Një kërcitje në momentin e dëmtimit, ënjtje, ose një ndjesi “lëshimi” në gju mund të sinjalizojë më shumë se një problem të zakonshëm. Lëndimet e ligamenteve të gjurit janë ndër dëmtimet më të shpeshta dhe njëkohësisht ndër më seriozet e sistemit muskulor-skeletor, veçanërisht te sportistët, por edhe te personat që bëjnë aktivitet fizik në mënyrë rekreative. Ndryshimet e papritura të drejtimit, rrëzimet ose goditjet e drejtpërdrejta janë ndër mekanizmat që mund të çojnë në dëmtim të strukturave që ruajnë stabilitetin e nyjës së gjurit.
Nëse nuk trajtohet siç duhet, lëndimi i ligamenteve mund të lërë pasoja të përhershme. Një ndër dëmtimet më të dhimbshme është lëndimi i ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL), i cili shpesh kërkon një periudhë të gjatë rikuperimi, pushim dhe ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve të përditshme. Në raste më të rënda, kur dëmi është i madhe dhe nyja humbet stabilitetin, nevojitet ndihmë e menjëhershme mjekësore dhe, në disa situata, edhe ndërhyrje kirurgjikale për të rikthyer funksionin e gjurit.
Gjuri është një nga nyjat më të ndërlikuara në trup dhe stabiliteti i tij varet nga katër ligamente kryesore. Ligamenti i kryqëzuar i përparmë (ACL) lidh kockën e kofshës me kërcirin dhe është ligamenti i gjurit që lëndohet më shpesh. Roli i tij kryesor është të pengojë lëvizjen e tepruar të kërcirit përpara dhe të sigurojë stabilitet gjatë lëvizjes. Ligamenti i kryqëzuar i pasmë (PCL) gjithashtu lidh kockën e kofshës me kërcirin, por dëmtohet dukshëm më rrallë. Zakonisht, dëmtimet e këtij ligamenti ndodhin pas traumave më serioze, si aksidentet e trafikut.
Dy ligamentet e tjera janë ato kolaterale: ligamenti kolateral lateral (LCL) ndodhet në anën e jashtme të gjurit dhe lidh kockën e kofshës me fibulën. Ai ka për detyrë të ruajë stabilitetin e gjurit gjatë lëvizjeve anësore. Ndërsa ligamenti kolateral medial (MCL) ndodhet në anën e brendshme të gjurit dhe lidh kockën e kofshës me kërcirin. Ky ligament shpesh dëmtohet gjatë lëvizjeve të papritura rrotulluese dhe gjatë aksidenteve që ndodhin në kuadër të aktivitetit sportiv.
Shenjat paralajmëruese përcaktojnë sa shpejt duhet kontrolli mjekësor
Për të kuptuar nëse bëhet fjalë për lëndim të ligamenteve, rëndësi kanë simptomat që shfaqen menjëherë pas traumës. Intensiteti i tyre varet nga shkalla e dëmtimit. Shenjat më të shpeshta përfshijnë dhimbje të papritur dhe intensive në gju, një tingull karakteristik kërcitjeje ose “këputjeje” në momentin e lëndimit, si dhe ënjtje që zhvillohet gjatë 24 orëve të para. Një tjetër tregues është ndjesia e paqëndrueshmërisë, ose “lëshimi” i gjurit, që mund ta bëjë nyjën të ndihet e paqëndrueshme gjatë ecjes.
Simptoma të tjera janë vështirësia në lëvizje ose pamundësia për të ecur pa dhimbje, si dhe zvogëlim i amplitudës së lëvizjes në nyje. Prania e këtyre shenjave tregon se duhet bërë kontroll sa më shpejt te mjeku, sepse vonesa në diagnostikim mund të çojë në dëmtime shtesë të nyjës. Diagnostikimi zakonisht nis me kontroll klinik dhe vijon me metoda radiologjike. Rëntgeni përdoret për të kontrolluar nëse ka fraktura të mundshme të kockave, ndërsa rezonanca magnetike (MRI) konsiderohet metoda më e besueshme për të vlerësuar shkallën e dëmtimit të ligamenteve, kërcit dhe strukturave të tjera të gjurit.
Trajtimi përcaktohet nga ashpërsia e lëndimit. Dëmtimet e lehta dhe të moderuara të disa ligamenteve shpesh mund të shërohen pa operacion, me rehabilitim të përshtatshëm. Specialistët zakonisht rekomandojnë pushim dhe shmangie të ngarkesës mbi gjurin e lënduar, përdorim të patericave gjatë periudhës së rikuperimit dhe vendosje të kompresave të ftohta për 20 deri në 30 minuta, disa herë në ditë. Po ashtu, këshillohet mbajtje e fashës elastike ose bandazhit kompresiv, mbajtje e këmbës në pozitë të ngritur për të ulur ënjtjen, si dhe përdorim i një ortoze ose mbajtëseje për stabilizimin e gjurit. Përveç këtyre, mund të përdoren barna antiinflamatore josteroide vetëm sipas rekomandimit të mjekut, ndërsa një pjesë e rëndësishme është terapia fizikale dhe ushtrimet e përshtatura individualisht.
Ushtrimet për shtrirje dhe forcim duhet të kryhen vetëm sipas rekomandimit të specialistit, pasi ngarkesa e hershme ose e tepruar mund ta ngadalësojë rikuperimin. Sa i përket ndërhyrjes kirurgjikale, lëndimet e ligamentit kolateral medial dhe lateral (MCL dhe LCL) në shumë raste mund të trajtohen në mënyrë konservative. Megjithatë, këputjet e plota të ligamenteve të kryqëzuara, sidomos të ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL), shpesh kërkojnë rindërtim kirurgjikal. Gjatë operacionit, kirurgu përdor graft të tendinit, më së shpeshti të marrë nga vetë pacienti, për të zëvendësuar ligamentin e dëmtuar. Procedurat e tilla konsiderohen të ndërlikuara dhe kërkojnë rikuperim të gjatë pas operacionit; trajtimi operativ zakonisht rekomandohet për personat me paqëndrueshmëri të theksuar të gjurit, dhimbje kronike ose për sportistët profesionistë që synojnë rikthimin në aktivitet të plotë fizik.
Botuar fillimisht në Telegrafi
