Për më shumë se tri dekada, politika Në Shqipëri, Kosovë dhe në hapësirën shqiptare Në Maqedoninë e Veriut ka ndërtuar një sistem që ka prodhuar një paradoks të dhimbshëm. Brezi më i arsimuar në historinë moderne shqiptare është bërë edhe brezi më i zhgënjyer i shqiptarëve. Të rinjtë kanë studiuar më shumë se prindërit e tyre, kanë akses më të madh në informacion dhe njohin më mirë standardet demokratike e ato perëndimore.
Megjithatë, në jetën e tyre të re dhe veprimtarinë e përditshme—qoftë në shkolla, në universitete apo në proceset që lidhen me punësimin dhe pjesëmarrjen qytetare—ata janë përballur me korrupsion, nepotizëm dhe mungesë meritokracie. Institucionet shtetërore, shpesh, kanë shërbyer më shumë për interesat e pushtetit dhe të klasës politike sesa për interesin e publikut shqiptar. Në këto kushte, premisa që kanë ndërtuar elitë të ndryshme ka qenë e thjeshtë: rinia ose do të heshtë, ose do të largohet nga trojet për një jetë më të mirë e më normale në shekullin XXI.
Në masë të madhe, ky skenar u materializua. Qindra mijëra të rinj shqiptarë zgjodhën emigrimin si “votën” e tyre më të fortë kundër një sistemi që nuk u ofronte shpresë dhe perspektivë për një të ardhme në tokën e të parëve. Në shumë raste, nuk nevojiten studime apo raporte të posaçme për ta kuptuar këtë. Mjafton të udhëtosh nëpër aeroportet e Evropës për të parë se ato janë kthyer në qendra të mëdha të protestës së heshtur shqiptare—të njerëzve që ikin sepse nuk e shohin të mundshme të ndërtojnë jetën e tyre këtu.
Rin ia e zgjuar po vë në pikëpyetje mënyrën si është ndërtuar pushteti
Por, në vitet e fundit, po shfaqen shenja që ky cikël mund të mos vazhdojë pafundësisht. Nga protestat studentore dhe lëvizjet qytetare, deri te angazhimi në mbrojtje të mjedisit, transparencës dhe të drejtave civile, duket se po formohet një brez që nuk kërkon vetëm rotacion pushteti. Ajo që po del në pah është një kërkesë më e gjerë: të vihet në pikëpyetje vetë mënyra se si është ndërtuar pushteti dhe si funksionojnë institucionet.
Kjo është arsyeja pse “zgjimi” i rinisë shihet si zhvillimi më i rëndësishëm politik në hapësirën shqiptare sot, por edhe brenda këtyre 35-vjet tranzicion të pafund. Frika më e madhe e establishmentit politik nuk lidhet me opozitën tradicionale. Opozitat, në përgjithësi, kanë qenë të integruara në lojën e zakonshme të pushtetit të radhës, me skenarë që duken të parashikueshëm. Në qendër të shqetësimit të klasës politike shqiptare është një brez që nuk ndihet i lidhur me “mitet” politike të viteve ’90, që nuk voton vetëm sipas besnikërive familjare apo partiake, dhe që kërkon llogari nga të gjithë—pa dallim ngjyrash politike.
Në Shqipëri, protestat kundër korrupsionit në çdo nivel të shoqërisë, për mbrojtjen e hapësirave publike, mjedisit dhe interesit komunitar kanë treguar se shumë të rinj nuk janë më të gatshëm të pranojnë vendime të marra pa konsultim. Edhe në Kosovë, votuesit e rinj kanë pasur rol vendimtar në transformimet politike të viteve të fundit, duke sfiduar partitë tradicionale. Në Maqedoninë e Veriut, protestat e studentëve dhe aktivistëve të rinj shqiptarë vazhdojnë t’i shtyjnë çështjet drejt kritikës më të fortë ndaj dështimeve institucionale dhe ndaj partive politike shqiptare.
Pavarësisht kësaj, pyetja kryesore që mbetet është nëse zemërimi mjafton për të sjellë ndryshim. Historia tregon se jo. Zemërimi mund të rrëzojë sisteme, por nuk ndërton institucione. Protesta mund ta zgjojë shoqërinë, por nuk e reformon automatikisht shtetin apo qeverinë. Ndryshimi i qëndrueshëm kërkon organizim, vizion, lidership dhe këmbëngulje—pikërisht elementet që e kthejnë energjinë qytetare në reformë reale.
Një rrezik i madh për rininë shqiptare sot është që energjia e saj të kanalizohet nga të njëjtat struktura që ajo kërkon të ndryshojë. Politika shqiptare ka treguar aftësi të jashtëzakonshme për të absorbuar kritikët, për t’i kthyer rebelët në pjesë të sistemit dhe për të neutralizuar çdo lëvizje që vë në rrezik status quo-në dhe privilegjet e atyre që e ruajnë atë. Në këtë pikë, pjekuria e brezit të ri do të matet nga mënyra si do t’i ruajë parimet dhe do t’i kthejë kërkesat në përgjegjësi konkrete.
Megjithatë, çështja nuk qëndron tek mungesa e burimeve apo mungesa e inteligjencës. Trojet shqiptare nuk vuajnë nga ato. Ato vuajnë nga mungesa e besimit te drejtësia, te meritokracia dhe te shteti ligjor. Dhe asnjë brez tjetër nuk ka më shumë interes për t’i rikthyer këto vlera sesa brezi që do të jetojë për dekada me pasojat e vendimeve të sotme të klasës politike aktuale—pozitë edhe opozitë. Nëse rinia arrin ta shndërrojë pakënaqësinë në angazhim qytetar, protestën në pjesëmarrje dhe idealizmin në përgjegjësi publike, atëherë mund të bëhet forca që thyen ciklin e tranzicionit të pafund. Nëse jo, vendet shqiptare rrezikojnë të humbasin kapitalin e tyre më të çmuar: njerëzit e rinj, të cilët i zhgënjyer do të marrin rrugët e botës.
Botuar fillimisht në Bota Sot





