Apple prezanton iPhone 18: ja çfarë ndryshon realisht

Apple ka prezantuar gjeneratën e re të iPhone-ve, me vëmendjen kryesore te iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe te iPhone Duo, modeli i parë i palosshëm i kompanisë. Gjatë prezantimit, prodhuesi theksoi disa risi në kamera, funksione të reja të inteligjencës artificiale dhe një dizajn të ri për iPhone 18. Por, një pjesë e madhe e këtyre veçorive nuk duket se janë “të panjohura” për tregun e telefonave, pasi prodhuesit Android i kanë përdorur disa prej tyre prej vitesh.

Një nga risitë kryesore të iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max lidhet me kamerën kryesore 48 megapikselë dhe me hapjen e ndryshueshme të lentes. Sipas prezantimit, përdoruesi mund ta ndryshojë hapjen manualisht, ndërsa sistemi mund ta përshtatë atë edhe automatikisht, në varësi të kushteve në të cilat bëhet fotografia. Kjo synon të përmirësojë rezultatet në situata të ndryshme ndriçimi dhe skenash fotografimi, duke e bërë kamerën më “fleksibile” se modelet e mëparshme.

Megjithatë, idenë e hapjes së ndryshueshme Apple nuk e ka shpikur. Samsung e kishte sjellë këtë qasje që në vitin 2018 me Galaxy S9 dhe S9+, të cilët kishin hapje mekanike që ndryshonte nga f/1.5 deri në f/2.4. Më pas, Huawei e çoi më tej këtë teknologji me Mate 50 Pro në vitin 2022, duke ofruar një gamë edhe më të gjerë, nga f/1.4 deri në f/4.0. Kjo do të thotë se, edhe pse Apple e vendos sërish në qendër të prezantimit, kjo veçori ka qenë e pranishme te konkurrentët për një kohë të gjatë.

Edhe te kontrollet manuale të kamerës, Apple tregoi elemente që i ka sjellë si risi gjatë këtij cikli, si shpejtësia e shkrepjes, balanca e të bardhës dhe parametra të tjerë. Por edhe këto opsione kanë ekzistuar prej kohësh te telefonat Android, ku përdoruesit kanë pasur mundësinë të menaxhojnë më drejtpërdrejt aspekte të fotografimit. Në praktikë, ideja e ofrimit të opsioneve të hollësishme për kamerën nuk është e re, edhe pse iPhone i ri i kushton tani një rol më të dukshëm kontrollit të përdoruesit.

iPhone Duo shënon hapin e parë të Apple drejt telefonit të palosshëm

Risia më e madhe e kompanisë, përtej kamerës, lidhet me iPhone Duo, telefoni i parë i palosshëm i Apple. Modeli hapet si libër dhe vjen me dy ekrane: një ekran të brendshëm 19.3 centimetra dhe një ekran të jashtëm 13.7 centimetra. Apple ka vendosur theks të veçantë te mënyra se si përdoruesi i kombinon aplikacionet, sidomos kur i përdor disa njëkohësisht, si dhe te përshtatja e iOS për t’i shfrytëzuar dimensionet e ekranit të madh. Ky fokus është shoqëruar me ide të qarta rreth produktivitetit dhe përvojës së përdorimit në formatin e palosshëm.

Edhe këtu, Apple nuk është kompania e parë që e ka sjellë këtë kategori. Samsung prezantoi Galaxy Foldin e parë në vitin 2019, ndërsa që nga ajo kohë tregu ka parë edhe modele të palosshme nga kompani të tjera si Huawei, Xiaomi, Honor dhe prodhues të tjerë. Pra, edhe pse iPhone Duo është “i pari” për Apple, tregu i palosshëm ka pasur zhvillim të vazhdueshëm prej vitesh, me më shumë se një gjeneratë produktesh në kategori të ngjashme.

Një element tjetër i përmendur në prezantim është kamera e përparme e vendosur nën ekran. Kjo qasje nuk është risí ekskluzive e Apple. ZTE e ka prezantuar në vitin 2020 Axon 20 5G, duke e kthyer kamerën nën ekran në një produkt komercial. Një vit më pas, Samsung e përdori këtë teknologji në Galaxy Z Fold3. Edhe për këtë arsye, Apple e sheh tani si pjesë të setit të saj të veçorive, por tregu e ka testuar dhe e ka përdorur më herët këtë qasje.

Në pjesën e funksioneve dixhitale, Apple solli gjithashtu alternativa të reja të inteligjencës artificiale përmes Apple Intelligence dhe Siri-t. Sipas prezantimit, iPhone mund të përdorë atë që shfaqet në ekran, ose atë që kamera po sheh, për të kuptuar më mirë kontekstin dhe për t’i dhënë përdoruesit ndihmë më të përshtatshme. Kështu, fokusi nuk është vetëm te hardueri i kamerës, por edhe te mënyra se si telefoni i interpreton situatat në kohë reale dhe si e shndërron atë informacion në sugjerime apo ndihmë konkrete.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version