Zjarret, thatësira dhe stuhitë e fuqishme po godasin një pjesë të madhe të Evropës, ndërsa kushtet ekstreme kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë në vende të ndryshme. Në verilindje të Spanjës, zjarrfikësit po përballen me flakët me ndihmën e 30 aeroplanëve kundër zjarreve pyjore, pasi një zjarr i madh ka çuar në evakuimin e rreth 1 mijë personave. Sipas informacioneve, situata vjen pas valëve të fundit të të nxehtit që kanë tharë bimësinë në pjesën më të madhe të kontinentit.
Vala e temperaturave të larta ka shtyrë termometrat në nivele të papara në zona të mëdha të Evropës. Efektet janë ndier në mungesë uji, dëme në të mbjella dhe një numër vdekjesh më të lartë se zakonisht. Agjencia Reuters njoftoi se temperatura mesatare në Evropë sot është 27.5 gradë Celsius, 4.2 gradë më e lartë se mesatarja e temperaturave maksimale për datën 17 korrik në periudhën 1961-1990.
Në Francë, thatësira ka vijuar të përkeqësohet çdo ditë që nga fundi i muajit maj. Përveç ndikimit në mjedis, temperaturat e larta në Detin Mesdhe kanë krijuar edhe problem për industrinë energjetike: një central bërthamor në jug të vendit mund të detyrohet të ndalojë punën, pasi uji është shumë i ngrohtë për ftohjen e reaktorëve. Ndërkohë, gjatë motit ekstrem janë shënuar edhe viktima.
Vala e nxehtit dhe ekstremet po përplasen në disa vende të Evropës
Dy persona kanë humbur jetën në Francën qendrore dhe lindore. Njëra prej viktimave është një grua në zonën Saint-Victurnien, në departamentin Haute-Vienne, e cila vdiq pasi një pemë u rrëzua mbi të. Në lindje të vendit, në Dolomieu, u gjet trupi i një burri në një punishte të shkatërruar nga zjarri. Sipas agjencisë AFP, zjarri në këtë rast ishte shkaktuar nga një goditje rrufeje.
Ndërsa moti ka sjellë probleme edhe në energji, të dhënat e operatorit francez të rrjetit elektrik Enedis tregojnë se gjithsej 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Problemet më të mëdha me furnizimin janë regjistruar në rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe Nouvelle-Aquitaine në jugperëndim të Francës. Në të njëjtën kohë, edhe Gjermania ka përjetuar pasoja nga thatësira, pasi niveli i ulët i ujit në lumin Rajna ka penguar transportin lumor dhe ka çuar në rritjen e kostove të transportit.
Ndërsa në disa zona temperaturat kanë filluar të bien, po shfaqen stuhi të fuqishme. Raportimet flasin për dy viktima Në Francë, ndërkohë që paralajmërimet vazhdojnë. Shërbimi meteorologjik spanjoll ka paralajmëruar se temperaturat do të fillojnë të rriten sërish të dielën. Në disa zona të Andaluzisë dhe La Mançës priten temperatura nga 42 deri në 44 gradë Celsius, si pasojë e ajrit të nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut.
Edhe flakët në Spanjë nuk janë shuar. Një zjarr pyjor pranë Ores, në rajonin verilindor të Aragonës, është përhapur gjatë natës së të premtes në një sipërfaqe prej më shumë se 12 mijë hektarësh. Për shuarjen e tij po angazhohen rreth 300 ushtarë, të mbështetur nga helikopterë dhe pesë avionë kundër zjarreve. Zjarrfikësit po punojnë gjithashtu për të kontrolluar flakët pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara, ku janë djegur rreth 1500 hektarë dhe është evakuuar një kamp veror për fëmijë.
Në nivel europian, paralajmërimet kanë qenë të qarta. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi javën e kaluar se Evropa përballet me “disa javë vdekjeprurëse”, për shkak të valëve të reja të të nxehtit që po formohen mbi Oqeanin Atlantik. Shkencëtarët që monitorojnë të ashtuquajturat “vdekje të tepërta” thanë se gjatë valëve të të nxehtit në fund të qershorit kanë vdekur mijëra persona më shumë se zakonisht për këtë periudhë të vitit.
Botuar fillimisht në Telegrafi






