Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës programin qeveritar dhe kabinetin e ri qeverisës, pas votimit të Qeverisë së re që udhëhiqet nga ai. Në fjalimin e tij, Kurti tha se qeverisja e re do të jetë e përqendruar në zhvillimin ekonomik, prodhimtarinë, mirëqenien sociale, sigurinë, arsimin dhe shëndetësinë, si dhe në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Kurti foli edhe për ecurinë ekonomike të pesë viteve të fundit. Sipas tij, Kosova ka shënuar rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind, ndërsa në çerekun e parë të vitit 2026 rritja ka qenë 5.4 për qind. Ai bëri të ditur se Bruto Produkti Vendor është rritur nga rreth 7 miliardë euro në 11 miliardë euro, ndërsa për këtë vit është projektuar të arrijë në 12 miliardë euro.
Gjatë mandatit, u tha se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 430 mijë, ndërsa të ardhurat e familjeve janë rritur përmes pagës minimale, pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagave në sektorin publik. Kurti paralajmëroi se në mandatin e ri paga mesatare në sektorin publik do të kalojë 1 mijë euro në muaj, duke e lidhur këtë me rritjen e kapaciteteve financiare të shtetit dhe mbështetjen e punonjësve.
Dyfishim shtesash për fëmijë, paga mesatare mbi 1 mijë euro
Një nga pikat kyçe të planit qeveritar, sipas Kurtit, është dyfishimi i shtesave për fëmijët gjatë mandatit të ardhshëm. Ai tha se shtesat do të rriten nga 30 në 60 euro dhe nga 45 në 90 euro për fëmijë, varësisht nga numri i fëmijëve në familje. Kurti përmendi edhe mbështetjen për nënat lehona: nga 1 korriku ato do të marrin 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Për prodhimin dhe industrinë, Kurti prezantoi një program prej 1 miliard eurosh. Ai tha se Banka Zhvillimore do të financojë projektet strategjike, do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe do t’u japë prodhuesve e eksportuesve letërgaranci për pagesa. Sipas tij, do të lehtësohet marrja e kredive për investitorët që prodhojnë dhe punësojnë, ndërsa përmes amortizimit të përshpejtuar do të ulet kostoja e investimeve.
Bashkimi Evropian. Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e Valutës Digjitale të Kosovës, ndërtimin e Kullës TIK në Prishtinë dhe krijimin e 15 qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjikë dhe industrialë deri në fund të mandatit.Turizmi mbetet po ashtu i lidhur me investime të mëdha. Kurti prezantoi projektin e Brezovicës, për të cilin tha se do të investohen deri në 500 milionë euro. Investimet, sipas planit, do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat e skijimit, teleferikët dhe renovimin apo ndërtimin e hoteleve. Ai paralajmëroi edhe zhvillimin e Qendrës turistike “Dukagjini” në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, si dhe mbështetje për bujtinat ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr.
Në dimensionin e diasporës, kryeministri tha se përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë, ndërsa shteti do të jetë garantues i kredive për këto investime. Kurti shtoi se me anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mërgimtarëve do t’u kursehen rreth 60 milionë euro nga shpenzimet e dërgesave të parave.
Ai theksoi se paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet. Po ashtu, u paralajmërua ndërmarrja e nismës për pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat, ndërsa në të ardhmen synohet edhe paga e 14-të. Kurti tha se Fondi i Sigurimeve Shoqërore do të mbështesë punëtorët pas humbjes së vendit të punës dhe do të mbulojë pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror. Për kushtet e punës, ai paralajmëroi rritjen e numrit të inspektorëve të punës deri në 200.
Programi qeveritar përfshin edhe investime në arsim dhe shëndetësi. Kurti paralajmëroi dyfishimin e buxhetit për bursa studentore dhe zgjerimin e mbështetjes edhe për studentët e kolegjeve jopublike. Ai tha se do të hapen pesë gjimnaze të specializuara, do të shtohen dhjetë profile të reja në arsimin dual dhe interneti i shpejtë e falas do të shtrihet në 1 mijë institucione parauniversitare. Në shëndetësi, Kurti deklaroi se çdo qytetar do ta ketë mjekun familjar dhe do të përfshihet në regjistrin e kujdesit parësor, ndërsa u paralajmëruan ndërtimi i spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj dhe pajisja e spitaleve publike me tomografi të kompjuterizuar.
Botuar fillimisht në Telegrafi
