Koncert madhështor në Shtime për 27-vjetorin e Çlirimit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Shtimes dhe Ditës së Çlirimit të Kosovës, në Pallatin e Kulturës u mbajt një koncert solemn artistik. Ngjarja u organizua nga Komuna e Shtimes, nën patronatin e kryetarit Dr. Qemajl Aliu, duke i bashkuar në një mbrëmje të vetme artin, kujtesën dhe krenarinë për historinë e vendit.

Mbrëmja nisi me intonimin e Himnit Kombëtar dhe Himnit Shtetëror. Pas kësaj, u shfaq edhe një videomaterial i përgatitur si kujtesë për viktimat e Reçakut, si dëshmi e kontributit që Shtimja ka dhënë për lirinë e Kosovës. Programi artistik u moderua nga Besiana Mehmedi, e cila solli në skenë rrjedhën e mbrëmjes që nga pjesa solemne deri te momentet më festive.

Në vazhdim, pas fjalës hyrëse të kryetarit të Komunës, kori i të mirëve të kombit interpretoi këngën “Besa besë”. Më pas programi u pasurua me “Bien lodrat”, ku në skenë u bashkangjit daullegjiu Kristian Dokaj. Armando Likaj interpretoi në mënyrë “brilante” këngën “Unë biri yt Kosovë”, ndërsa emocione të veçanta u krijuan kur në skenë u ngjit Llesh Nikolla me poemën “Zgjohu Kosovë”. Në të njëjtën linjë kujtese dhe respekti, Besiana Mehmedi solli “Legjendat këndoja me mall”, e cila njëkohësisht kujtoi sakrificën e familjes Jashari dhe rëndësinë e trashëgimisë së saj në rrugën drejt lirisë.

Pjesa klasike e koncertit u pasurua edhe më tej me një moment të veçantë artistik: monologun e luajtur në piano nga prof. Rudina Ciko. Më pas, së bashku me publikun, u interpretuan dhe u duartrokitën këngët “Këngë moj” dhe “Valsi i lumturisë”, në interpretim nga dueti Armando Likaj dhe Besiana Mehmedi. Përmes këtyre pjesëve, koncerti shërbeu si një formë përkujdesjeje për sakrificën e luftëtarëve e martirëve, për dëshmorët e lirisë, si dhe për kontributin e nënës e gruas shqiptare në të gjitha periudhat.

Një mbrëmje arti që i kthehet amanetit të lirisë

Pjesa e dytë e koncertit kaloi në një atmosferë festive, me ritme që sollën energji të jashtëzakonshme në sallë. Në skenë u paraqit ansambli “Ilirida” me “Vallja e Drenicës” dhe “Festa e bashkimit”, duke e kthyer gjithë programin në një festë kolektive. Kulminacioni i mbrëmjes u arrit me paraqitjen e artistit Shkodran Tolaj, i cili interpretoi këngët “Albulena” dhe “Fjalët e qiriut”. Këto performanca e ngritën publikun në këmbë dhe i dhanë koncerit një intensitet të veçantë, duke i dhënë jehonë mesazhit të kujtesës dhe nderimit.

Koncerti u mbyll me të gjithë artistët pjesëmarrës dhe me kryetarin e komunës. Në fund, u interpretua një duet nga Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj, përmes këngës “Kosova kosova”. Përmes kësaj kënge u rikujtua edhe një herë porosia se liria është amanet i shenjtë, që duhet ruajtur e mbrojtur brez pas brezi. Mbrëmjen e ndoqën shumë spektatorë, të cilët e kishin mbushur sallën përplot, ndërsa formacioni “Besiana & të mirët e kombit” bëri të ditur se, tash një vit e gjysmë, kanë realizuar plot 26 koncerte të suksesshme e madhështore.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe organizimit të mbrëmjes dhe rrjedhës së programit, ku u alternuan pjesët solemne me ato artistike e festive. Nga Himni Kombëtar e Shtetëror, videomateriali për Reçakun, tek interpretimet muzikore, monologu në piano dhe performancat me ansambl e solistë, i gjithë koncerti u ndërtua si një rrugëtim i plotë: kujtesë, nderim dhe festë për 27-vjetorin e Çlirimit të Shtimes dhe Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version