Deportohet berberi shqiptar pas 20 vitesh në SHBA

Për gati dy dekada, Besnik “Nik” Shembitrasi ndërtoi jetën e tij në Shtetet e Bashkuara, duke u larguar nga vendlindja dhe duke kërkuar një të ardhme më të mirë. Ai punoi si berber në zonën e Çikagos, u martua me një shtetase amerikane dhe krijoi një familje. Nga kjo lidhje, rriti një vajzë dhe u përfshi me rutinë në jetën e përditshme, larg zhurmës që solli më pas ky rast.

Ngjarja që i ndryshoi rrjedhën gjithçka ndodhi në maj të vitit 2026. Në atë periudhë, Besnik “Nik” Shembitrasi u arrestua nga Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) pranë banesës së tij në Illinois. Pas ndalimit, ai u deportua në Shqipëri, duke i dhënë fund një periudhe 20-vjeçare të jetesës në SHBA.

Rasti i tij ka nxitur reagime si brenda komunitetit shqiptar, ashtu edhe në atë amerikan. Historia mori vëmendje të veçantë, pasi bëhet fjalë për një person që, sipas përshkrimeve të familjarëve, kishte ndërtuar një lidhje të thellë me vendin ku jetonte dhe punonte prej vitesh.

Deportimi i berberit shqiptar, një histori mes dokumenteve dhe ligjit

Në këtë rrëfim, familjarët e Shembitrasit i kanë dhënë një dimension tjetër çështjes. Xhaxhai i tij, Frank Shemitraku, i cili është pronar i disa berberhaneve në Illinois, tha se Niku ishte mashtruar gjatë përpjekjes për të emigruar. Sipas tij, kur kishte kërkuar të kalonte drejt SHBA-ve, i ishin bërë premtime për marrjen e një vize, por, në realitet, ato dokumente rezultuan të rreme. “Ata premtojnë: ‘Unë të marr vizë’. Kishte shumë djem të tillë. Por viza ishte false. Nuk ishte faji i tij. Ai pagoi paratë për të ardhur në SHBA”, u shpreh Frank Shemitraku.

Xhaxhai solli edhe një panoramë më të gjerë të asaj që ndodhte në vitet pas rënies së komunizmit, duke thënë se shumë shqiptarë ranë pre e personave që premtonin dokumente të rregullta emigrimi. Në këtë interpretim, Shembitrasi paraqitet si dikush që ka punuar dhe ka paguar shuma për të realizuar udhëtimin drejt SHBA-ve. “Ai punoi shumë dhe i pagoi paratë. Ai u bë viktimë e kriminelëve”, shtoi ai.

Ndërkohë, ICE ka dhënë një tjetër version të ngjarjes, duke i qëndruar qëndrimit se Shembitrasi ka qenë në shkelje të ligjit të emigracionit. Agjencia deklaroi se Besnik “Nik” Shembitrasi kishte hyrë në SHBA në vitin 2005 me një pasaportë italiane të falsifikuar. Sipas ICE, në vitin 2008 ai kishte marrë një urdhër përfundimtar dëbimi, të cilin nuk e kishte zbatuar. Në njoftimet e saj, agjencia e cilësoi atë si një “të huaj të paligjshëm kriminal”.

Historia mori jehonë edhe më të madhe kur u përfshi edhe një shkrimtar amerikan, Bill Ward. Ai publikoi një ese të fokusuar te berberi shqiptar, për të cilin tha se i kishte prerë flokët për shtatë vjet. Ward e përshkroi Nikun si një njeri punëtor dhe të përkushtuar ndaj familjes. Në të njëjtën ese, autori pranoi se Shembitrasi kishte shkelur ligjin e emigracionit, por theksoi se ekziston një dallim mes asaj që është e ligjshme dhe asaj që është e drejtë. Eseja mbyllet me një formulim ku theksohet se ky rast nuk duhet të trajtohet si provë se personi ishte kriminel: “Ky nuk është, në asnjë mënyrë kuptimplotë, një ‘kriminel’. Ky është Niku Berberi. Shqiptar nga lindja, amerikan në shpirt”.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version