Stresi në punë, detyrimet familjare dhe problemet shëndetësore janë ndër faktorët që mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e gjumit. Edhe kur nuk i kontrollojmë dot rrethanat që na mbajnë zgjuar, ekzistojnë disa ndryshime praktike në rutinën e përditshme që mund të bëjnë diferencë të vërtetë.
Një nga hapat më të rëndësishëm është krijimi i një orari të rregullt gjumi. Për të rriturit rekomandohet të flenë të paktën shtatë orë, ndërsa shumica nuk kanë nevojë për më shumë se tetë orë. Respektimi i një regjimi të qëndrueshëm e ndihmon trupin të vendosë ritmin natyral dhe ta ketë më të lehtë të kalojë në gjendjen e pushimit.
Po ashtu, është e rëndësishme të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni në të njëjtën kohë çdo ditë. Kjo mënyrë e të bërit “program” e forcon ciklin biologjik. Nëse gjumi nuk vjen brenda rreth 20 minutash, këshillohet të ngriheni nga shtrati dhe të angazhoheni në një aktivitet relaksues, si leximi ose dëgjimi i muzikës së qetë. Ideja është të mos e ktheni shtratin në vend ku luftoni me mendimet dhe pagjumësinë.
Rutina e qëndrueshme dhe qetësimi i mendjes bëjnë diferencën për gjumë më të mirë
Një tjetër element që ndikon drejtpërdrejt te gjumi është ushqimi para gjumit. Nuk rekomandohet të shkoni në shtrat të uritur, por as të hani një vakt të rëndë menjëherë para se të flini. Përveç kësaj, duhet shmangur konsumimi i nikotinës, kafeinës dhe alkoolit, sepse këto mund ta prishin gjumin dhe ta bëjnë më të vështirë ruajtjen e tij gjatë natës.
Dhoma e gjumit ka një rol po aq të madh. Ajo duhet të jetë e freskët, e errët dhe e qetë. Gjithashtu, përdorimi i telefonit, televizorit dhe pajisjeve të tjera elektronike para gjumit mund ta bëjë më të vështirë përtrimin dhe fjetjen. Kur trupi ekspozohet ndaj ekranit dhe stimujve pak para shtratit, shpesh rritet vigjilenca dhe ulet shansi për të rënë rehat në gjumë.
Edhe gjumi gjatë ditës nuk duhet neglizhuar. Edhe pse mund të duket si zgjidhje kur jemi të lodhur, gjumi i gjatë gjatë ditës mund të ndikojë negativisht në pushimin e natës. Ekspertët këshillojnë që gjumi i pasdites të mos zgjasë më shumë se një orë dhe të shmanget sidomos në orët e vona. Në këtë mënyrë, trupi ruan më mirë ekuilibrin mes energjisë gjatë ditës dhe nevojës për gjumë gjatë natës.
Aktiviteti i rregullt fizik mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së gjumit, por ka rëndësi edhe koha. Ushtrimet intensive nuk rekomandohen pak para se të shkoni në shtrat, sepse mund ta rrisin aktivitetin e organizmit dhe ta bëjnë më të vështirë qetësimin. Po ashtu, menaxhimi i stresit dhe qetësimi i mendjes janë thelbësore: shkrimi i shqetësimeve, organizimi i detyrave dhe meditimi mund të ndihmojnë në uljen e ankthit para gjumit.
Kardiologu Virend Somers paralajmëron se mungesa e gjumit ndikon në të gjitha organet e trupit dhe mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, obezitetit, depresionit dhe demencës. Në të njëjtën linjë, ai rekomandon që ekranet të fiken të paktën një orë para gjumit dhe që dhoma e gjumit të përdoret vetëm për pushim. Këto zakone të thjeshta synojnë ta bëjnë natën më të qetë dhe më të qëndrueshme, duke rritur shanset që trupi të gjejë ritmin e duhur për të pushuar mirë.
Botuar fillimisht në Bota Sot





