Forumi 2026 i ka vënë në qendër transformimin e sektorit të ndërtimit në Kosovë, duke e kaluar nga modeli tradicional linear në një qasje qarkulluese dhe të qëndrueshme. Organizimi i këtij aktiviteti u bë nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, në bashkëpunim me Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC).
Në këtë forum, eksperti gjerman i ekonomisë qarkore nga KGBC, Herald Friedl, theksoi se Kosova ka potencial të bëhet lider në ekonominë qarkore në rajon. Ai e lidhi këtë me popullsinë e re dhe me perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar se ka hapësirë për zhvillime reale në këtë drejtim.
Friedl tha se i ka lexuar udhërrëfyesit për sektorin, por theksoi nevojën që hapi i radhës të mos mbetet vetëm në letra. Sipas tij, tani duhet të kalohet në plan veprimi: “Të ushtrojmë presion në Kosovë, në mënyrë që t’i bejmë njerëzit të lëvizin nga ideja te plani i realizimit”. Ai kërkoi angazhim të përbashkët për ta kaluar sektorin nga udhërrëfyesit drejt mekanizmave konkretë.
“Kushdo që ka fuqi të sigurohet që ne të mund të ushtrojmë presion në Kosovë, në mënyrë që t’i bejmë njerëzit të lëvizin nga ideja te plani i realizimit, nga udhërrëfyesi te plani i veprimit, le të punojmë të gjithë së bashku për këtë. Mendoj se në ndërtim, të përcaktohet për sektorin një vizion real dhe i qartë se ku dëshironi të shkoni, dhe të gjendet forumi ku të gjithë palët e interesuara janë të koordinuara, ky është hapi tjetër më urgjent. Ndryshe, nëse nuk e organizoni këtë, nuk ka për të ndodhur”, u shpreh Friedl.
Ekonomia qarkulluese kërkon plan veprimi, jo vetëm udhërrëfyes
Forumi 2026, i mbajtur nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile të Universitetit të Prishtinës, u organizua me fokus të drejtpërdrejtë në transformimin e ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm. Në fjalën e tij, CEO dhe President i KGBC-së, Fahrush Azemi, tha se ky aktivitet ka bashkuar ide, institucione, biznese dhe akademinë, për një qëllim të përbashkët: ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën.
Azemi theksoi se sektori i ndërtimit ka funksionuar për dekada me një logjikë lineare: “merr burimet, ndërto, konsumo, rrëno, krijo mbetje”. Ai shtoi se ndryshimet e sotme e detyrojnë sektorin të ri-mendojë mënyrën si dizajnohen, ndërtohen dhe menaxhohen ndërtesat dhe qytetet. Sipas tij, ndryshimet klimatike, mungesa e burimeve, kriza energjetike dhe degradimi mjedisor janë faktorë që e orientojnë të ardhmen drejt ekonomisë qarkullore.
Në hyrje të forumit, dekani i fakultetit nikoqir, Florim Grajçevci, tha se sfidat globale si ndryshimet klimatike, përdorimi intensiv i burimeve natyrore dhe menaxhimi i mbetjeve kërkojnë qasje të re në sektorin e ndërtimit. Grajçevci nënvizoi se në diskutim ishin përfshirë akademia, industria, institucionet publike, profesionistët, organizatorët dhe partnerët institutionalë, për transformimin nga një model linear drejt një të ardhmeje qarkulluese dhe të qëndrueshme.
Edhe përfaqësuesja e agjencisë zvicerane “Helvetas”, Nastasija Stojanovski, theksoi se interesimi i madh për forumin tregon se temat e ekonomisë qarkulluese dhe zhvillimit të gjelbër po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se prania e aktorëve të ndryshëm është shenjë suksesi, duke përmendur bashkëpunimin mes industrisë, akademisë dhe shoqatave si Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër, si dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Qendra e tyre e Ekonomisë Qarkulluese (Circular Economy Hub).
Në panelin e forumit u përfshinë edhe diskutime për kalimin nga ndërtimi tradicional në atë modern dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Po ashtu, u zhvilluan dy panele: në panelin e parë u fol për tranzicionin e sektorit të ndërtimit drejt ekonomisë qarkore dhe rolit që materialet e qëndrueshme luajnë në këtë proces; ndërsa në panelin e pasditës fokusi u zhvendos drejt ndërtimit modern dhe të qëndrueshëm. Valbona Dushi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit theksoi ndikimin e marrëveshjeve evropiane që po e shtyjnë Kosovën drejt ekonomisë qarkore dhe standardeve më të larta mjedisore.
Dushi solli shembuj të mekanizmave që e udhëheqin këtë drejtim, duke përmendur se institucione të Kosovës kanë nënshkruar, si dhe se ekziston taksa e karbonit, e njohur si CBAM, Carbon Border Adjustment Mechanism. Ajo përmendi gjithashtu komponentë të tjerë që i paraprijnë kësaj kornize dhe që, sipas saj, e shtyjnë vendin të punojë “krah për krah me sektorin privat” për ballafaqimin me ndryshimet klimatike. Në kuadër të diskutimeve, u përmend edhe se kalimi drejt ekonomisë qarkulluese nuk mund të realizohet individualisht.
Botuar fillimisht në Bota Sot