BE dhe SHBA me mosmarrëveshje për renditjen e hapave

Një mosmarrëveshje e re ka dalë në pah mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me “renditjen e hapave” në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Çështja kryesore është se kur dhe si duhet trajtuar çështja e arkitekturës së sigurisë evropiane në marrëveshjet pasluftës.

Udhëheqësit evropianë e shohin këtë temë si një kurth rus dhe theksojnë se, në radhë të parë, duhet të vendoset një armëpushim në Ukrainë. Sipas tyre, vetëm pas këtij hapi mund të hapen diskutimet për elementet e arkitekturës së sigurisë në Evropë, duke u mbështetur te struktura e institucioneve dhe mekanizmave ekzistues.

Por qëndrimi amerikan ka sjellë një ton tjetër. Në një postim në rrjetet sociale, i dërguari i posaçëm amerikan Jared Kushner, i cili po ndërmjetëson negociatat, u shpreh se tema duhet të trajtohet drejtpërdrejt dhe pa vonesa. Ai argumentoi se garancitë për sigurinë e Ukrainës nuk mund të finalizohen të shkëputura nga arkitektura e sigurisë evropiane që synohet pas luftës.

Rendi i hapave: armëpushim apo garanci të sigurisë në të njëjtën kohë?

Kushner theksoi se “Garancitë e sigurisë për Ukrainën nuk mund të finalizohen të shkëputura nga arkitektura e sigurisë evropiane të pasluftës. Të dyja duhen shqyrtuar së bashku”. Në postim, ai nënvizoi se mes garancive të mundshme përfshihet një dispozitë e modeluar sipas Nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive, e cila do të ndihmonte Ukrainën në rast të një sulmi të ri rus.

Sipas Kushnerit, presidenti amerikan Donald Trump do ta miratonte një klauzolë të ngjashme me Nenin 5 vetëm nëse “aranzhimet më të gjera të sigurisë do ta bënin tejet të pamundur nevojën për të aktivizuar ndonjëherë atë garanci”. Kjo, sipas tij, e bën të domosdoshme që çështja të jetë në tryezë që në fillim, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë. Kushner shtoi se “Asgjë nuk është e rënë dakord derisa të arrihet marrëveshja për gjithçka”.

Qëndrimi i Kushnerit vjen në kontrast me pikëpamjen e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe drejtuesve të tjerë evropianë. Këta të fundit mendojnë se është Rusia ajo që duhet të rivendosë arkitekturën e sigurisë – një sistem që, sipas argumentimit të tyre, kombet evropiane e krijuan pas Luftës së Dytë Botërore përmes traktateve dhe konventave të shumta, por që Moska e shkel kur pushtoi Ukrainën. Von der Leyen theksoi se diskutimet për arkitekturën e sigurisë varen nga vendosja e një armëpushimi në Ukrainë nga ana e Rusisë dhe nga demonstrimi i një angazhimi të sinqertë për paqen.

Kur u pyet për postimin e Kushnerit, Komisioni Evropian tha se nuk ka ndryshuar qëndrimi. Zëdhënësja kryesore e Komisionit, Paula Pinho, deklaroi se qëndrimi ka mbetur i njëjtë “që nga java e kaluar”, duke vijuar se pasi të vendoset armëpushimi, atëherë mund të zhvillohen diskutime mbi arkitekturën e sigurisë së Evropës. Ajo nënvizoi se këto diskutime duhet të zhvillohen në forumin e duhur, me përfshirjen e plotë të aleatëve të NATO-s dhe shteteve anëtare të BE-së. “Ne, pra, mbetemi në qëndrimin tonë”, tha Pinho.

Edhe kancelari Friedrich Merz mbështeti këtë linjë të von der Leyen të enjten e kaluar, ndërsa priste aleatët përfshirë Kushnerin në një takim të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Berlin. Sipas transmetimit, Merz tha se ajo që nevojitet është “sekuenca e duhur, rendi i duhur: së pari paqja në Ukrainë, e më pas marrëveshjet për sigurinë euroatlantike”. Ai shtoi se Moska i di “kërkesat e saj maksimaliste të dhjetorit 2021” dhe i cilësoi ato si jorealiste.

Këto kërkesa rishfaqen në një dokument të paraqitur nga Rusia gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Abu Dabi. Sipas raportimeve të “New York Times”, lista e kërkesave kërkon që NATO të ndalojë zgjerimin e saj, të tërheqë trupat në kufijtë e vitit 1997 dhe të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Evropianët i kanë hedhur poshtë kategorikisht këto kërkesa, duke i konsideruar një manovër për të hequr vëmendjen nga Ukraina dhe për të siguruar të drejta vetoje, të cilat sipas tyre nuk kanë bazë të ligjshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të hënën se ajo që nuk mund të ndodhë është që NATO të kthehet në kufijtë e vitit 1997 ose që qëndrimi i aleancës të përcaktohet nga të tjerë e jo nga vetë aleatët.

Në kushtet kur si Moska ashtu edhe Uashingtoni i kanë dhënë peshë arkitekturës së sigurisë, çështja bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u shmangur nga evropianët. Në bisedat private, zyrtarët pranojnë se kjo temë do të duhet të diskutohet, në një mënyrë apo në një tjetër. Prova kryesore, theksohet, do të vijë nëse dhe kur Rusia pranon të zhvillojë bisedime shumëpalëshe me SHBA-në, Ukrainën dhe Evropën njëkohësisht, diçka që ajo deri më tani ka refuzuar ta bëjë. Në postimin e tij, Kushner u shpreh se SHBA-ja synon të arrijë një “mirëkuptim të përbashkët” mbi arkitekturën e sigurisë “gjatë javëve në vijim”.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version