Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras i është përgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama, pas reagimit të këtij të fundit ndaj deklaratës së një force politike të re greke, ELAS. Në qendër të debatit kanë qenë incidentet që, sipas njoftimeve, kanë ndodhur në zonën e Vlorës dhe që lidhen me pretendime për dhunë ndaj një qytetari grek dhe anëtar i Minoritetit Kombëtar Grek.
Tsipras shprehet se u habit nga mënyra se si Rama e lidhi çështjen me retorikën nacionaliste, duke theksuar se ai vetë nuk e sheh të udhës të ketë “leksione” publike për nacionalizmin. Ai i drejtohet Ramës drejtpërdrejt në një postim të shpërndarë publikisht, ku thotë se nuk është i zemëruar, por se e ka të vështirë ta kuptojë faktin që nxitimi për reagim u shpreh me tone të ashpra.
“Edhe unë shpresoj që je mirë”, shkruan Tsipras në mesazhin e tij, duke e vijuar me faktin se i ka bërë përshtypje reagimi i Ramës ndaj njoftimit të Koalicionit të Majtë Grek (ELAS). Sipas Tsipras, i njëjti njoftim lidhej me dhunën e ushtruar ndaj një qytetari grek dhe anëtari të Minoritetit Kombëtar Grek, i cili u shoqërua me një kujtesë për nevojën për t’u pajtuar me acquis evropiane.
Tsipras: s’ka vend për leksione publike mbi nacionalizmin
Ai thekson se secili prej tyre e vërteton qëndrimin ndaj nacionalizmit përmes veprimeve. Më tej, Tsipras i kujton Ramës se përpjekjet politike të tyre, vendimet e vështira dhe arritjet për paqe e bashkëpunim në rajon, përfshirë Marrëveshjen historike të Prespës, nuk i japin askujt të drejtën për të mbajtur leksione publike mbi atë se çfarë është nacionalizmi apo se çfarë përfshin e majta e shekullit të 21-të.
Sipas mesazhit të tij, është e rëndësishme të mos ngatërrohet detyra patriotike për të mbrojtur të drejtat e pakicës kombëtare, si edhe të çdo pakice tjetër, me nacionalizmin. Tsipras paralajmëron se nacionalizmi, “për fat të keq”, po helmon sërish mendjet dhe marrëdhëniet mes njerëzve, duke e kthyer debatin nga akuzat e drejtpërdrejta te nevoja për standarde dhe qasje të mbështetura në ligj e të drejta.
Ndërkohë, ish-kryeministri grek thotë se është i kënaqur që janë marrë masa kundër atyre që morën pjesë në incident. Ai shpreh edhe pritshmërinë që autoritetet përkatëse të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave legjitime të çdo qytetari të përfshirë në këtë çështje. Në logjikën e tij, forcat progresive janë gjithmonë në favor të ruajtjes së sundimit të ligjit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për incidente të izoluara apo incidente që përsëriten.
Tsipras e vendos edhe këtë çështje në një kontekst më të gjerë evropian, duke iu referuar perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rëndësisë së ruajtjes së të drejtave të pronës për të gjithë qytetarët shqiptarë, “dhe sigurisht për Pakicën Kombëtare Grek”. Ai nënvizon se çdo hap thelbësor përpara, në këtë drejtim, do të kontribuojë për perspektivën evropiane të një Shqipërie miqësore, ndërsa çdo hap prapa do të krijonte pengesa.
Mesazhi përmbyllet me një urim dhe pritshmëri për bashkëpunim. Tsipras thotë se i uron të mirat Ramës dhe pret me padurim bashkëpunimin e ardhshëm, si për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë miqësore, ashtu edhe për marrëdhëniet greko-shqiptare.
Botuar fillimisht në Telegrafi
