Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të mbetet në ngërç. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë, deri tani nuk janë shënuar lëvizje konkrete që do të çonin përpara normalizimin e marrëdhënieve.
Vetë procesi i dialogut ka qenë në qendër të diskutimeve edhe pas konstituimit të institucioneve në Kosovë, kur çështja riktheu vëmendjen publike dhe u përball me pritshmëri për hapa të reja. Por, marrëveshjet e arritura ndër vite dhe mënyra se si ka ecur dialogu vijojnë të vihen në diskutim nga njohës të çështjeve kushtetuese dhe analistë politikë, të cilët thonë se rezultatet nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Rifillimi kërkon zbatim: Serbia të përmbushë obligimet dhe të dorëzojë Radoiçiqin
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë procesin e normalizimit dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura, veçanërisht Marrëveshjen e Ohrit. Kjo thirrje vjen në një kohë kur procesi mes dy vendeve mbetet i bllokuar, ndërsa palët vazhdojnë të përcjellin sinjale që nuk përputhen me pritjet për rifillim të dialogut në nivel të lartë.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se dialogu i deritanishëm ka dështuar dhe se kërkohet një dialog i ri mbi baza të reja, me barazi të plotë ndërmjet palëve. Ai argumenton se procesi nuk ka sjellë efekt pozitiv për Kosovën dhe se besueshmëria e BE-së si ndërmjetësuese është dëmtuar.
Sipas Baraliut, janë mbi 41 marrëveshje, “secila më e dëmshme se tjetra për Kosovën”, duke theksuar se dialogu ka rënë. Ai thotë se ndërmjetësimi dhe qëndrimi i BE-së kanë sjellë pasoja për Kosovën, përfshirë siç e përshkruan ai, ndikimin tek “rrënjët dhe themelet e shtetit”. Baraliu thekson se me Serbinë, sipas tij, nuk ka hapësirë për diskutime përderisa nuk prodhohet asnjë rezultat.
Edhe analisti Dorajet Imeri e sheh si të pamundur vazhdimin e dialogut në rrethanat aktuale. Ai e lidh rifillimin me ndryshimin e qasjes nga Serbia: sipas Imerit, Serbia duhet të njohë realitetin e ri dhe të dorëzojë Milan Radoiçiqin para institucioneve të drejtësisë kosovare. Imeri nënvizon se kjo lidhet me një aktakuzë të ngritur për së paku dy krime: një për terrorizëm dhe një për krime lufte. Sipas tij, një person i tillë nuk mund të jetë i lirë në sheshet e Serbisë, ndërsa Serbia të pretendojë normalizim të raporteve me Kosovën.
RTK-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje, por deri në transmetimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, në një takim të zhvilluar në korrik me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv, paqes së qëndrueshme dhe respektimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Takimi i fundit i nivelit të lartë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u mbajt më 26 qershor 2024 në Bruksel. Ndërkohë, takimi i fundit trepalësh në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua më 11 shtator 2025, ndërsa dialogu ende nuk ka kaluar në fazë të re me lëvizje të dukshme.
Botuar fillimisht në Telegrafi





