Fshatrat e Hasit të Prizrenit, ndër vite, u kanë bërë ballë vështirësive të shumta, duke u mbështetur te puna e palodhshme dhe te traditat që kanë kaluar brez pas brezi. Terreni i thyer malor ka qenë një nga arsyet kryesore që sigurimi i bukës së gojës nuk ka qenë i lehtë. Banorët kanë mësuar të mbijetojnë me atë që prodhonin dhe ta shndërronin përditshmërinë në një ritual pune, sidomos kur afrohej dimri.
Drithërat që banorët arrinin t’i siguronin nga tokat e tyre shpesh mjaftonin vetëm për tre deri në gjashtë muaj të vitit. Këtë realitet e kujton edhe Pren Prenkaj, 81-vjeçar nga Has, i cili i ka përjetuar kohët kur përgatitja e ushqimit kërkonte angazhim të madh. Ai tregon se në ato vite, për ta pasur bukën në dimër, familjet organizonin përgatitjen e drithit me kujdes dhe punonin për ta shndërruar atë në ushqim bazë.
“E kam një moshë bukur të vjetër, i mbërrij 81 vjet. I kam mbërritur kohërat kur e kemi përgatitur lamën për ta përgatitur drithin për bukë. Në ato lama që ishin të rralla, është përgatitur drithi me qetë, sepse këtu ka pasur më pak kuaj. Ky ka qenë ushqimi kryesor që është siguruar së paku për tre ose gjashtë muaj dimër”, ka kujtuar Pren Prenkaj, banor i Hasit.
Menjëherë pas përfundimit të shirjes së drithit, familjet hasjane nisnin të mendonin për sigurimin e ngrohjes për stinën e dimrit. “Pas kësaj, çdo shtëpi ka filluar t’i siguronte drutë për dimër, sepse atëherë dimrat kanë qenë shumë të gjatë. Gjithashtu, drithin e bluanim në mullinjtë me ujë”, shton ai. Kështu, puna gjatë gjithë vitit lidhej drejtpërdrejt me nevojat e stinës së ftohtë, ku edhe proceset e bluarjes realizoheshin në mënyra tradicionale, në mullinjtë me ujë.
“Dita e Bereqetit Hasjan” rikthen kujtesën dhe ruan traditat
Për të mos e lënë pas dore të kaluarën dhe për t’i ruajtur kujtimet e brezave, në Gjonaj të Hasit organizohet çdo të dytën vjeshtë aktiviteti tradicional “Dita e Bereqetit Hasjan”. Ky manifestim i mban gjallë traditat e zonës dhe sjell në vëmendje punën që dikur i siguronte familjet përballë kushteve të vështira të jetesës. Në të njëjtën kohë, aktiviteti shërben si një urë mes atyre që i kanë jetuar këto periudha dhe gjeneratave që i trashëgojnë rrëfimet.
Tradita në Has nuk lidhet vetëm me punën bujqësore. Një pjesë e rëndësishme e identitetit të banorëve është edhe veshja popullore, e cila vazhdon të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj. Haziz Hodaj, drejtor i SHKA-së “Malsori”, ka theksuar se kjo veshje ka gjetur përkrahje edhe te të rinjtë, të cilët shprehen të vendosur të mos heqin dorë nga trashëgimia kulturore e vendit të tyre.
Ndonëse sot jeta në Has është bërë më e lehtë se shumë dekada më parë, disa aspekte kanë ndryshuar. Ariola Osmanollaj, banuese e Gjonajt, thotë se asaj i mungon rinia, duke nënvizuar se ajo që dikur ishte e lidhur ngushtë me komunitetin tani është shpërndarë nëpër botë bashkë me familjet e saj. Megjithatë, ajo e lidh këtë largim me një vazhdimësi pune, duke theksuar se zeja e Hasit vazhdon, siç shprehet ajo, edhe në format e reja të bukëpjekësisë.
Botuar fillimisht në Bota Sot