Pas garimit të përbashkët kundër Aleksandar Vuçiqit dhe subjekteve të tjera politike në zgjedhjet parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kthehen nesër, më 8 nëntor, në një garë mes vete. Zgjedhjet e radhës janë për anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), institucion që përfaqëson komunitetin shqiptar dhe mbron interesat e tij në disa fusha kyçe.
Në këtë proces zgjedhor, gjithsej 37.759 shqiptarë, të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore, do të kenë të drejtë vote. Për 29 vende në KKSH, garojnë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë. Kjo do të thotë se zgjedhësit do të votojnë për listat, ndërsa mandatet ndahen më pas sipas votave të fituara.
Rritet KKSH: 29 anëtarë dhe vendime për gjuhën e arsimin
Listat që garojnë në këto zgjedhje janë të renditura në fletëvotim si më poshtë: Lista nr. 1 – LPD–PDSH, me bartës Shqiprim Musliun dhe 29 kandidatë. Lista nr. 2 – PD–LR, ku bartës është Sali Salihin dhe në listë ka 20 kandidatë. Lista nr. 3 – PVD–AL, me 29 kandidatë. Ndërsa Lista nr. 4 – APN ka bartës Levent Qazimin dhe 29 kandidatë.
Në qendër të këtyre zgjedhjeve qëndron edhe një ndryshim i rëndësishëm në përbërjen e institucionit. Këshilli Kombëtar Shqiptar zgjerohet nga 15 në 29 anëtarë. Sipas të dhënave për këtë zgjerim, ndryshimi vjen pas më shumë se një dekade dhe lidhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2022 në Serbi. Ky zgjerim pritet të ndikojë në përfaqësim më të gjerë të komunitetit shqiptar brenda KKSH.
Por çfarë vendoset në praktikë përmes këtyre zgjedhjeve? Qytetarët shqiptarë me të drejtë vote zgjedhin anëtarët e Këshillit, të cilët më pas përfaqësojnë interesat e komunitetit në disa fusha kryesore. Një nga këto është arsimi, ku synohet përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla, tekstet shkollore dhe zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe. Një tjetër fushë është kultura, me fokus në ruajtjen e traditave, historisë, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
KKSH ka po ashtu rol në informimin dhe mbështetjen e mediave e informimit në gjuhën shqipe, si dhe në përdorimin zyrtar të gjuhës për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet ku kjo e drejtë garantohet me ligj. Këshilli Kombëtar Shqiptar është organ i vetëqeverisjes së pakicës kombëtare dhe ka kompetenca në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Përveç aspektit kulturor e arsimor, rëndësia e institucionit lidhet edhe me çështje që prekin shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Përmendet angazhimi si mekanizëm institucional për ngritjen e çështjeve që prekin komunitetin, përfshirë pasivizimin e adresave dhe të drejtat e tyre kolektive. Në këto zgjedhje mund të votojnë shtetasit e Serbisë mbi 18 vjeç që janë të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore të pakicës kombëtare shqiptare. Votimi bëhet për listat zgjedhore, ndërsa mandatet ndahen në bazë të votave të fituara.
Për të verifikuar nëse janë të regjistruar në listën e votuesve dhe për të mësuar vendvotimin ku kanë të drejtë të votojnë, qytetarët mund ta bëjnë përmes platformës elektronike të verifikimit të regjistrit të votuesve: https://upit.posebanbirackispisak.gov.rs. Udhëzimi për zgjedhësit është që të kontrollojnë me kohë të dhënat e tyre, në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të dinë saktësisht ku duhet të paraqiten për të ushtruar të drejtën e votës.
Botuar fillimisht në Telegrafi
