Gjykata e Prishtinës ka vazhduar edhe sot më 04.11.2026 gjykimin ndaj Ramadan Morinës, i cili po akuzohet për krime lufte në territorin e komunës së Malishevës. Në këtë çështje, Prokuroria Speciale e ka ngritur aktakuzën lidhur me ngjarjet që dyshohet të kenë ndodhur më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Malishevës.
Sipas akuzës, Morina dyshohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. Ndërkohë, në seancën e sotme kanë dhënë dëshmitë dy persona, të cilët kanë paraqitur versionet e tyre para trupit gjykues lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe me rolin e të pandehurit.
Dëshmitarja Zejnije Morina, në lidhje me të pandehurin Ramadan Morina, ka deklaruar se ai është i pafajshëm. Ajo ka thënë se nuk ka dëgjuar kurrë diçka të keqe për të, si para luftës ashtu edhe pas saj. Dëshmitarja ka treguar se është ndier e befasuar kur ka mësuar se ai është arrestuar, duke e cilësuar këtë si shpifje ndaj tij.
“Prej neve është i pafajshëm, kanë shpifë gjinja para luftës, mas luftës, kurrgjë nuk kam dëgju keq, kur kemi dëgju për të jemi çuditë kur e kanë arrestu”, ka thënë dëshmitarja. Ajo ka shtuar se për arrestimin e tij ka ndjerë keqardhje dhe e ka përshkruar Morinën si person të pafajshëm brenda rrethit të familjes dhe të popullit. Dëshmitarja ka theksuar gjithashtu se “na kemi ardhë për drejtësi”.
Gjatë dëshmisë, Zejnije Morina ka rrëfyer edhe momentet kur familja e saj dhe bashkëfshatarët janë detyruar të largohen nga shtëpitë. Sipas saj, pasi të gjithë bashkëfshatarët kishin filluar të dilnin jashtë, edhe ajo me familjen kishin vepruar në të njëjtën mënyrë. Dëshmitarja ka thënë se më 31 mars 1999, te vendi i quajtur “Vrellë”, kanë ardhur forcat serbe me dy tanke dhe me 3-4 kamionë, ndërsa policët, sipas saj, kanë pasur uniforma me ngjyra të përziera.
Dëshmitë në Gjykatë për masakrën në Burim
Sipas dëshmitares, te vendi “Vrella” kanë qenë diku 500 persona. Ajo ka treguar se forcat serbe u kanë kërkuar para në gjuhën serbe dhe se nga ky grup janë ndarë burrat nga gratë. Zejnije Morina ka shtuar se forcat serbe ishin të armatosura dhe se kishin fytyrat e ngjyrosura. Lidhur me të akuzuarin, ajo ka deklaruar se janë bashkëfshatarë dhe e njeh personalisht, por ka thënë se nuk e ka parë në fshat pas luftës.
Dëshmitarja ka treguar se e njeh Ramadan Morinën edhe para kohës së luftës, atëherë kur ai ka qenë 14-vjeç. Ajo ka përmendur se në mesin e të vrarëve kanë qenë bashkëshorti dhe vjehrra e saj, duke thënë: “Burri është vra te Vrella, vjehrra në shtëpi pas dy jave”. Këto elemente, sipas saj, lidhen me pasojat e asaj ngjarjeje që u ka marrë jetën të afërmve të saj.
Pas dëshmisë së Zejnije Morinës, dëshmitari Enver Hoti ka dhënë versionin e tij për ngjarjet gjatë luftës dhe për masakrën në Burim të Malishevës. Ai ka thënë se ka qenë vazhdimisht në Kosovë gjatë kohës së luftës, në komunën e Malishevës dhe në fshatrat përreth. Në lidhje me masakrën, dëshmitari ka deklaruar se së bashku me 3 shokë të tij i kanë parë viktimat të vrara, të masakruara dhe duke u djegur, teksa disa prej viktimave, sipas tij, kanë qenë duke u djegur në rimorkio të traktorëve.
Enver Hoti ka folur edhe për një postim të tij në rrjete sociale pas arrestimit të të pandehurit Ramadan Morina. Sipas tij, postimi është bërë pasi i është kujtuar rasti i bashkëpunimit të disa personave me policinë serbe, përfshirë edhe të pandehurin. Dëshmitari ka shpjeguar se, që nga maji i vitit 1995, ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe është kujdesur të evidentojë bashkëpunëtorët shqiptarë të forcave serbe. Ai ka pretenduar se këta persona kanë komunikuar me policë serbë, duke e argumentuar këtë si një tregues të bashkëpunimit.
“Kanë komuniku me policinë serbe, kanë pi kafe, dhe për mendimin tonë kanë qenë bashkëpuntorë, se përndyshe ka qenë e pamundun me qëndru me ta”, ka deklaruar dëshmitari. Lidhur me të akuzuarin, ai ka thënë se nuk e ka parë nga viti 1998, duke pretenduar se Morina ka banuar në Rahovec në lagjen e serbëve. Sipas tij, në këtë çështje penale ai është dëshmitar sepse, sipas pretendimit të tij, personi i përmendur dhe të tjerët kanë bashkëpunuar me okupatorin.
Kur u pyet nga mbrojtja e të akuzuarit, se përse nuk e ka denoncuar më herët rolin që i atribuonte të pandehurit, dëshmitari ka thënë se pas luftës secili është marrë me punët e veta. Gjatë deklarimit të tij, avokati Arianit Koci ka bërë vërejtje. Sipas avokatit, gjatë dëshmisë së Enver Hotit po cenohet parimi i barazisë, sepse Prokurorisë po i lejohen pyetje që nuk janë objekt i akuzës, ndërsa mbrojtjes nuk po i lejohet një gjë e tillë.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga gjyqtarët Rrahman Beqiri (kryetar), Violeta Namani-Hajra dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë). Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 31.12.2026, Ramadan Morina nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë nga Prokuroria Speciale, duke deklaruar se “Nuk e pranoj fajësinë se prej 1998 deri në 1999 fare nuk kam qenë në Kosovë, kam dëshmi”. Ramadan Morina ishte arrestuar në mëngjesin e datës 12…
Botuar fillimisht në Telegrafi
