Shqipëria me pak ar në rezerva: 3.73 tonë

Shqipëria renditet ndër vendet me rezerva të ulëta ari në raport me strukturën e saj të rezervës valutore, një tregues që del qartë nga të dhënat krahasuese të publikuara nga bestbrokers.com. Raporti vë në fokus peshën specifike që zë ari në rezervat monetare të vendit, si dhe sa gramë ar i përket një banori, duke e krahasuar këtë situatë me vendet e rajonit dhe ekonomitë më të zhvilluara.

Sipas të dhënave për periudhën shkurt të këtij viti, Shqipëria kishte rezerva ari në një sasi totale prej 3.73 tonësh. Në strukturën e rezervës valutore të vendit, kjo peshë përkthehet në 6.4% të vlerës totale të rezervës. Pra, jo vetëm që sasia e arit nuk është e lartë, por edhe roli i tij në përbërjen e rezervave valutore rezulton më i kufizuar krahasuar me pjesën dërrmuese të vendeve.

Raporti thekson se Shqipëria mban një peshë të ulët të arit në strukturën e rezervës krahasuar me shumicën e vendeve të botës. Në këtë krahasim përfshihen edhe vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe shtete të Europës Lindore. Në figurën e përgjithshme, vendet që kanë një raport më të lartë të arit në rezerva zakonisht janë ekonomitë me peshë të madhe dhe me kapacitete më të larta financiare.

Në mesin e vendeve të rajonit për të cilat bestbrokers.com ofron informacion, Serbia mban peshën më të lartë të arit në strukturën e rezervës valutore, me 24.4%. Pas saj vjen Maqedonia e Veriut me 16.8% të peshës specifike të rezervës valutore. Për të kuptuar më qartë pozicionin e Shqipërisë, raporti tregon se vetëm Bosnje-Hercegovina ka një peshë më të ulët se Shqipëria, me 5.4% të vlerës së rezervës valutore.

Ndërkohë, kur vështrohet edhe treguesi i rezervave të arit për frymë, Shqipëria sërish paraqitet me nivele të ulëta. Llogaritjet tregojnë se vendi ka rreth 1.6 gramë ar për banor. Edhe në këtë indikator, Shqipëria lë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën, që raportohet të ketë rezerva ari rreth 1.1 gramë për frymë. Maqedonia e Veriut shfaq rezerva prej 3.82 gramë për frymë, ndërsa Serbia arrin në 8.12 gramë për frymë.

Ari në rezerva: Shqipëria me 3.73 tonë

Në panoramën globale, raporti rendit edhe vendet me rezervat më të mëdha të arit. SHBA-ja kryeson me 8133 tonë ar, ndërsa pas saj vijnë Gjermania me 3350 tonë, Italia me 2452 tonë, Franca me 2437 tonë, Kina me 2322 tonë dhe Rusia me 2299 tonë. Këto shifra tregojnë qartë se vendet me rezerva më të mëdha të arit zakonisht kanë një peshë të ndjeshme të metalit në strategjitë e tyre të menaxhimit të rezervave monetare.

Ndërkaq, tregu i arit ka pasur luhatje gjatë periudhave të fundit. Çmimet e arit shënuan një tendencë në rritje të fortë vitin e kaluar, duke kaluar nivelin e 5300 USD për onz. Gjatë këtij viti, çmimet kanë pësuar rënie dhe aktualisht ndodhen pranë nivelit të 4100 USD për onz, megjithatë ato vijojnë të mbeten me rritje të ndjeshme mbi bazën vjetore.

Rritja e çmimit të arit ka dhënë efekt pozitiv edhe në bilancin e Bankës së Shqipërisë. Sipas pasqyrave të audituara financiare të bankës qendrore, të ardhura vjetore nga rivlerësimi i rezervës së arit arriti në rreth 11.87 miliardë lekë për vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, të ardhura nga ndryshimi në vlerën e drejtë të arit monetar u rrit me 109% krahasuar me një vit më parë. Edhe në nëntor dhe dhjetor 2025, Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e rezervave të arit përmes blerjes së sasive të reja, me një vlerë totale prej 2.98 miliardë lekësh. Kjo rritje e vlerës së rezervave ekzistuese dhe zgjerimi i tyre ka sjellë një rritje të ndjeshme të rezervave të arit gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill rezerva e arit kishte vlerën e 463 milionë eurove, në rritje me 48% krahasuar me një vit më parë.

Botuar fillimisht në Bota Sot

Exit mobile version