Futbolli po forcon vazhdimisht pozitat e tij në Shqipëri dhe mbetet, siç tregohet në një raport të fundit të UEFA-s, sporti më i ndjekur dhe më i praktikuar nga publiku. Gjetjet vijnë nga studimi “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë Nielsen, i cili ka sjellë shifra konkrete për mënyrën se si ka ndryshuar interesi i shqiptarëve ndër vite.
Sipas të dhënave të raportit, ka pasur një rritje të ndjeshme të interesit për futbollin gjatë viteve të fundit. Në vitin 2016, 65% e shqiptarëve deklaronin se ndiqnin futbollin, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 78%. Kjo e rendit Shqipërinë në krye të Europës për interesin ndaj futbollit, duke e kaluar dukshëm edhe mesataren europiane prej 48%.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i studimit lidhet me gjininë. Futbolli vazhdon të jetë sporti më i ndjekur si për meshkujt ashtu edhe për vajzat. Interesi i meshkujve shënon 91%, ndërkohë që për vajzat ka pasur rritje të dukshme: nga 42% në vitin 2016 në 65% aktualisht. Raporti nënvizon se kjo rritje nuk është e kufizuar në një grup të vetëm, pasi regjistrohet në të gjitha grupmoshat, me grupmoshën 45-54 vjeç që tregon progresin më të madh.
Interesi për futbollin: rritje nga 65% në 78% në pak vite
Studimi shkon më tej, duke treguar se futbolli nuk tërheq vetëm “ndjekës”, por krijon edhe një nivel të lartë pasioni. Mbi katër në dhjetë shqiptarë deklarojnë se janë shumë të apasionuar pas futbollit, ndërsa shtatë në dhjetë e shohin veten si tifozë të këtij sporti. Këto të dhëna lidhen edhe me arsyet pse publiku lidhet me futbollin. Mes faktorëve kryesorë që i afrojnë shqiptarët me futbollin janë cilësia e lojës, koha e kaluar me familjen dhe miqtë, si dhe atmosfera që ofrojnë stadiumet.
Përtej ndjekjes, raporti tregon se futbolli është edhe aktiviteti sportiv më i praktikuar nga të rriturit në vend. Pjesëmarrja në futboll ka njohur rritje të konsiderueshme: nga 18% në vitin 2016 në 34% aktualisht. Në këtë kuadër, studimi evidenton se tre në pesë shqiptarë kanë luajtur futboll të paktën një herë gjatë jetës së tyre, duke treguar që sporti ka arritur të jetë pjesë reale e përditshmërisë dhe jo vetëm një interes mediatik.
Si e praktikojnë futbollin ata që luajnë si amatorë? Sipas të dhënave, shumica e futbollistëve amatorë e zgjedhin këtë sport në mënyrë joformale, zakonisht me miq dhe në komunitet. Në këtë mënyrë, loja kthehet në një mundësi për lidhje shoqërore, por edhe për përfitime fizike. Raporti nënvizon se përfitimet fizike dhe emocionale janë motivet kryesore që i mbajnë të lidhur me lojën, duke e bërë futbollin një aktivitet që shërben si për trupin, ashtu edhe për disponimin.
Një element i rëndësishëm i raportit lidhet me ndikimin që kanë pasur investimet në futboll. Të dhënat konfirmojnë ndikimin pozitiv të investimeve të Federatës së Futbollit në zhvillimin e sportit, përmes projekteve të masivizimit, përmirësimit të infrastrukturës dhe zgjerimit të mundësive për të luajtur futboll në të gjithë vendin. Përveç kësaj, futbolli ruan edhe një imazh të fortë në perceptimin publik: me një vlerësim pozitiv prej 7.5 pikësh, ai vazhdon të jetë sporti me imazhin më të mirë në Shqipëri, duke ruajtur një diferencë të konsiderueshme ndaj çdo sporti tjetër.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres
