“Kushtetutat nuk shkruhen vetëm për kohët kur institucionet funksionojnë, por mbi të gjitha për momentet kur ato vihen në provë.” Kjo fjali përmbledh mirë arsyen pse po rikthehet vëmendja te mënyra se si interpretohen procedurat parlamentare në Kosovë, sidomos kur ato rrezikojnë të prodhojnë pasoja që tejkalojnë synimin e vetë Kushtetutës.
Një parim bazë i demokracisë parlamentare është se sovraniteti i qytetarëve materializohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë të lirë. Në këtë logjikë, legjitimiteti politik vjen nga zgjedhjet, ndërsa procedurat parlamentare ekzistojnë që ta bëjnë të mundur ushtrimin e këtij legjitimiteti. Ato nuk janë krijuar për ta zëvendësuar votën e qytetarëve, as për ta neutralizuar atë.
Debati i viteve të fundit në Republikën e Kosovës ka nxjerrë në pah një dilemë kushtetuese: a mundet që një interpretim procedural të krijojë pasoja që ndryshojnë ekuilibrin e projektuar nga Kushtetuta? Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar mbi modelin e demokracisë parlamentare. Në këtë model, qytetarët zgjedhin Kuvendin; Kuvendi krijon shumicën qeverisëse; Qeveria merr përgjegjësinë për drejtimin e shtetit; ndërsa Presidenti garanton unitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të sistemit. Këto role synojnë të jenë të dallueshme dhe të balancuara.
Megjithatë, kur procedura parlamentare interpretohet në mënyrë që një pakicë të mund të pengojë për një kohë të pacaktuar funksionimin normal të Kuvendit, shfaqet një paradoks demokratik. Në thelb, legjitimiteti që qytetarët ia kanë dhënë shumicës përmes votës relativizohet nga fuqia procedurale e pakicës për të bllokuar institucionet. Kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me efikasitetin institucional. Ajo prek më thellë filozofinë kushtetuese dhe mënyrën se si duhet të funksionojnë mekanizmat e demokracisë në praktikë.
Kur procedura e tejkalon sovranin
Në teorinë moderne të së drejtës kushtetuese, procedura nuk është qëllim më vete. Ajo shërben si instrument për realizimin e vullnetit demokratik. Nëse instrumenti fillon ta pengojë qëllimin për të cilin është krijuar, atëherë lind nevoja për rishqyrtim të interpretimit të tij. Pikërisht në këtë pikë hapet pyetja: a është ruajtur balanca mes mbrojtjes së të drejtave të pakicës parlamentare dhe të drejtës së shumicës për të ushtruar mandatin që i është besuar nga qytetarët?
Pakica parlamentare duhet të ketë garancitë kushtetuese për debat, kontroll dhe rol opozitar. Por në një demokraci parlamentare, ajo nuk mund të arrijë përmes procedurës atë që nuk e fitoi përmes votës. Përndryshe, mekanizmat e kontrollit dhe të pjesëmarrjes kthehen në pengesa që deformojnë funksionimin e institucioneve. Në të njëjtën linjë, edhe roli kushtetues i Presidentit nuk duhet të zgjerohet si pasojë e bllokimeve procedurale. Presidenti është garant i rendit kushtetues dhe simbol i unitetit të shtetit; ai nuk është projektuar të shndërrohet në qendrën e domosdoshme të zgjidhjes së çdo krize politike.
Nëse sistemi prodhon vazhdimisht situata ku funksionimi i institucioneve varet nga ndërhyrja ose ndërmjetësimi presidencial, problemi nuk qëndron te personi që ushtron detyrën. Problemi lidhet me mënyrën se si po funksionon arkitektura kushtetuese në praktikë. Prandaj, debati nuk duhet të lidhet vetëm me emra apo me rrethanat e momentit. Duhet të kthehet te pyetja themelore: a i shërben interpretimi aktual i procedurave frymës së Kushtetutës, apo po krijon një sistem ku procedura mbizotëron mbi sovranin?
Në fund, demokracia parlamentare nuk matet vetëm me ekzistencën e rregullave procedurale. Ajo matet me aftësinë e institucioneve për ta respektuar vullnetin e qytetarëve, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin kushtetues, balancën ndërmjet pushteteve dhe stabilitetin institucional. Pikërisht ky është standardi që duhet të udhëheqë çdo diskutim serioz për të ardhmen kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Botuar fillimisht në Bota Sot