Maqedonci: Presidenti të jetë konsensual

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njëkohësisht është deputet i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për mënyrën e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve dhe për pritshmëritë për rolin e presidentit. Ai ka theksuar se Kosovës i duhet president konsensual, me mbështetje nga spektri i gjerë politik.

Gjatë një interviste për KosovaPress, Maqedonci ka bërë të ditur se partia që ka fituar zgjedhjet tashmë ka siguruar numrat si për krijimin e qeverisë, ashtu edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, obligimi kryesor i LVV-së është që kuvendi të konstituohet dhe të votohet, në mënyrë që qeveria të funksionalizohet.

“Normalisht që detyrim, obligim kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i kuvendit dhe votimi, pra funksionalizimi i qeverisë, sepse si parti e parë e ka obligim kushtetues që të drejtojë… Po, numrat për qeverinë normalisht edhe për kryetarin e Kuvendit janë”, ka thënë ministri në detyrë.

Presidenti duhet të jetë konsensual

Kur u ndal te profili i kandidatit për president, Maqedonci ka thënë se presidenti duhet të jetë jopartiak. Ai ka argumentuar se roli i presidentit, i cili njëkohësisht është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, mund të ushtrohet edhe nga një person me karrierë ushtarake. Ministri në detyrë nuk ka përjashtuar që kandidati të vijë nga një profil i tillë, por ka nënvizuar se në radhë të parë rëndësi ka pranueshmëria dhe konsensusi politik.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë edhe nga kjo fushë(prapavijë ushtarake). Po unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të jetë konsensual, që të jetë i pranueshëm pra edhe të mos jetë pjesë e këtyre fërkimeve që i kemi të përditshme politike në mes të liderëve apo mund të themi zyrtarëve të partive politike”, u shpreh ai. Në këtë mënyrë, ai ka lidhur idenë e figurës së presidentit me nevojën për stabilitet dhe shmangie të përplasjeve të përditshme ndërmjet subjekteve politike.

Në intervistë, Maqedonci ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për pjesëmarrjen e saj në fund të qershorit në një ushtrim ndërkombëtar të organizuar nga Ushtria e Kroacisë. Ai ka thënë se në këtë aktivitet FSK-ja ka demonstruar aftësi në skenarë të ndryshëm, duke përfshirë operacione luftarake dhe qitje me municion të vërtetë.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka theksuar se pjesëmarrja e FSK-së nuk ka qenë thjesht demonstrative, por se njësitë kanë qenë operacionale në terren, kanë zhvilluar luftime dhe kanë realizuar qitje me armë e municione të vërteta. Ai ka shtuar se ka pasur edhe një ftesë personale për të qenë i pranishëm në kuadër të DV Day, Ditës së Vizitorëve të Shquar, ku është përcjellë nga afër integrimi i zjarrit. Maqedonci ka njoftuar se këtë ftesë e ka pranuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Anushiq.

Krahas bashkëpunimit me Shqipërinë, Kosova ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes edhe me Kroacinë. Maqedonci ka vënë në pah se aktivitetet ushtarake që zhvillohen brenda këtij bashkëpunimi kanë nxitur vazhdimisht reagimin e Serbisë, me të cilën të dyja shtetet kanë qenë në luftë gjatë viteve të ’90-a. Në kontekstin e këtyre ushtrimeve, raportimet e përsëritura të reagimeve nga Serbia i shtojnë rëndësi diskutimit për rolin e FSK-së dhe për bashkërendimin ndërkombëtar në sektorin e mbrojtjes.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version