Instagram ka njoftuar zyrtarisht një përditësim të ri që u jep përdoruesve më shumë kontroll mbi mënyrën se si duket profili i tyre. Ndryshimi lidhet drejtpërdrejt me postimet ku je i etiketuar (tagged) nga miqtë, bashkëpunëtorët ose faqet e tjera në platformë. Tani, këto postime mund t’i vendosësh direkt në rrjetën kryesore të profilit tënd, pra në “main profile grid”, pa pasur nevojë për ripublikim manual.
Derisa më parë fotot apo videot ku etiketohej një përdorues shfaqeshin automatikisht në një tab të veçantë të quajtur “Tagged Tab”, me opsionin e ri situata ndryshon. Në vend që përmbajtja e etiketuar të qëndrojë vetëm në një seksion të ndarë, Instagram lejon që ajo të promovohet që të dalë krah për krah me postimet e tua organike në rrjetën kryesore. Kjo i bën profilet më të personalizuara dhe i lejon përdoruesit të vendosin çfarë duan të tregojnë në mënyrë të dukshme.
Një nga pikat më të rëndësishme të përditësimit është se postimet nuk shtohen vetvetiu në rrjetën kryesore. Pra, pavarësisht se dikush të ka bërë tag në një postim, përmbajtja nuk shfaqet automatikisht në “main grid”. Është vetë përdoruesi ai që vendos nëse dëshiron ta marrë këtë postim të etiketuar dhe ta përfshijë mes përmbajtjeve të profilit të tij.
Kontrolli i postimeve të etiketuara: ti vendos çfarë shfaqet në “main grid”
Instagram e bën aktivizimin e këtij opsioni relativisht të thjeshtë. Përdoruesit mund ta ndezin funksionin nga njoftimi që marrin në DM kur dikush i bën tag, direkt nga menyja me tre pika në postimin e etiketuar, ose duke e mbajtur shtypur foton te rubrika e tag-ave. Kështu, platforma u ofron disa mënyra praktike për të menaxhuar përmbajtjen, pa e detyruar përdoruesin të ndjekë vetëm një rrugë të vetme.
Një tjetër element që Instagram e thekson është mungesa e “duplikateve”. Nëse një postim i etiketuar shtohet në grid-in tënd, ai nuk ripostohet nga ti dhe nuk krijon një kopje të re. Postimi origjinal mbetet aty ku është publikuar fillimisht, në profilin e autorit që e ka publikuar. Kjo ruan integritetin e postimeve dhe shmang situata ku i njëjti material shfaqet dy herë si publikim i ri.
Për më tepër, funksioni nuk të detyron të mbash përmbajtjen aty përgjithmonë. Nëse ndërron mendje, mund ta heqësh përmbajtjen nga rrjeta kryesore në çdo kohë, pa e fshirë tag-un dhe pa e prekur postimin origjinal. Pra, edhe kur e fut një postim në main profile grid për ta bërë më të dukshme, ekziston gjithmonë mundësia për ta kthyer mbrapsht atë shfaqje, pa ndryshuar materialin siç e ka publikuar dikush tjetër.
Ky përditësim e shndërron profilin e Instagram-it nga një arkiv thjesht kronologjik i përmbajtjeve personale në një hapësirë më të kuruar. Përmes opsionit për të marrë ose jo postime të etiketuara në rrjetën kryesore, përdoruesit mund të zgjedhin të shfaqin bashkëpunimet, kujtimet me miqtë apo momentet e rëndësishme, pa pasur nevojë t’i ripostojnë vetë. Me këtë, profili i mban përmbajtjet më të përshtatshme për mënyrën si e prezanton veten, duke ruajtur kontrollin mbi atë që shfaqet në pamjen e parë.
Botuar fillimisht në Bota Sot