Presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale, duke iu referuar paralajmërimeve të forta që janë dhënë së fundmi nga ekspertë dhe drejtues të industrisë. Ai i bëri komentet gjatë një vizite në Irlandë, ku tha se disa zëra po e “ngrejnë” çështjen në mënyrë të tepruar dhe po flasin për skenarë që, sipas tij, nuk do të ndodhin.
Trump u shpreh se “Ka shumë forca negative që po e ngrenë këtë çështje, edhe pse nuk duhet ta bëjnë, dhe po flasin për gjëra që nuk do të ndodhin”. Ky qëndrim vjen pasi në ditët e fundit kanë qarkulluar paralajmërime të ashpra për rreziqet e mundshme nga zhvillimi i shpejtë i sistemeve të AI-së, si dhe thirrje për vendosjen e qasjeve më të kujdesshme.
Në këtë debat është përmendur edhe një ish-studiues i kompanisë Anthropic, i cili ka deklaruar se “ka një mundësi të madhe që të gjithë të vdesim në të ardhmen e afërt” nëse ritmi aktual i zhvillimit të inteligjencës artificiale vazhdon. Paralajmërimi ka nxitur diskutime të gjera, ndërsa Të shtunën, drejtues të lartë të industrisë duket se kanë rënë dakord me shqetësimet dhe kanë bërë thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të teknologjive të avancuara.
Trumpi lidh AI-në me garën: “Ne po e kryesojmë Kinën”
Gjatë të njëjtës periudhë, Trump nuk ka folur drejtpërdrejt për idenë e një ngadalësimi të zhvillimit, por ka theksuar qasjen e vet në kuadër të konkurrencës globale. Ai ka thënë: “Ne po e kryesojmë Kinën në AI… dhe, sinqerisht, dua që të vazhdojë kështu, sepse kush fiton në AI, fiton”. Kjo lë të kuptohet se për presidentin amerikan, çështja kryesore mbetet ruajtja e avantazhit në garën teknologjike, sidomos ndaj Kinës.
Trumpi i bëri këto komente në të njëjtën ditë kur studiuesi i AI-së Jacob Coxon, i cili ishte larguar nga Anthropic disa ditë më parë, iu drejtua BBC-së me një tjetër këndvështrim. Coxon tha se punonjësit që po zhvillonin këto sisteme ishin “vërtet të frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit. Edhe pse ai ka mirëpritur idenë e ngadalësimit të zhvillimit, sipas tij kjo do të duhej të koordinohej me Kinën, në mënyrë që të mos krijoheshin disbalanca në garë.
Në anën tjetër të debatit, të Shtunën u raportua edhe mbështetja e paralajmërimit për ngadalësim nga persona të njohur në ekosistemin e teknologjisë. Elon Musk, pronari i xAI-së, dhe Sam Altman nga OpenAI kanë mbështetur thirrjen që kreu i Anthropic, Dario Amodei, ka bërë për nevojën që ritmi i zhvillimit të ngadalësohet “për të zvogëluar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq”. Këto qëndrime tregojnë se shqetësimet për ndikimin e mundshëm të AI-së po kalojnë edhe nga fusha teknike në diskutime politike dhe strategjike.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Anthropic ka theksuar se çdo ngadalësim duhet të jetë i kufizuar. Sipas kësaj qasjeje, ideja është që ritmi të mos ndalet në mënyrë drastike, me synimin që Kina të mos arrijë përpara. Çështjet që lidhen me inteligjencën artificiale kanë nxitur një debat të ashpër dhe po vendosin liderë dhe institucione përpara një dileme të vështirë: si të balancohet përparimi i shpejtë teknologjik me sigurinë dhe rrezikun që mund të shfaqet gjatë rrugës.
Botuar fillimisht në Koha.net






