Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë nënshkruar elektronikisht një memorandum mirëkuptimi, i cili parashikon përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Marrëveshja tashmë ka hyrë në fuqi, ndërsa nënshkrimin e ka bërë personalisht presidenti amerikan, Donald Trump. Dokumenti vjen pas ditësh spekulimesh e paqartësish rreth përmbajtjes, derisa një zyrtar i lartë i administratës amerikane ua lexoi gazetarëve të gjithë tekstin e memorandumit në një konferencë telefonike.
Nënshkrimi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej të premten në Zvicër, por burime diplomatike bëjnë të ditur se në ditët e fundit është diskutuar mundësia e përshpejtimit të procesit dhe hyrjes më të hershme të marrëveshjes në fuqi. Një diplomat nga një vend ndërmjetësues tha se arsyeja kryesore për përshpejtimin lidhej me rihapjen sa më të shpejtë të Ngushticës së Hormuzit, për të cilën të dyja palët kishin arritur tashmë dakordësi.
Ndërkohë, burime të tjera theksojnë se një faktor shtesë ishte edhe presioni politik në rritje ndaj Shtëpisë së Bardhë për ta bërë publik përmbajtjen e memorandumit. Por një burim i afërt me negociatat pretendon të kundërtën: sipas tij, Irani ka këmbëngulur që teksti i marrëveshjes të mos publikohej para nënshkrimit zyrtar. Kjo, sipas atij pretendimi, hedh poshtë zërat se Uashingtoni po tërhiqej për shkak të presioneve politike.
14 pikat e memorandumit: nga ndalimi i luftës te rihapja e Hormuzit
Teksti i memorandumit përmban një sërë angazhimesh të ndara në 14 pika. E para parashikon përfundimin e luftës dhe të operacioneve ushtarake. Sipas marrëveshjes, SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre shpallin përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Palët zotohen të mos ndërmarrin më veprime armiqësore dhe të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendeve.
Pika e dytë lidhet me respektimin e sovranitetit: të dyja palët angazhohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës, si dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme. Më tej, pika e tretë parashikon negociatat për një marrëveshje përfundimtare: SHBA-ja dhe Irani do të zhvillojnë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh. Kjo periudhë mund të zgjatet vetëm me marrëveshje të përbashkët.
Pika 4 parashikon heqjen e bllokadës amerikane ndaj Iranit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe pengesave ndaj transportit. Procesi i plotë, sipas memorandumit, duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Për Ngushticën e Hormuzit, pika 5 jep detaje konkrete: Irani do të mundësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare për 60 ditë pa pagesa shtesë nga Gjiri Persik drejt Detit të Omanit dhe anasjelltas. Pas kësaj periudhe, do të zhvillohen bisedime për administrimin afatgjatë të kësaj rruge strategjike.
Ndërkohë, pika 6 parashikon një plan ekonomik për Iranin, ku SHBA-ja dhe partnerët e saj rajonalë do të hartojnë një plan për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë. Pika 7 lidhet me çështjen bërthamore, ku palët do të negociojnë pasurimin e uraniumit dhe programin bërthamor të Iranit, ndërsa marrëveshja përfundimtare do të përcaktojë kushtet për këtë çështje.
Pika 8 ripohon mosprodhimin e armëve bërthamore: Irani angazhohet të mos zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore. Pika 9 ruan status quo-në gjatë negociatave: deri në arritjen e marrëveshjes finale, Irani do të mbajë gjendjen aktuale të programit të tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të dërgojë forca shtesë në rajon.
Për eksportet, pika 10 parashikon lehtësime: SHBA-ja do të japë përjashtime që lejojnë eksportin e naftës iraniane, produkteve të naftës dhe shërbimeve të lidhura, përfshirë bankat, sigurimet dhe transportin. Pika 11 flet për zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira, të cilat do të bëhen të disponueshme pas zbatimit të kushteve të marrëveshjes dhe sipas procedurave të dakorduara mes palëve.
Pika 12 krijon një mekanizëm monitorimi për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit dhe respektimin e marrëveshjes finale. Pika 13 përcakton një afat për nisjen e negociatave për pjesët e tjera: pas fillimit të zbatimit të disa pikave kryesore, SHBA-ja dhe Irani do të fillojnë negociatat për marrëveshjen finale për pjesët e mbetura.
Së fundi, pika 14 parashikon miratimin ndërkombëtar: marrëveshja finale do të kërkojë miratim përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. CNN thekson se zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar tekstin si një dokument politik me formulime të përgjithshme, i cili synon të krijojë terrenin për negociata më të detajuara teknike.
Botuar fillimisht në Telegrafi
