Zulfaj: Kosova përshpejton reformat për Planin e Rritjes

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka marrë pjesë në takimin ministror të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, i cili u mbajt sot në Tiranë dhe i parapriu takimit të kryeministrave.

Përmes një postimi, Zulfaj bëri të ditur se në këtë takim u diskutua për përshpejtimin e reformave, integrimin e Kosovës në tregun e përbashkët evropian dhe pengesat që, sipas tij, vazhdojnë ta vështirësojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Zulfaj theksoi se, pas dy vitesh bllokadë në Kuvend, Kosova tashmë ka stabilitet institucional. Sipas tij, me Qeverinë në mandat të plotë dhe me Kuvendin funksional, janë rritur ritmet e punës në drejtim të reformave që kërkon Procesi i Planit të Rritjes.

Reformat e Planit të Rritjes nuk do të mbeten pas afateve

Duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit një ditë më parë në Bruksel, në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Zulfaj ritheksoi se asnjë reformë e Planit të Rritjes nuk do të lihet pas. Ai sqaroi se reformat që kanë kaluar afatin do të përmbushen njësoj, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për zotime ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kryenegociatori përmendi gjithashtu se është kërkuar nga Komisioni Evropian që edhe reformat e përfunduara pas afatit periodik, por brenda afatit të zbatimit të Agjendës së Reformave, të llogariten në kalkulimin e përmbushjes së reformave. Në këtë kontekst, Zulfaj bëri të ditur se Kosova ka pranuar 61.8 milionë euro parafinancim. Ai shtoi se kërkesa e parë për pagesë përfshin 20 hapa të përfunduar, ndërsa pret që së shpejti të bëhet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian.

Në vijim, Zulfaj tha se fokusi aktual është te 22 hapat që kanë afat deri më 31 dhjetor, ku përfshihen edhe dhjetë projektligje. Për të shpejtuar zbatimin e reformave pa cenuar standardet, ai propozoi që ekspertët e Bashkimit Evropian dhe TAIEX të përfshihen që në fazën fillestare të hartimit të ligjeve, e jo vetëm në fund të procesit.

Sa i përket integrimit në tregun e përbashkët evropian, Zulfaj përmendi aplikimin e Kosovës për SEPA. Ai tha se përmes këtij procesi, qytetarët, bizneset dhe mërgata, sipas vlerësimeve që qarkullojnë në këto mekanizma, do të kursejnë mbi 50 milionë euro në vit. Ai veçoi edhe hapjen e negociatave për “Roam Like at Home”, përfundimin e projektit WiFi4WB në të 33 komunat e përzgjedhura dhe lansimin e identitetit dhe portofolit digjital.

Ndërkaq, Zulfaj njoftoi se po punohet në tri sektorë prioritarë të industrisë, si dhe në hartimin e një udhërrëfyesi drejt marrëveshjes ACAA për produktet industriale. Në të njëjtën kohë, ai foli për pengesat që, sipas tij, vazhdojnë ta mbajnë Kosovën prapa në procesin e integrimit evropian. Si shembuj, përmendi bllokimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët që nga viti 2018, pamundësinë e qytetarëve që të udhëtojnë me letërnjoftim drejt Bosnjë e Hercegovinës, si dhe çështjen e pazgjidhur të njohjes së diplomave me Serbinë.

“Parimi i Planit të Rritjes është i qartë, asnjë vend i rajonit nuk duhet të bllokojë qasjen e një tjetri në tregun e BE-së”, deklaroi Zulfaj. Në përmbyllje, ai rikujtoi se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe tha se tashmë kanë nisur përgatitjet për përgjigjet në pyetësorin e BE-së si dhe për krijimin e strukturave negociuese. “Kosova është gati për hapin e radhës”, përfundoi Zulfaj, duke falënderuar ministren dhe kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, për mikpritjen dhe ndarjen e përvojës së Shqipërisë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version