Anthony Athanas, shqiptari që ndërtoi ëndrrën amerikane

Anthony Athanas është një emër që të rikthen menjëherë në kujtime të forta për një histori suksesi, por edhe për një përkushtim të pandryshueshëm ndaj Shqipërisë. Kur më bie rasti ta mendoj, nuk më vjen fillimisht restoranti i njohur “Anthony’s Pier 4” apo fotografitë e tij me presidentë amerikanë, senatorë dhe personalitete që zbukuronin muret e atij institucioni legjendar të Bostonit. Në mendje më vjen vetë Anthony: buzëqeshja e tij e ngrohtë, mënyra si të priste në hyrje dhe përulësia me të cilën të bënte të ndiheshe si në shtëpinë tënde.

Anthony ishte pronar i një prej restoranteve më të njohura të Amerikës, por kurrë nuk e trajtonte veten si personazh të veçantë. Përkundrazi: kur hynte një shqiptar, ai të shihte para së gjithash si një bashkatdhetar. Kjo ishte, sipas mënyrës së tij të të qënit, madhështia e vërtetë e Anthony Athanas. Ai ulej me njerëzit, i respektonte, i përcillte vëmendje pa asnjë formalitet dhe e ruante gjithmonë lidhjen me atë që e kishte formuar.

Kam pasur rastin dhe privilegjin ta takoj Anthony Athanas në disa situata gjatë kohës kur isha me shërbim në Washington, por edhe më vonë në veprimtari të komunitetit shqiptaro-amerikan. E kam takuar edhe në restorantin e tij në Boston dhe në takime në Nju Jork e Boston. Çdo herë largoheja nga takimet me të me të njëjtën përshtypje: përballë nuk kisha vetëm një biznesmen të suksesshëm shqiptaro-amerikan, por një njeri që nuk e lejonte suksesin ta largonte nga njerëzit e tij, nga “Vatra” dhe nga Shqipëria.

Në përvjetorin e lindjes së tij, duket se ia vlen të kujtohet Anthony Athanas jo vetëm si person që realizoi ëndrrën amerikane, por edhe si shqiptaro-amerikan që e kuptoi se suksesi merr kuptim të plotë vetëm kur vihet në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, në interes të Amerikës dhe të lidhjeve të ngushta historike komb me komb. Kjo është sidomos e rëndësishme në një periudhë simbolike, në kuadër të 250-vjetorit të themelimit të Amerikës.

Një jetë që s’harroi kurrë Shqipërinë

Ka data që meritojnë të kujtohen për të nderuar një njeri dhe, njëkohësisht, për t’u kujtuar brezave çfarë mund të arrijë shqiptari kur puna, ndershmëria dhe dashuria për atdheun bëhen pjesë e pandashme e jetës së tij. Përvjetori i lindjes së Anthony Athanas hyn pikërisht në këtë kategori. Emri i tij lidhet jo vetëm me restorantin legjendar “Anthony’s Pier 4”, por me një jetë të tërë që mishëroi, në mënyrën më të denjë, atë që amerikanët e quajnë “American Dream”. Për Anthony-n, megjithatë, ky rrugëtim nuk ishte kurrë një histori e shkëputur nga rrënjët shqiptare.

Anthony Athanas ka lindur në Korçë dhe, si shumë bashkatdhetarë të brezit të tij, e nisi rrugën e emigrimit në një moshë të re. Ishte vetëm katër vjeç kur mbërriti në Amerikë, në vitin 1911, për t’u bashkuar me të atin. Jeta nuk i solli lehtësi. Në moshën 13-vjeçare, u detyrua të linte shkollën për të punuar. Megjithatë, ajo që shkolla nuk mund t’i jepte, atij ia dhanë puna, përkushtimi dhe inteligjenca natyrore që shpesh shoqëron shqiptarë të tillë.

Rruga e tij për në majat e suksesit nuk ishte as e lehtë dhe as e shkurtër. Ai e nisi nga puna praktike, si larës i enëve, e më pas u ngjit drejt pronësisë së një prej restoranteve më të famshme të Amerikës. Kur hapi “Anthony’s Pier 4” në Boston në vitin 1963, askush nuk mund ta parashikonte se ky restorant do të kthehej në një institucion amerikan. Për dekada me radhë, “Anthony’s Pier 4” nuk ishte vetëm një vend për të ngrënë: ishte një simbol i suksesit amerikan të një shqiptari. Mijëra klientë e frekuentonin çdo ditë, ndërsa në muret e restorantit vareshin fotografi me presidentë amerikanë, senatorë, artistë, diplomatë dhe figura të njohura amerikane dhe botërore.

Për të përmendur vetëm disa prej të ftuarve të tij të rregullt, në këtë listë u shfaqën Frank Sinatra, John F. Kennedy, Richard Nixon, Henry Kissinger, Elizabeth Taylor dhe Alfred Hitchcock, si dhe shumë personalitete të tjera. Sidoqoftë, as fama dhe as pasuria nuk ia ndryshuan karakterin. Anthony nuk e harroi kurrë vendlindjen, nuk e harroi gjuhën dhe nuk e harroi kombin. Përkundrazi, sa më shumë rritej emri i tij në Amerikë, aq më i madh bëhej angazhimi i tij që të shërbente me qëllim të qartë për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në këtë drejtim, Anthony Athanas është njohur edhe historikisht si një nga figurat më të rëndësishme të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt i kësaj strukture, duke mbajtur gjallë lidhjen midis shoqërive shqiptaro-amerikane dhe vlerave që i shërbenin komunitetit. Përvjetori i lindjes së tij, ashtu si shumë data të tjera domethënëse, nuk është thjesht një moment për t’u kthyer pas, por një rast reflektimi mbi atë çfarë përfaqësonte Anthony: punën e palodhur, integritetin, mirënjohjen ndaj vendit që i hapi dyert dhe besnikërinë e pandërprerë ndaj Shqipërisë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version