Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke vlerësuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës dhe miratimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës.
Aliçkaj i ka cilësuar këto si zhvillime të rëndësishme për vendin, pasi i japin fund një periudhe të gjatë bllokadash institucionale që, sipas tij, rrezikonin ta shtynin Kosovën drejt një kaosi politik dhe institucional. Ai thekson se vendimi i kontestuar i Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së ka ndikuar në vetëdijesimin e faktorëve politikë për seriozitetin e situatës.
Në këtë kontekst, Aliçkaj thotë se “më në fund” kanë mbizotëruar zërat e arsyes dhe përgjegjësia shtetërore, duke i dhënë një goditje të rëndësishme përpjekjeve të Serbisë dhe faktorëve të tjerë që, sipas tij, synonin destabilizimin dhe dobësimin e Kosovës.
Aliçkaj kërkon reforma: Presidenti të votohet drejtpërdrejt nga populli
Përtej vlerësimit të vendimeve parlamentare dhe të institucioneve, Aliçkaj ka nënvizuar edhe rolin e liderëve politikë në arritjen e kompromisit për tejkalimin e krizës institucionale. Ai përmend Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si emra që, sipas tij, kanë pasur meritë të veçantë në zhbllokimin e institucioneve.
Aliçkaj thotë se arritja e kompromisit tregoi se bashkëpunimi është i mundur kur interesi shtetëror vendoset mbi interesat personale dhe partiake. Ai e lidh këtë proces edhe me respektimin e vullnetit demokratik të popullit, i shprehur përmes tri proceseve zgjedhore, ku qytetarët i dhanë besimin Kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij për një mandat të ri qeverisës.
Por, sipas Aliçkajt, tashmë populli pret rezultate konkrete. Ai thekson se qytetarët kanë votuar dhe se radha i takon Qeverisë që ta arsyetojë besimin përmes punës dhe rezultateve, duke u fokusuar në rritjen e mirëqenies, zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e shtetit.
Sa i përket presidentes së re, Aliçkaj vlerëson se përvoja akademike, profesionale dhe institucionale e Justina Shiroka-Pulës krijon mundësi për një qasje të re në udhëheqjen e institucionit. Ai pohon se prioritetet duhet të përfshijnë forcimin e unitetit institucional, bashkëpunimin ndërmjet forcave politike dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të Kosovës. Po ashtu, ai thekson rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik, si dhe integrimit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare.
Aliçkaj thekson se presidentja duhet të ushtrojë rolin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të shërbejë si faktor dialogu ndërmjet subjekteve politike. Ai shprehet se presidentja duhet të jetë “Presidente e të gjithë qytetarëve”, jo përfaqësuese e një partie politike. Po ashtu, sipas tij, ajo duhet të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin, duke ruajtur pavarësinë kushtetuese dhe dinjitetin e institucionit, si dhe të nxisë dialogun ndërmjet pozitës dhe opozitës për parandalimin e krizave të ardhshme.
Në fund, Aliçkaj i kthehet çështjes së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, duke thënë se nga kriza duhet nxjerrë një mësim jetik: Kosova ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të pamundësonin keqpërdorimin e zgjedhjes së Presidentit për bllokimin e institucioneve. Ai propozon si zgjidhje zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Nëse kjo nuk realizohet së shpejti, sipas tij, duhet të shqyrtohen rregullat dhe interpretimi kushtetues për kuorumin në zgjedhjen e Presidentit, duke e quajtur problematik interpretimin që kërkon prani të të paktën 80 deputetëve edhe në raundin përfundimtar, kur për zgjedhjen kërkohen 61 vota. Aliçkaj paralajmëron se ky mekanizëm krijon mundësi që mungesa e deputetëve të përdoret për bllokimin e shtetit dhe thotë se një dukuri e tillë nuk duhet konsideruar demokratike, por “bllokadokratike”.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e funksionimit të institucioneve pas krijimit të shumicës parlamentare, si dhe nevojën që të respektohen të drejtat e opozitës dhe komuniteteve joshumicë.
Botuar fillimisht në Bota Sot



