Antioksidantët: ushqimet që mbrojnë qelizat dhe shëndetin

Antioksidantët janë shpesh pjesë e këshillave për një mënyrë jetese më të shëndetshme, por jo të gjithë e dinë saktësisht çfarë bëjnë në organizëm dhe pse lidhen me plakjen më të kujdesshme. Në thelb, ato lidhen me mbrojtjen e qelizave nga një proces që ndodh pa u vënë re çdo ditë: krijimi i radikaleve të lira.

Gjatë metabolizmit të përditshëm, por edhe nën ndikimin e faktorëve si ndotja e ajrit, rrezatimi ultraviolet dhe tymi i duhanit, organizmi prodhon molekula të paqëndrueshme të quajtura radikale të lira. Kur sasia e tyre bëhet më e madhe se ajo që munden të neutralizojnë mekanizmat mbrojtës, shfaqet stresi oksidativ. Kjo gjendje mund të dëmtojë qelizat, proteinat dhe materialin gjenetik, dhe lidhet me plakjen biologjike si dhe me zhvillimin e disa sëmundjeve kronike, duke përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe çrregullimet neurodegjenerative.

Harvard (Shkolla e Shëndetit Publik) thekson se trupi ka mekanizma mbrojtës kundër radikaleve të lira. Megjithatë, ushqimi luan rol të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit të qelizave. Këtu hyjnë antioksidantët: substanca që neutralizojnë radikalet e lira dhe kufizojnë dëmet që ato shkaktojnë në qeliza.

Antioksidantët në ushqim: çfarë neutralizojnë dhe si ndikojnë

Antioksidantët përfshijnë disa vitamina dhe komponime bimore. Ndër më të njohurit janë vitamina C, vitamina E dhe beta-karoteni, si dhe komponimet që gjenden në bimë, si flavonoidet dhe polifenolet. Ato gjenden kryesisht në fruta, perime, drithëra integrale, arra, fara dhe erëza. Por është e rëndësishme të kihet parasysh se antioksidantët nuk e ndalin plakjen. Ato janë pjesë e një mekanizmi më të gjerë kompleks që ndihmon organizmin të ruajë funksionimin normal të qelizave.

Një grup ushqimesh që përmenden shpesh për përmbajtjen e këtyre substancave janë boronicat, çokollata e zezë dhe çaji i gjelbër. Boronicat njihen për përmbajtjen e antocianinave, pigmente natyrore që u japin ngjyrën karakteristike frutave dhe kanë veti antioksiduese. Këto komponime po studiohen edhe për ndikimin e mundshëm në shëndetin e trurit dhe funksionet njohëse, megjithëse nuk është provuar se konsumimi i boronicave parandalon demencën.

Çokollata e zezë, sidomos ajo me përmbajtje të lartë kakaoje, përmban flavanole që mund të ndikojnë pozitivisht në funksionin e enëve të gjakut. Por jo çdo produkt ka të njëjtën sasi flavano-lesh: përmbajtja ndryshon nga një çokollatë te tjetra. Gjithashtu, çokollata mund të ketë sasi të konsiderueshme sheqeri dhe yndyre, çka e bën të nevojshme të mos teprohet.

Sa i takon çajit të gjelbër, ai përmban katehina, veçanërisht epigalokatekin galatin (EGCG), një përbërës që po studiohet për ndikimet e mundshme në proceset inflamatore dhe metabolike. Megjithatë, edhe këtu nuk ka prova të mjaftueshme që pirja e tij parandalon kancerin ose e ndalon plakjen.

Përveç këtyre, ka edhe ushqime të tjera që ia vlen të futen rregullisht në dietë. Domatet përmbajnë likopen, pigmentin që i jep ngjyrën e kuqe dhe ka veti antioksiduese. Interesant është fakti se përpunimi termik dhe kombinimi me vaj ulliri mund të përmirësojnë përthithjen e likopenit. Kjo është treguar edhe në një studim klinik të botuar në “Asia Pacific Journal of Clinical Nutrition”.

Arrat, bajamet dhe farat sjellin yndyra të pangopura, vitaminë E dhe komponime bimore që mbështesin shëndetin e përgjithshëm. Ndërkohë, brokoli, lakra jeshile dhe lulelakra ofrojnë vitamina, fibra dhe glukozinolate—substanca që po studiohen për ndikimin e tyre në mekanizmat mbrojtës të organizmit.

Për të përfituar sa më shumë nga antioksidantët, një mënyrë e thjeshtë është të konsumohen fruta dhe perime me ngjyra të ndryshme. Ngjyrat e kuqe, portokalli, vjollcë dhe jeshile lidhen shpesh me praninë e komponimeve të ndryshme bimore. Karotenoidet, për shembull beta-karoteni në karota, përthithen më mirë kur konsumohen me pak yndyrë të shëndetshme, si vaj ulliri. Edhe erëzat si kurkuma, kanella, karafili dhe rigoni përmbajnë polifenole, por sasia që përdoret zakonisht në gatim nuk duhet të konsiderohet si trajtim për sëmundjet.

Një pyetje që lind shpesh është nëse suplementet antioksiduese janë po aq të dobishme sa ushqimi. Jo domosdoshmërisht. Qendra Kombëtare Amerikane për Shëndetin Plotësues dhe Integrues (NCCIH) thekson se, edhe pse konsumimi i frutave dhe perimeve lidhet me një rrezik më të ulët për disa sëmundje kronike, suplementet antioksiduese nuk kanë treguar të njëjtat përfitime. Madje, doza të larta të disa suplementeve mund të jenë të dëmshme: beta-karoteni në formë suplementi mund të rrisë rrezikun e kancerit të mushkërive te duhanpirësit. Prandaj, strategjia më e mirë nuk është kërkimi i një suplementi që premton “rini të përjetshme”, por ushqyerja e larmishme dhe e ekuilibruar, e shoqëruar me aktivitet fizik, gjumë cilësor dhe shmangie të duhanit.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version