Sulejmani: Strategjia 2026-2032 nis reformat në arsim

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka folur për gjendjen aktuale në arsim, projektet e qeverisë dhe drejtimin që pritet të ketë sistemi arsimor në periudhën e ardhshme. Ai ishte i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” në Telegrafi Maqedoni, ku diskutoi për sfidat në arsim, propozim-ligjin e ri për arsimin e lartë dhe rolin e koalicionit VLEN në Qeveri.

Sulejmani theksoi se si VLEN, ashtu edhe Qeveria e shohin arsimin si një nga prioritetet kryesore. Megjithatë, ai nënvizoi se gjendja momentale nuk është në nivelin që do të merrej si çështje “për t’u lavdëruar”. Sipas tij, ekziston “shumë punë” që duhet të bëhet për të përmirësuar sistemin, duke nisur nga arsimi fillor e deri te arsimi i lartë.

Një nga pikat kyçe që Sulejmani solli në këtë diskutim është miratimi i Strategjisë arsimore 2026-2032. Ai tha se këtë vit është miratuar kjo strategji, e cila, sipas planifikimeve, parasheh reforma rrënjësore në arsim. “Këtë vit është miratuar Strategjia arsimore 2026-2032 me të cilën synohen reforma rrënjësore, që nga arsimi fillor deri te arsimi i lartë”, u shpreh Sulejmani.

Strategjia 2026-2032 synon reforma rrënjësore në arsim

Gjatë fjalës së tij, zëvendësministri foli edhe për elementet praktike që pritet të shoqërojnë zbatimin e strategjisë. Ai tha se do të ketë një mënyrë të re për financimin e shkollave dhe se janë përcaktuar kritere për zhvillimin e institucioneve arsimore. Po ashtu, Sulejmani përmendi se po punohet për optimizimin e sistemit arsimor, ku si qëllim është vendosja e mësimit me një ndërrim.

Një pjesë tjetër e bisedës u fokusua te propozim-ligji i ri për arsimin e lartë dhe te ndryshimi që lidhet me heqjen e nenit me të cilin ndalohet nepotizmi nëpër universitete. Sulejmani tha se nepotizmi si dukuri është i dënuar me ligj, por theksoi se autoritetet kanë menduar ta luftojnë më tej përmes rritjes së kritereve për avancim dhe punësime të reja. Sipas tij, me ligjin e ri kriteret janë rritur.

Ai shpjegoi konkretisht se për secilën zgjedhje që bëjnë profesorët në një titull të caktuar, do të kërkohet të plotësohen 6 deri 7 punime shkencore. Në këto punime, 3 deri 4 duhet të jenë në revista me ndikim ndërkombëtar. Me këtë, Sulejmani tha se synohet të pamundësohet familjarizimi në universitetet e vendit, duke e lidhur avancimin akademik me standarde më të larta të rezultateve shkencore.

Zëvendësministri ndau edhe detaje të tjera që parashihen në propozim-ligjin e ri, të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të universiteteve. Në pyetjen rreth tendencave të palës maqedonase për të lënë pas arsimin shqip, Sulejmani tha se të gjithë ata që janë të përfshirë në sistemin arsimor duhet ta kenë të qartë rëndësinë e arsimimit në gjuhën shqipe.

Ai e lidh këtë me Universitetin e Tetovës, duke theksuar se “Universitetin e Tetovës e kemi fituar me gjak”. Sulejmani tha se cilido që është i kyçur në sistemin arsimor dhe në mësimdhënie duhet ta ketë parasysh këtë realitet dhe punën e tij ta bëjë duke e mbajtur parasysh. Kjo vlen, sipas tij, edhe më shumë për të punësuarit në UT, të cilët duhet ta shohin si mision kombëtar ngritjen e cilësisë brenda universitetit dhe vetë universitetin.

Ndërkaq, për çështjen e uljes së numrit të nxënësve, Sulejmani tha se VLEN-i ka politika konkrete për të rritur natalitetin dhe për të nxitur qytetarët të qëndrojnë në vend. Ai theksoi se në secilën komunë ka rënie të numrit të nxënësve të klasës së parë, si dhe në shkollat e mesme. Sipas tij, kjo nuk është rezultat i sotshëm, por një proces i përgatitur nga politika jo të mira që, sipas deklarimit të tij, kanë synuar të ndikojnë që shqiptarët të mendojnë ta lëshojnë vendin.

Në fund, Sulejmani tha se partia politike që ai përfaqëson ka politika konkrete të sferës sociale për të stimuluar natalitetin. Ai nënvizoi edhe nevojën për punë në përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve, si pjesë e qasjes për të ndikuar pozitivisht në vendimmarrjen e familjeve.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version