Studim amerikan: adoleshentët po flenë më pak, rrjetet ndikojnë

Adoleshentët sot po flenë më pak se kurrë më parë, ndërsa koha para ekranit dhe përdorimi i rrjeteve sociale po luajnë një rol të rëndësishëm në këtë rënie. Një studim i ri amerikan sjell të dhëna shqetësuese mbi zakonet e gjumit te të rinjtë dhe tregon se trendi ka ardhur duke u përkeqësuar me kalimin e viteve.

Hulumtimi, i realizuar nga University of Minnesota School of Public Health, tregon “një rënie të vazhdueshme të gjumit në çdo grupmoshë”. Rezultatet më të fundit identifikojnë nivele rekord të ulëta të gjumit për të gjitha grupet e moshës të përfshira në analizë. Sipas gjetjeve, vetëm 22% e adoleshentëve më të rritur thanë se flinin të paktën shtatë orë çdo natë.

Rrjetet sociale po “vjedhin” orët e gjumit te adoleshentët

Studiuesit argumentojnë se disa pengesa për gjumin kanë ekzistuar edhe më herët, si rritja e detyrave të shkollës dhe aktiviteteve jashtëshkollore që shoqërojnë vitet e shkollës së mesme. Përveç kësaj, presioni shoqëror për të qëndruar zgjuar vonë me miqtë dhe puna e prindërve apo aktivitete të tjera kanë qenë faktorë që e kanë vështirësuar krijimin e orareve të rregullta të pushimit.

Megjithatë, në vitet e fundit kanë dalë edhe probleme që lidhen drejtpërdrejt me teknologjinë dhe mënyrën si po organizohet koha e lirë. Sipas autorës kryesore të studimit, Rachel Widome, profesorë në Universitetin e Minesotës, ndër faktorët e rinj janë ekranet dhe rrjetet sociale gjithnjë e më të pranishme. Ajo thekson edhe prani të faktorëve të stresit shoqëror në nivel më të gjerë, përfshirë pandeminë dhe trazirat.

Studimi evidenton gjithashtu rritje të pabarazive në rezultatet e gjumit. Adoleshentët me ngjyrë dhe latino, si dhe adoleshentët prindërit e të cilëve kanë nivele më të ulëta arsimimi, po bëhen gjithnjë e më pak të prirur të marrin gjumë të mjaftueshëm në krahasim me grupet e tjera. Kjo do të thotë se rënia e orëve të pushimit nuk po prek në mënyrë të njëjtë të gjithë të rinjtë, por po thellon diferenca mes grupeve të ndryshme.

Në këtë analizë, ndikimi më i madh vërehet te adoleshentët më të rritur. Sipas të dhënave, koha e gjumit bie vazhdimisht me rritjen e moshës. Rënia shfaqet jo vetëm në kohëzgjatjen e orëve të fjetjes, por edhe në ndjesinë se sa po arrihet të pushohet mjaftueshëm. Nga fillimi i adoleshencës deri në vitet e vona të saj, si perceptimi i pushimit të mjaftueshëm, ashtu edhe orët reale të gjumit ulen ndjeshëm.

Për realizimin e studimit u analizuan të dhëna nga Monitoring the Future, një anketë kombëtare afatgjatë që përfaqëson më shumë se 400,000 nxënës amerikanë të klasave të 8-ta, 10-ta dhe 12-ta. Të dhënat mbulojnë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2023, duke lejuar krahasime mes kohërave dhe identifikimin e trendit në të gjithë periudhën. Pjesëmarrësit iu përgjigjën dy pyetjeve kryesore: sa shpesh flinin të paktën shtatë orë në natë dhe sa shpesh mendonin se po pushonin mjaftueshëm.

Mungesa e gjumit lidhet me pasoja të menjëhershme në përditshmëri. Ajo kontribuon në lodhje gjatë ditës dhe ulje të funksionimit normal, si në aktivitetet e përditshme ashtu edhe në performancën në shkollë. Përtej kësaj, studimi thekson edhe lidhje të mundshme me probleme afatgjata, duke përfshirë çrregullime të shëndetit mendor, vështirësi në shkollë dhe probleme shëndetësore kronike në moshë madhore.

Botuar fillimisht në Koha.net

Exit mobile version