nga xhelatina, e cila ka rol të dyfishtë: funksionon si lidhës për elementet e tjera dhe njëkohësisht shërben si lëndë ushqyese për majanë. Në këtë mënyrë, procesi i printimit nuk mbështetet vetëm në materiale të thata, por në një mekanizëm biologjik që ndihmon në formësimin dhe stabilizimin e strukturës. Studiuesit theksojnë gjithashtu se teknologjia i përdor në avantazh kushtet ekstreme të Marsit.
Printimi 3D me rregolit marsian mund të prodhojë materiale ndërtimi
Gjatë eksperimentit, ekipi ka provuar të shfrytëzojë klimën e ftohtë të Marsit si një tharëse natyrore me ngrirje. Kjo synon të ulë energjinë që nevojitet për përpunimin e materialit. Gjatë printimit 3D, janë përdorur temperatura të ulëta dhe presion atmosferik i reduktuar. Sipas përshkrimit të studimit, këto kushte ndihmojnë në procesin e sublimimit, ku akulli kalon direkt nga gjendja e ngurtë në avull. Si rezultat krijohet një shkumë e ngurtë dhe e lehtë, e cila mund të përdoret si material ndërtimi.
Testet në mjedise të simuluara marsiane kanë treguar se materiali i ri mund t’i rezistojë kompresimit në një nivel të krahasueshëm me betonin e lehtë. Për pasojë, studiuesit e shohin këtë formulë si potencialisht të përshtatshme për ndërtimin e strukturave shumëkatëshe dhe, njëkohësisht, si një zgjidhje që mund të jetë e riciklueshme. Megjithatë, pavarësisht rezultateve premtuese, teknologjia mbetet ende larg përdorimit real në Mars, sepse disa çështje kryesore duhen sqaruar.
Në qendër të shqetësimeve është mbijetesa dhe funksionimi i mikroorganizmaeve, përfshirë majanë e përdorur në proces, në kushtet ekstreme të Planetit të Kuq. Një problem tjetër lidhet me varësinë nga komponentët që, edhe nëse pjesa më e madhe e strukturës mund të prodhohet nga regoliti marsian, kërkojnë dërgim nga Toka. Edhe pse teknologjia përfshin organizma biologjikë për prodhimin e materialeve të ndërtimit, kjo ide nuk është krejt e re. Studiues nga Chalmers University of Technology në Suedi kanë zhvilluar më herët një hidrogel të përbërë nga maja dhe celulozë, me synimin për të prodhuar komponentë arkitekturorë të biodegradueshëm. Kjo tregon se si mbetjet nga industria ushqimore mund të shndërrohen në materiale me vlerë për një arkitekturë më rrethore—jo vetëm në Tokë, por potencialisht edhe gjatë misioneve hapësinore.
Në të njëjtën kohë, industria hapësinore po punon për printimin 3D në shkallë industriale, të aftë për ndërtimin e habitateve në Hënë dhe Mars. NASA ka investuar rreth 57.2 milionë dollarë në vitet e fundit në Project Olympus, një projekt që synon zhvillimin e infrastrukturës së përhershme në Hënë dhe Mars. Një shembull konkret i kësaj qasjeje është Mars Dune Alpha, një strukturë prej rreth 150 metrash katrorë, e krijuar përmes printimit 3D në Houston. NASA e ka përdorur këtë habitat në kuadër të misioneve analoge CHAPEA, ku kushtet e jetesës janë simuluar për të studiuar se si njerëzit mund të përballojnë një mision të gjatë në Mars.
Qëllimi i këtyre programeve është të testohen jo vetëm teknologjitë e ndërtimit, por edhe mënyrat se si njerëzit mund të jetojnë, punojnë dhe mbijetojnë për periudha të gjata larg Tokës. Nëse teknologjitë përparojnë, banesat e para njerëzore në Mars mund të mos ndërtohen me materiale të transportuara nga Toka. Ato mund të printohen drejtpërdrejt nga toka e Planetit të Kuq, duke përdorur burimet e Marsit për të ndërtuar bazat e para të njerëzimit në një botë tjetër.
Botuar fillimisht në Telegrafi
