Si e pastron truri veten gjatë gjumit të thellë

Ndërsa flejmë, truri nuk “fikët” plotësisht vetëm për t’u rikuperuar nga dita. Përkundrazi, gjatë natës aktivizohet një mekanizëm natyral pastrimi që synon të largojë substancat e dëmshme të grumbulluara gjatë periudhës kur jemi zgjuar. Studiuesit po thellojnë gjithnjë e më shumë idenë se ky proces mund të ketë rol kyç në mbrojtjen e trurit nga demenca dhe sëmundjet e tjera neurodegjenerative.

Një analizë e re shkencore, e publikuar në revistën Science, vë në dukje se çrregullimet e gjumit, stresi kronik, depresioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe plakja kanë një tipar të përbashkët: ato mund të prishin ritmet natyrore të trurit. Pikërisht këto ritme, gjatë gjumit, janë ato që mundësojnë largimin më efikas të mbetjeve metabolike dhe produkteve të tjera të panevojshme që grumbullohen në tru.

Prej kohësh njihet se të rriturit kanë nevojë mesatarisht për shtatë deri në tetë orë gjumë për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor. Por gjetjet e reja e bëjnë edhe më të qartë se gjumi nuk është vetëm një periudhë rikuperimi. Në fazat e thella, truri aktivizon një sistem të quajtur “glimfatik”, i cili lidhet drejtpërdrejt me largimin e proteinave të dëmshme dhe mbetjeve të tjera që grumbullohen gjatë kohës kur jemi aktivë dhe të përfshirë në aktivitetet e ditës.

Gjatë gjumit të thellë truri rishpërndan ritmet për të pastruar mbetjet

Për të kuptuar si funksionon ky pastrim, studiuesit krahasojnë aktivitetin kimik gjatë ditës me atë gjatë natës. Gjatë ditës, neurotransmetues të ndryshëm, përfshirë noradrenalinën, serotoninën, dopaminën dhe acetilkolinën, veprojnë në mënyrë relativisht të pavarur, duke ndihmuar në ruajtjen e vëmendjes, humorit dhe funksioneve njohëse. Kur nis gjumi, ky peizazh ndryshon: këto substanca kimike fillojnë të veprojnë më sinkron, duke formuar modele ritmike që nxisin procesin e pastrimit të trurit.

Një rol të veçantë kanë fazat e gjumit jo REM, veçanërisht gjumi i thellë. Aplikacionet për monitorimin e gjumit shpesh e shënojnë këtë fazë si “core” ose “deep sleep”. Gjatë këtyre intervaleve vërehen “mikrozgjime”, pra shpërthime të shkurtra të aktivitetit të trurit, edhe pse personi mbetet në gjumë. Këto ngjarje të shkurtra lidhen me ndryshime fiziologjike që nxisin lëvizjen e lëngut cerebrospinal nëpër indet e trurit, duke lejuar që nga truri të largohen proteina potencialisht të dëmshme.

Në këtë proces, përmenden ndër të tjera beta amiloidi dhe proteina tau, dy nga shenjat më të njohura të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit. Ndërkohë, kur gjumi është i dobët, ky zinxhir mekanizmash prishet. Nëse gjumi ndërpritet ose nuk mjafton, ritmet natyrore të trurit çrregullohen dhe pastrimi bëhet më pak efikas. Me kalimin e kohës, mbetjet që duhet të eliminohen mund të grumbullohen, duke rritur potencialin për ndryshime që lidhen me rënien njohëse.

Sot ekspertët flasin për një lidhje dyanshme mes gjumit dhe demencës. Nga njëra anë, gjumi i pamjaftueshëm mund të nxisë grumbullimin e proteinave neurotoksike dhe të aktivizojë procese inflamatore në tru. Nga ana tjetër, ndryshimet e hershme të lidhura me sëmundjet neurodegjenerative mund të prishin vetë strukturën e gjumit, duke krijuar një rreth vicioz: gjumi i çrregulluar e përkeqëson më tej situatën dhe intensifikon proceset që çojnë drejt dëmtimit të qelizave të trurit.

Një nga përfundimet më interesante të hulumtimit lidhet me ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës gjatë gjumit. Bëhet fjalë për dallimet e vogla në intervalin kohor midis dy rrahjeve të njëpasnjëshme. Studiuesit thonë se ky parametër është ngushtë i lidhur me ritmet e ngadalta fiziologjike që koordinojnë proceset e pastrimit të trurit. Nëse ndryshueshmëria është më e madhe gjatë gjumit, mund të tregojë gjumë më cilësor të thellë dhe një funksionim më efikas të sistemit glimfatik. Në rast se hulumtimet e ardhshme e konfirmojnë lidhjen, monitorimi i këtij treguesi të thjeshtë—pa ndërhyrje—mund të shërbejë si mënyrë për identifikimin e hershëm të personave me rrezik më të lartë për rënie njohëse dhe demencë. Megjithatë, theksohet se duhen më shumë studime, sepse në ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës ndikojnë shumë faktorë si stresi, kondicioni fizik, barnat dhe sëmundjet e zemrës.

Për të mbështetur ritmet e natës të trurit, ekspertët theksojnë se rekomandimet kryesore për shëndetin e trurit përputhen me këshillat e përgjithshme për gjumin cilësor: të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh në orare përafërsisht të njëjta, të marrësh kohë të mjaftueshme gjumi, të ruash aktivitetin fizik në ditët e javës dhe të kontrollosh stresin. Gjithashtu, rekomandohet shmangia e stimuluesve në orët e mbrëmjes dhe ulja e ekspozimit ndaj dritës së fortë të ekraneve para gjumit.

Botuar fillimisht në Telegrafi

Exit mobile version