Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se Shqipëria ka shënuar një tkurrje të theksuar të popullsisë gjatë vitit 2024, edhe pse vendi nuk ndodhet në kushtet e një konflikti ushtarak. Për çdo 1.000 banorë, popullsia e Shqipërisë u reduktua me 12 persona në vitin 2024. Ky tregues përputhet me shkallën bruto të migrimit neto dhe e vendos vendin në një situatë të pazakontë për një periudhë paqeje.
Shifra prej -12 për 1.000 banorë ka një kuptim të drejtpërdrejtë në numra. Vetëm brenda vitit 2024, Shqipëria ka humbur rreth 29.000 banorë si pasojë e emigrimit. Në këtë mënyrë, migrimi nuk po shfaqet më si një luhatje kalimtare, por po prodhon një efekt të vazhdueshëm demografik që lidhet me tkurrjen e bazës së popullsisë dhe me rritjen e peshës së grupmoshave më të vjetra.
Krahasimi me Bashkimin Europian e bën edhe më të mprehtë kontrastin. Mesatarja e BE-së për të njëjtin tregues lëviz në vlerë pozitive, rreth +5.2 për 1.000 banorë. Praktikisht, kjo nënkupton që në vendet e BE-së, gjatë vitit të njëjtë, popullsia u rrit me më shumë se 5 persona për çdo 1.000 individë. Ndërsa Europa po shton kapitalin njerëzor dhe po përfiton nga migrimi neto pozitiv, Shqipëria vazhdon të dalë si eksportuese neto, duke humbur krah pune.
Edhe brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mbetet në një zonë më problematike përsa i përket migrimit neto. Ndërkohë që vende si Serbia shfaqin një qëndrueshmëri më të lartë në raport me lëvizjet e popullsisë, Shqipëria duket se po përjeton goditjen më të fortë. Ky model e shtyn vendin drejt një udhëkryqi demografik të vlerësuar si të rrezikshëm, pasi tkurrja po përforcohet nga më shumë se një faktor.
Shqipëria me -12 migrim neto për 1.000 banorë në 2024
Ndryshe nga dekadat e kaluara, kur rritja natyrore dhe lindjet shpesh arrinin të balanconin disi emigrimin, tashmë Shqipëria po goditet nga dy drejtime. Nga njëra anë, lindshmëria ka rënë në nivele historike. Nga ana tjetër, ikja e të rinjve vazhdon me ritme të larta, duke i hequr vendit jo vetëm banorë, por edhe potencial për rinovim demografik dhe për të mbajtur në funksion sektorë kyç të ekonomisë. Në kushtet e migrimit neto negativ, plakja përshpejtohet dhe struktura e moshave ndryshon më shpejt.
Në skenarët europianë, migrimi neto pozitiv shpesh ndihmon shtetet të përballojnë plakjen, duke u shtuar numri i personave që hyjnë në tregun e punës. Në Shqipëri, përkundrazi, shifra negative po përshpejton tkurrjen dhe plakjen. Kështu, sipas logjikës së treguesve të publikuar, vendi humbet çdo vit popullsinë e një qyteti mesatar si Lezha apo Kavaja. Ky krahasim e bën më të dukshme dimensionin e ndryshimit demografik që po ndodh në terren.
Për të kuptuar më qartë se çfarë po ndodh në Europë, Eurostat sjell edhe një referencë ndaj vendeve që kanë pasur dikur norma emigrimi të ngjashme, por më pas kanë ndryshuar kurs. Thuhet se Shqipëria po përjeton një fenomen që vendet e Europës Qendrore dhe Lindore arritën ta ndalnin vite më parë. Për shembull, Estonia dhe Lituania, dikur me norma të ngjashme emigrimi, tani shënojnë migrim neto pozitiv. Estonia ka arritur të tërheqë profesionistë të huaj përmes digjitalizimit, ndërsa ka pasur edhe rikthim të qytetarëve të saj, duke e kthyer treguesin nga negativ në rritje prej +2 deri në +4 për 1.000 banorë.
Ndryshimi vlerësohet si mbresëlënës edhe në Poloni dhe Hungari. Në këto vende, përmendet një strategji e dyfishtë: rritje agresive e pagave për të frenuar largimin, si dhe politika të forta mbështetëse për familjet e reja, me synim përmirësimin e ndryshimit natyror. Polonia, që më parë furnizonte Europën Perëndimore me krah pune, sot paraqitet si një magnet rajonal. Edhe brenda rajonit tonë, përmendet modeli i Kroacisë: pas anëtarësimit në BE ajo pati goditje emigrimi, por vitet e fundit ka shënuar stabilizim dhe kthim të fuqisë punëtore, falë integrimit të plotë dhe investimeve në infrastrukturë e teknologji.
Në konkluzionin e analizës së treguesve, Shqipëria del si vend që mbetet peng i emigrimit që nuk po ndalet, ndërsa fenomeni po kthehet në gjendje kronike. Për të theksuar diferencën, përmendet shifra -12.1 si provë e theksuar se, ndryshe nga fqinjët në lindje, nuk janë krijuar ende arsyet për t’u kthyer. Ndërkohë që Polonia dhe Rumania e kanë kthyer trendin duke u pozicionuar si qendra industriale dhe teknologjike, për Shqipërinë argumentohet se orientimi drejt turizmit nuk po mjafton për të mbajtur popullsinë në vend. Në këtë kuadër, theksohet se emigrimi mund të mposhtet vetëm kur vendi bëhet i jetueshëm për ata që ikin, në mënyrë që të nxiten kthimet dhe të ruhet baza e popullsisë.
Botuar fillimisht në Bota Sot