Si u krijua fondi “Vendlindja Thërret” në Zvicër për UÇK-në

Një rrëfim që vjen nga brenda organizimeve të asaj kohe hedh dritë mbi mënyrën si u organizua mbështetja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës jashtë vendit. Agush Buja, ish-sekretar i udhëheqjes së Lëvizjes Popullore të Kosovës jashtë vendit, tregon për krijimin dhe funksionimin e fondit “Vendlindja Thërret” në qytetin zviceran Winterthur, për mbledhjen e parave nga diaspora dhe për sigurimin e automjeteve ushtarake zvicerane, të cilat do të shërbenin për nevojat e luftës në Kosovë.

Shkrimi i botuar nga gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, sjell dëshminë e Bujës. Sipas tij, roli i Zvicrës në krijimin dhe ngritjen e UÇK-së ishte vendimtar, jo vetëm në aspektin organizativ, por edhe në atë financiar e logjistik.

Buja e përshkruan periudhën e viteve ’90 si kohën kur LPK-ja vepronte në Zvicër hapur, si një organizatë politike. Ai thekson se aty kishte drejtues të zgjedhur, gazetën e vet dhe një rrjet të gjerë në diasporë. Ndërsa konflikti i viteve 1998–1999 po afrohej, NZZ shkruan se kufiri mes veprimtarisë politike të LPK-së dhe asaj të lidhur me UÇK-në u bë gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar. Në këtë fazë, LPK-ja mblidhte para, siguronte materiale dhe mobilizonte shqiptarë nga diaspora për t’iu bashkuar luftës.

Në rrëfimin e tij, Buja tregon se lidhja ndërmjet dy organizimeve nuk ishte e ndarë. Ai shprehet se LPK-ja dhe UÇK-ja “nuk mund të ndahen” dhe se organizimi i armatosur “doli drejtpërdrejt nga programi i LPK-së”. Sipas tij, fillimisht veprimtarët shqiptarë në Zvicër përpiqeshin ta çlironin Kosovën përmes demonstratave dhe veprimtarisë politike, qëllimi ishte të binte pushteti jugosllav. Por, me kalimin e kohës, siç thotë Buja, në plan të parë u vendos lufta e armatosur dhe synimet duhej të realizoheshin në një mënyrë tjetër.

Fondi “Vendlindja Thërret” u krijua në Winterthur për financimin e luftës

Një nga pjesët më të rëndësishme të historisë lidhet pikërisht me Winterthurin. Sipas dëshmisë së Bujës, drejtuesit e LPK-së u mblodhën më 1993 në sallën e një restoranti në Winterthur. Tema qendrore e diskutimit ishte financimi i luftës. Nga ky organizim, u krijua fondi “Vendlindja Thërret”, i cili më vonë u shndërrua në një nga burimet kryesore financiare të UÇK-së.

NZZ thekson se ky fond mundësonte sigurimin e materialeve të nevojshme për luftën, përfshirë blerjen e armëve dhe të municionit. Buja, në vijim të rrëfimit të tij, thotë se në Zvicër kishte më shumë se 1,000 persona të autorizuar për të mbledhur kontribute nga mërgimtarët shqiptarë. Ai shton se dhjetëra mijëra njerëz kanë dhuruar, duke e kthyer fondin në një mekanizëm të gjerë të mbledhjes së parave në diasporë.

Ndërkohë, kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha, ndodhi edhe ndërhyrja e autoriteteve. Në korrik të vitit 1998, Prokuroria Federale e Zvicrës ndërhyri dhe urdhëroi bllokimin e llogarisë së fondit “Vendlindja Thërret”. Buja u arrestua përkohësisht; autoritetet kontrolluan banesën e tij dhe zyrën e fondit në Aarau. Hetuesit e pyetën për një shumë të konsiderueshme parash që ai e kishte dërguar në Shqipëri dhe nëse me ato mjete ishin blerë armë.

Gjatë asaj periudhe, Buja deklaroi se nuk e dinte nëse paratë ishin përdorur për armë, dhe të njëjtin qëndrim thotë se e mban edhe sot. Sipas tij, paratë ishin destinuar për të gjitha nevojat e UÇK-së dhe të popullsisë: ushqim, veshmbathje dhe “ndoshta edhe armë”. Në këtë linjë, në rrëfimin e artikullit përmendet se Zvicra shërbeu si një qendër e rëndësishme për organizimin politik, financiar dhe logjistik, ndërsa fondi “Vendlindja Thërret” lidhet drejtpërdrejt me mekanizmin që mundësonte përballimin e nevojave të luftës.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version