Si trajnimi i kujtesës lidhet me inteligjencën

Kujtesa e punës, përqendrimi dhe aftësia për të përpunuar informacionet janë aftësi që mund të përmirësohen me ushtrime të rregullta mendore. Lidhja mes inteligjencës dhe kujtesës së punës i ka tërhequr prej dekadash vëmendjen e studiuesve në psikologji e neurologji. Për një kohë të gjatë u besua se inteligjenca ishte kryesisht e lindur dhe se nuk ndryshonte shumë gjatë jetës, por hulumtimet më të reja po e vënë gjithnjë e më shumë në dyshim këtë bindje.

Sot, shumë studiues mendojnë se disa aftësi njohëse mund të zhvillohen edhe në moshë të rritur. Në qendër të këtyre gjetjeve është pikërisht trajnimi i ushtrimeve që synojnë kujtesën e punës. Sipas zbulimeve të përmendura, ndikimi nuk kufizohet vetëm te kujtesa afatshkurtër. Ushtrimet mund të përmirësojnë edhe aspekte të tjera të rëndësishme si zgjidhja e problemeve, përqendrimi dhe efikasiteti mendor.

Kujtesa e punës nuk është vetëm “mbajtje” e informacionit

Ekspertët e shpjegojnë se kujtesa e punës nuk funksionon si një depo pasive e të dhënave. Ajo është një sistem njohës që i mban përkohësisht informatat dhe i përpunon në mënyrë aktive, në kohë reale. Kjo aftësi ndihmon që të mësojmë, të planifikojmë, të marrim vendime dhe të zgjidhim detyra të ndërlikuara, por edhe situata të zakonshme të përditshme.

Këtu hyn edhe roli i inteligjencës fluide. Kapaciteti i kujtesës së punës lidhet veçanërisht me inteligjencën fluide, pra aftësinë për t’u përshtatur në situata të reja dhe për të zgjidhur probleme pa u mbështetur vetëm në përvojën e mëparshme. Nga ana tjetër, inteligjenca e kristalizuar lidhet më shumë me dijen dhe përvojën që individi ka fituar gjatë jetës. Të dyja konsiderohen të rëndësishme, por studiuesit po e shohin gjithnjë e më shumë mundësinë që inteligjenca fluide të zhvillohet përmes trajnimit të trurit.

Ushtrimet për kujtesën e punës mund të ndikojnë te inteligjenca

Për një periudhë të gjatë, inteligjenca fluide është konsideruar kryesisht e trashëguar dhe e vështirë për t’u ndryshuar gjatë jetës. Në këtë kuadër, një nga autorët e një studimi të rëndësishëm, dr. John Jonides, ka shpjeguar se “inteligjenca fluide shpesh konsiderohet shumë e trashëgueshme, prandaj shumë njerëz mendojnë se ajo është e pandryshueshme”. Megjithatë, qëllimi i hulumtimit të tij ishte të tregonte se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.

Interesi i komunitetit shkencor u rrit pas punës së psikologëve John Jonides, Susanne Jaeggi dhe Martin Buschkuehl. Studimi i tyre u botua në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences. Rezultatet treguan se trajnimi sistematik i kujtesës së punës mund të përmirësojë edhe aftësitë që lidhen me inteligjencën fluide. Pjesëmarrësit në studim kryen një ushtrim të quajtur “n-back”. Në këtë detyrë, individët ndiqnin një varg stimujsh dhe duhej të dallonin nëse stimuli aktual përputhej me atë që ishte shfaqur disa hapa më parë.

Gjatë analizës, u vu re se ata që ushtruan më gjatë dhe më intensivisht arritën përmirësime më të mëdha në testet e inteligjencës. Dr. Susanne Jaeggi ka theksuar se ideja ishte të tregohej se përmirësimi i aftësive bazë mendore, si kujtesa e punës, mund të çojë edhe në rezultate më të mira në detyra të ndërlikuara. Këto përfshijnë zgjidhjen e problemeve, një element që lidhet ngushtë me inteligjencën fluide dhe përshtatjen ndaj situatave të reja.

Një pjesë e rëndësishme e shpjegimit lidhet me neuroplasticitetin, pra aftësinë e trurit për t’u përshtatur dhe për të krijuar lidhje të reja nervore gjatë jetës. Sipas dr. Jonides, pas trajnimit, disa zona të trurit që përfshihen gjatë zgjidhjes së detyrave shpenzonin më pak energji dhe kërkonin më pak qarkullim gjaku. Kjo lidhet me një efikasitet më të madh të trurit.

Trajnimi i kujtesës së punës nuk synon vetëm aftësinë për të mbajtur mend informacione. Ai mund të përmirësojë gjithashtu kontrollin e vëmendjes, përqendrimin dhe menaxhimin e burimeve mendore. Përveç trajnimeve që bëhen përmes programeve kompjuterike, ekspertët theksojnë se ka edhe ushtrime të thjeshta që mund të kryhen në shtëpi. Një prej tyre përdor një pako letrash: letrat përzihen dhe kthehen një nga një, ndërsa paraprakisht caktohen disa letra “sinjal”, për shembull damat dhe dhjetat. Kur shfaqet një letër sinjal, personi duhet të kujtojë cila letër ishte dy pozicione më herët. Kur ushtrimi bëhet më i lehtë, detyra mund të vështirësohet, duke kërkuar kujtimin e letrës që ishte shfaqur tre ose katër hapa më parë. Aktivitetet e tilla synojnë të nxisin kujtesën e punës, përqendrimin dhe kontrollin e vëmendjes.

Ekspertët theksojnë se trajnimi i trurit nuk është “zgjidhje magjike”. Megjithatë, stimulimi i rregullt mendor mund të ndihmojë në ruajtjen e shkathtësisë mendore dhe në ngadalësimin e rënies njohëse. Ashtu si aktiviteti fizik është i rëndësishëm për trupin, aktiviteti mendor është i rëndësishëm për trurin. Prandaj, të mësuarit e përditshëm, zgjidhja e detyrave mendore dhe mbajtja aktive e mendjes mbeten të rëndësishme gjatë gjithë jetës.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version