Të martën, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Në këtë tubim, ai paraqiti qëndrimet e vendit për zhvillimet politike dhe të sigurisë, krimet e kryera gjatë luftës dhe raportin e UNMIK-ut për situatën në Kosovë.
Lidhur me këtë paraqitje, analisti Gani Qarri ka vlerësuar se Konjufca e përfaqësoi Kosovën në mënyrë të denjë. Sipas tij, ministri përcolli mesazhe të rëndësishme që ndërlidhen me përgjegjësinë e Serbisë, të drejtat e viktimave dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në OKB.
Qarri ka thënë se në mbledhjen e fundit të OKB-së, Konjufca i rikujtoi edhe njëherë më tepër “mbarë botës së civilizuar” gjenocidin shtetëror dhe krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Ai thekson se, përmes fakteve dhe argumenteve, u prezantuan edhe elemente të lidhura me përparimin e arritur nga shteti i Kosovës, si dhe sfidat që po përballen aktualisht, të cilat, sipas tij, vijnë pikërisht nga veprimet e hapura të Serbisë kundër Kosovës.
Konjufca kërkoi përgjegjësi për krimet dhe pranim të Kosovës në OKB
Në vlerësimin e Qarrisë, prezantimi i Konjufcës në OKB ishte i suksesshëm dhe përmbajtjesor. Ai ka theksuar se në tubim u përcollën mesazhe të “forta” dhe të dokumentuara me argumente të vërtetuara. Gani Qarri ka përmendur se janë rikujtuar me fakte dhe shifra vrasjet e mbi 12 mijë civilëve të pafajshëm, përfshirë 1577 persona të zhdukur. Po ashtu, ai ka specifikuar se nga këta të zhdukur, 109 ishin fëmijë, ndërsa trupat e tyre, sipas tij, deri sot nuk janë gjetur dhe nuk u dihen as gjurmët.
Analisti ka folur edhe për kërkesën për vënien para përgjegjësisë të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë. Në këtë kontekst, ai ka përmendur Milan Radoiçiqin dhe Serbinë si sponsorizues të mundshëm të autorëve të sulmit. Qarri, gjithashtu, ka lidhur këtë çështje me pretendimin për një invadim territorial të nxitur nga Serbia ndaj territorit të Kosovës, duke përfshirë edhe vrasjen e policit në detyrë, Afrim Bunjaku.
Sipas Qarrisë, Konjufca ka kundërshtuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, të cilin ai e konsideron të ndikuar nga propaganda serbe. Po ashtu, Qarri ka theksuar se në paraqitjen e tij në OKB, Konjufca ka kërkuar pranimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtare me të drejta të plota në OKB.
Qarri ka vijuar duke thënë se mesazhet e përcjella në OKB duhet të pasohen me masa konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht në raport me Serbinë. Ai ka përmendur nevojën për kthimin e trupave të shqiptarëve të vrarë dhe të kidnapuar, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të krijoheshin kushte për qëndrueshmëri politike në rajon dhe paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.
Analisti ka shtuar se faji për ngecjen e Kosovës në planin ndërkombëtar nuk i atribuohet vetëm Serbisë, por edhe faktorëve të brendshëm. Ai ka përmendur luftërat partiake, ngërçet politike dhe bllokadat institucionale, të cilat, sipas tij, u zbatuan aktivisht nga opozita e inkriminuar, duke e lënë shtetin për gati 2 vite pa institucione legjitime dhe pa qeverisje stabile. Qarri ka përmendur edhe se Kosova nuk arriti t’i shfrytëzojë mundësitë potenciale që, sipas tij, u krijuan pas fillimit të okupimit rus të Ukrainës dhe protestave masive studentore në Serbi, të cilat kanë vijuar vazhdimisht për rreth dy vite.
Botuar fillimisht në Bota Sot