Në kulmin e verës, entuziazmi dominonte në kryeqytetet financiare të botës. Tregu amerikan i aksioneve arriti një nivel të ri rekord, i nxitur nga revolucioni i Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nga besimi i investitorëve se vala masive e investimeve do të mund të tejkalonte ndikimin negativ të luftës me Iranin. Por tashmë, sinjalet paralajmëruese po shfaqen gjithnjë e më qartë, ndërsa tregjet financiare po hyjnë sërish në trazira.
Sipas skenarëve që po rrisin shqetësimin, intensifikimi i luftimeve në Lindjen e Mesme pa shenjë të qartë zgjidhjeje po e mban klimën e pasigurisë të lartë. Paralelisht, një ngadalësim po kërcënon “garën e armatimit” në fushën e AI-së. Në të njëjtën kohë, situata tejet e paqëndrueshme në tregun e borxhit qeveritar po i shton presionin investitorit, teksa rriten kostot e huamarrjes dhe rrezikohet të krijohen pasoja zinxhir në financat e ekonomive familjare, bizneseve dhe qeverive në mbarë globin.
Pak ditë më parë, kostot e huamarrjes së qeverisë amerikane u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2007. Ky zhvillim, në kontekstin aktual, rrit mundësinë që tensionet të përhapen më tej, jo vetëm në tregjet financiare, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Në planin tjetër, ekziston edhe frika se lufta e Donald Trump-it po nxit nivele më të larta inflacioni, ndërsa planet e presidentit për taksat dhe shpenzimet po e çojnë borxhin e Uashingtonit mbi 40 trilionë dollarë, rreth 35 trilionë euro. Pikërisht këto elemente po i mbajnë investitorët në gatishmëri, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj çdo lëvizjeje që mund të kthehet në goditje më të madhe.
Nafta po ndez presionin: a rrezikohet ‘shembja’ në aksione?
Ndërsa çmimi global i naftës ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, tregu po përballet me një presion të fortë shitjesh në tregun e obligacioneve. Në këtë linjë, lind pyetja nëse aksionet mund të jenë hapi i radhës drejt një rënieje të menjëhershme dhe të thellë. “Këto janë kohë të trazuara”, ka shkruar Albert Edwards, analist i lartë në bankën franceze të investimeve Société Générale, në një shënim drejtuar klientëve. Ai thekson se shqetësimi kryesor për investitorët dhe për politikëbërësit është se deri në çfarë mase “goditja” aktuale nga çmimi i naftës do të përhapet në ekonominë globale dhe nëse do të kërkohen norma interesi dukshëm më të larta, çka mund të shkaktojë recesion.
Edwards, i njohur për parashikime pesimiste, argumenton se po krijohen kushtet për një krizë financiare. Shqetësimi se lufta me Iranin mund të nxisë inflacionin është aq i madh, saqë Rezerva Federale e SHBA-së ka vepruar në kundërshtim me qëndrimin e Donald Trumpit këtë javë, duke rritur normat e interesit për herë të parë që nga viti 2023. Ndërkohë, familjet dhe bizneset po përballen me presionin e faturave në rritje të energjisë dhe me çmime të larta të karburantit. Për këtë arsye, edhe në vende të tjera bankat qendrore janë duke marrë masa, duke ndryshuar ritmet e politikës monetare për të frenuar inflacionin që mund të bëhet i qëndrueshëm.
Tregjet financiare parashikojnë se Banka e Anglisë do t’i rrisë normat e interesit katër herë para fundit të vitit të ardhshëm, edhe pse këtë javë vendosi t’i mbajë kostot e huamarrjes të pandryshuara. Banka Qendrore Evropiane i rriti normat pak ditë më parë, duke theksuar goditjen që po pëson zona euro nga përshkallëzimi i konfliktit. Po ashtu, Banka e Japonisë e rriti normën e saj bazë në nivelin më të lartë të 31 viteve të fundit të premten. Logjika pas këtyre vendimeve është se rritja e kostos së huamarrjes do të ushtrojë presion mbi ekonominë, duke kufizuar mundësinë që nivelet e larta afatshkurtra të inflacionit të kthehen në problem afatgjatë. Por, ky mekanizëm godet direkt familjet dhe bizneset që tashmë po përballen me krizën e kostos së jetesës.
Në këtë mjedis, rreziku i humbjes së vendeve të punës ka gjasa të rritet, duke shtuar sfidat për qeveritë që janë të zhytura në borxhe. Historikisht, recesioni në SHBA ka ardhur mesatarisht rreth 3 deri në 3,5 vjet pas rritjes së parë të normave të interesit, sipas përllogaritjeve të Jim Reid nga Deutsche Bank. Për tregjet, modeli është i tillë që ato shpesh bien ose pësojnë “shembje” përpara se të nisë recesioni dhe, po ashtu, shpesh fillojnë të rimëkëmben para se ekonomia të shohë vërtet rimëkëmbje. Megjithatë, shqetësimi më i madh lidhet me shpresën kryesore për rimëkëmbje ekonomike, Inteligjencën Artificiale (AI), që mund të rezultojë një zhgënjim, mes frikës se teknologjia ka nxitur një “flluskë gjigante” në tregun amerikan të aksioneve.
Një studim nga “Fathom Consulting” tregon se, që bumi shumë-trilionë dollarësh i Inteligjencës Artificiale (IA) të gjenerojë fitim, shitjet e lidhura me IA-në nga kompanitë teknologjike pjesëmarrëse do të duhet të rriten me një vlerë midis 600 dhe 800 miliardë dollarëve brenda dy viteve. Por në një klimë ku durimi i investitorëve po vihet gjithnjë e më shumë në provë, firma konsulente vlerëson se ekziston një probabilitet prej 30% që “flluska” e IA-së të plasë vitin e ardhshëm. Brian Davidson, ekonomist pranë kësaj firme, ka theksuar se, pavarësisht përparimeve mbresëlënëse në teknologjitë e IA-së vitet e fundit, logjika ekonomike që qëndron pas bumit aktual të shpenzimeve kapitale nuk qëndron: shitjet e modeleve të IA-së duhet të rriten me qindra miliarda dollarë në vit gjatë dy viteve të ardhshme për të justifikuar shpenzimet aktuale, por kjo duket e pamundur. Në këtë situatë, frika e investitorëve rritet, ndërsa më shumë se 1,000 investitorë u regjistruan për një thirrje analistësh.
Botuar fillimisht në Telegrafi
