Si ta përdorni ujin e kondicionerit në shtëpi, pa kosto

Gjatë ditëve të nxehta të verës, një kondicioner mesatar mund të nxjerrë nga 5 deri në 20 litra ujë në ditë. Shumë familje e lënë këtë ujë të pikojë në fasadë, por kjo shpesh sjell bezdi dhe mund t’ju krijojë edhe probleme me fqinjët, sidomos kur grumbullohet dhe lë shenja. Një zgjidhje praktike dhe falas është ta grumbulloni dhe ta përdorni për disa punë të përditshme në shtëpi.

Uji që del nga kondicioneri quhet kondensat. Ai është kimikisht shumë i ngjashëm me ujin e distiluar dhe, për këtë arsye, mund të përdoret për disa detyra që zakonisht kërkojnë ujë “pa përmbajtje”. Ky ujë nuk përmban klor, minerale apo gëlqere, që zakonisht janë shkaku kryesor i njollave, depozitave dhe njollëzimeve kur thahet. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk duhet pirë kurrsesi, pasi mund të ketë pluhur nga tubat dhe mund të mbajë gjurmë metalesh, myk dhe baktere.

Një nga përdorimet më të dobishme lidhet me bimët. Uji nga kondicioneri është i përshtatshëm për lulet që nuk e durojnë gëlqeren në tokë. Bën punë veçanërisht për orkidetë, zambakët aromatikë, fierët dhe kalateat, të cilat preferojnë kushte më të “butë” për ujitje. Po kështu e pëlqejnë edhe barbarozat, lulet e oborrit dhe domatet në vazo. Ndërkaq, për bimët që kanë nevojë për ujë më të fortë dhe minerale, si sukulentët dhe kaktusët, është më mirë t’u jepet ujë i zakonshëm nga rubineti.

Përtej bimëve, ky ujë shërben edhe për pastrim. Meqë nuk përmban gëlqere, nuk lë gjurmë të bardha pas tharjes. Kjo e bën ideal për larjen e xhamave, sidomos kur përdorni leckë mikrofibre, ku rezultati del më i pastër dhe pa nevojë për fshirje të dytë. I njëjti avantazh vlen edhe për sipërfaqe të tjera: mund të përdoret për larjen e veturave të errëta, karrigeve plastike apo pllakave, duke pasur më pak rrezik për njolla që vijnë nga depozitat.

Uji i kondicionerit kursen, sidomos për pastrime pa njolla

Një tjetër mundësi është përdorimi i tij si zgjidhje “pa pagesë” për hekurin me avull. Hekurat dëmtohen shpesh kur brenda grumbullohet gëlqerja, ndërsa uji nga kondicioneri mund të përdoret si zëvendësim i lirë për ujin e distiluar që blihet në dyqan. Arsyeja është se ky ujë nuk lë asnjë mbetje në rezervuar, çka ndihmon për ta mbajtur pajisjen më të pastër dhe për të ruajtur performancën e avullit. E njëjta logjikë vlen edhe për pajisjet me avull dhe lagështuesit e ajrit në shtëpi, sepse edhe këto punojnë më mirë kur uji nuk sjell depozita.

Edhe në sferën e mirëmbajtjes së mjeteve, ky ujë mund të shfrytëzohet. Për shoferët që përdorin ende akumulatorë të vjetër me plumb, uji nga kondicioneri mund të përdoret për plotësimin e sigurt të qelizave. Ai nuk sjell mbetje që të ngjiten në rezervuar, ndaj shërben si alternativë praktike për këtë nevojë të caktuar.

Ka edhe përdorime të thjeshta shtëpiake që ndikojnë në shpenzimet e ujit. Për shembull, shpëlarja e një tualeti shpenzon rreth gjashtë litra ujë të pijshëm. Nëse tubin e kondicionerit e drejtoni në një kovë më të madhe, mund të siguroni disa shpëlarje çdo ditë pa përdorur ujë të pijshëm. Po kështu, për larjen e dyshemeve dhe pllakave, kondensati nga kondicioneri kryen të njëjtin funksion si uji nga çezma për larjen e përditshme të shkallëve, dyshemeve apo pllakave të banjës.

Për ta mbledhur siç duhet pa krijuar shqetësime, mënyra më praktike është ta zgjasni tubin e kondicionerit me një gyp PVC dhe ta drejtoni në një kovë ose bidon. Është shumë e rëndësishme që ena të ketë kapak, në mënyrë që uji i ndenjur të mos kthehet në vatër mushkonjash gjatë vapës. Nëse përdorni një shishe plastike në ballkon, duhet ta zbrazni çdo mbrëmje. Kështu, grumbullimi bëhet më i rregullt, pa rrjedhje që mund të shkaktojnë lagështi dhe pa rrezik të grumbullimit të insekteve.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version